Festë e çmendur për një gol fantastik në minutën e fundit, që shënoi një rekord historik. U duk se do të ndalej në 39 ndeshje seria pa humbje e Realit të Madridit, por Los Blancos rikuperuan dy gola në sfidën e kthimit të raundit të 1/8-ave të Kupës së Mbretit ndaj Sevillas për ta çuar në 40 numrin e ndeshjeve pa humbje në të gjitha kompeticionet. Një supergol i Karim Benzema në minutën e 93-të bëri që në “Ramon Sanchez Pizjuan” të niste një festë e çmendur. Sulmuesi francez shmangu këdo që i doli përpara për të shënuar një gol me peshë, që u duk sikur i dha kualifikimin Realit, por nuk ishte aspak kështu sepse Los Blancos falë suksesit 3-0 në ndeshjen e parë e kishin hedhur një këmbë drejt kualifikimit dhe ky barazim në Andaluzi u shërbeu thjesht për të thyer rekordin e Barcelonës prej 39 ndeshjesh pa humbje, me Realin që u bë kështu skuadra e parë spanjolle që regjistron më shumë ndeshje pa pësuar asnjë disfatë, plot 40.
Humbja e fundit për ekipin merengues daton 6 prillin e vitit të kaluar në Champions League ndaj Wolfsburgut dhe për këtë një meritë të jashtëzakonshme e ka trajneri Zinedine Zidane, i cili i ka dhënë një tjetër dimension Realit që nga momenti që mori drejtimin e skuadrës duke zëvendësuar në stol spanjollin Rafa Benitez. Por për ta çuar në 40 numrin e ndeshjeve pa humbje në të gjitha kompeticionet, Reali i Madridit gjatë kësaj periudhe ka realizuar edhe 8 përmbysje fantastike që do të mbahen mend gjatë nga tifozët e Los Blancos. Takimi i parë është ai ndaj Rayo Vallecanos, 24 prillin e kaluar, me skuadrën e Zidane që përmbysi një avantazh prej dy golash të pjesës së parë duke fituar 2-3 në stadiumin Vallecas.
Nga suksesi ndaj Rayos te fitorja spektakolare përballë Sevillas në Superkupën e Europës, ku golat e Ramos në fund të kohës së rregullt dhe Carvajal në fund të shtesës prej 30 minutash i dhanë trofeun Realit pas triumfit me shifrat 3-2. Një tjetër fitore fantastike ishte ajo në Champions ndaj Sportingut të Lisbonës me rezultatin 2-1 në “Santiago Bernabeu” për të vazhduar me barazimin e vuajtur në fund me shifrat 3-3 ndaj Legias së Varshavës. 8 ndeshjet e çmendura të Los Blancos për të arritur te kjo ecuri prej 40 ndeshjesh pa humbje vazhdojnë me fitoren e vështirë 2-1 ndaj Sportingut të Gijonit në “Camp Nou”.
Barazimi ndaj Barcelonës në “Camp Nou”, falë atij goli të kapitenit Sergio Ramos në minutën e 90-të ishte një tjetër rezultat historik për të vijuar me suksesin e pabesueshëm ndaj Deportivo la Corunas në “Bernabeu” me shifrat 3-2, teksa dy golat e fitores u realizuan nga Mariano Diaz dhe Sergio Ramos në minutat 85 dhe 93. Për të ardhur te përmbysja e 8 dhe e fundit e realizuar ndaj Sevillas në “Ramon Sanchez Pizjuan” në Kupën e Mbretit. Deri në minutën e 83-të andaluzianët kryesonin 3-1 dhe dukej se Reali nuk do ta thyente dot rekordin e Barçës, të cilin e kishte barazuar me fitoren ndaj Granadës në fundjavë, por Ramos me një penallti alla Panenka dhe Benzema me një gol spektakolar fiksuan shifrat përfundimtare të këtij takimi në 3-3.
Një barazim që shënoi një rekord historik prej 40 ndeshje pa humbje për Los Blancos, jo vetëm në Spanjë, por edhe në Europë të gjithë duhet t’i tremben këtij Realit, Realit të Zinedine Zidane, trajnerit që mbërriti pa ndonjë bujë të madhe në Madrid, por që me punë po tregon se ai nuk ishte vetëm një futbollist i madh, por është edhe një trajner i madh.