Fushata elektorale po intensifikohet dhe me të edhe zërat kritikë ndaj realitetit të përditshëm që përballen qytetarët. Joni Myshketa, kandidat i Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Durrësit, ka reaguar ndaj gjendjes së mjerueshme infrastrukturore në një prej lagjeve të qytetit. Nëpërmjet një postimi të gjatë dhe të drejtpërdrejtë në rrjetin social Facebook, Myshketa ka ngritur shqetësimin për rrugën “Adrianët” në lagjen nr. 1 të Durrësit, duke e cilësuar situatën si një përballje të hidhur mes realitetit dhe propagandës qeveritare.
“Saga vazhdon”, shkruan ai, duke shoqëruar postimin me pamje të cilat, sipas tij, flasin vetë për nivelin e neglizhencës që i është bërë komunitetit. Kandidati i KEA shprehet se ndonëse ndodhemi në kulmin e fushatës, ku të gjithë mundohen të hiperbolizojnë problemet për vëmendje, ai zgjedh të flasë vetëm për të vërtetën.
“Pamjet më poshtë janë përsëri të lagjes Nr. 1 ‘i nderuar’ kryeministëri vendit tim, deputet i qarkut Durrës, rruga Adrianët për më saktë,” vijon Myshketa, duke e adresuar drejtpërdrejt problematikën te figura më e lartë politike e vendit. Ai shton se kjo rrugë përbën rrezik të vazhdueshëm për banorët, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit që e përshkojnë në këmbë çdo ditë.
Myshketa nënvizon se amortizimi i automjeteve nga kalimi në këtë rrugë është një kosto shtesë për qytetarët, ndërkohë që asnjë institucion nuk mban përgjegjësi. Ai e quan këtë realitet si pasojë e 12 viteve të qeverisjes së një “shkopi magjik” që vetëm ka premtuar, por nuk ka dhënë zgjidhje.
“Shumë larg BE-së, shumë larg propagandës tashmë bajate me të njëjtën melodi,” shkruan ai, duke i kërkuar llogari deputetit të qarkut për përzgjedhjen e “personaleve frutangrënës”, një term ironik për emërimet politike pa meritë.
Në postimin e tij, Myshketa ngre alarmin edhe për mundësinë që banorët, nga dëshpërimi, të marrin vetë në dorë rregullimin e rrugës, çka mund t’i çojë drejt ndëshkimeve për “ndërtim pa leje”. Ai kujton një rast të ndodhur në Shijak ku banorët u ndaluan pikërisht për këtë arsye.
Në fund, Myshketa u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Durrësit, Shijakut, Fushkrujës, Krujës e më gjerë që të marrin në dorë fatin e tyre me votë më 11 maj 2025. Ai i fton që të mos bien pre e premtimeve boshe apo lëmoshave elektorale, por të votojnë për të ardhmen e tyre dhe jo për interesa të kryetarëve të partive.
“Ne nuk kemi nevojë për lëmoshë, por për atë që na takon e që e paguajmë shumë, shumë shtrenjtë…”, thekson ai, duke e përmbyllur postimin me një apel për zgjuarsi dhe ndërgjegje qytetare.
#votonr4kea
#votojonuzmyshketa
#durresimeritonmeshume
#shqiperiameritonmeshume