Falë efekteve speciale të krijuara në Hollywood, tashmë është e mundur krijimi i një bote me superheronj apo galaksi të largëta. Por kjo teknologji dalëngadalë po futet edhe nëpër shkolla dhe po e tjetërson dhënien e lëndëve shkencore. Udhëtimi visual mund t’i çojë nxënësit nga një qelizë e deri tek pjesët më të largëta të sistemit tonë diellor. Falë këtyre syzeve virtuale, Marjai Flowers dhe Shelbi Buchanan mund të vizitojnë rezervate natyrore.
“Më pëlqeu pjesa kur një djalë dhe një vajzë po flisnin për gjarpërinjtë dhe breshkat. Syzet virtuale të çojnë në brendësi të atij mjedisi ku shikon gjithçka dhe të duket sikur vërtet je aty. I shikon dhe dëgjon gjërat që ndodhin aty.” Ky quhet “Sistemi i Realitetit Virtual ‘Victory’ ”. Drejtuesi Steve Grubbs thotë se futja e realitetit virtual në programet mësimore është një mënyrë për të ndihmuar studentët. Ai foli me Zërin e Amerikës përmes Skype.
“Studentët amerikanë nuk po arrijnë rezultate të mira në shkencë ndaj besojmë se realiteti virtual është një mënyrë për arsimim më të mirë. Kemi vënë re se realiteti virtual i tërheq nxënësit më shumë për të mësuar.” Ai thotë se studimet tregojnë se kujtesa e studentëve që mësojnë përmes realitetit virtual është më e mirë.
“..kur studentët zhyten në realitetin virtual dhe janë entuziastë për të mësuar, për rrjedhojë ata do të përvetësojnë më shumë nga mësimet dhe ky lloj arsimimi ka më shumë kuptim.”
Zoti Grubbs thotë se realiteti virtual, në disa raste, ofron një mjedis më të sigurtë mësimi.
“Studentët mund të realizojnë prova të ndryshme që edhe po shpërthyen, janë në botë virtuale, dhe askush nuk dëmtohet.”
Nxënës, si Shelbi Buchanan ndihen të kënaqur. “Mjedisi është me personazhe si në filmat vizatimorë dhe mund të lëvizësh nga një dhomë tek tjetra. Ke shumë alternativa.” Ky sistem i realitetit virtual është pjesë e arsimit në disa pjesë të Azisë, Kanadasë dhe Karaibeve, ndërsa do të bëhet pjesë e arsimit në disa shkolla amerikane kur të fillojë viti shkollor.