Në kulmin e marrëdhënieve “të ngrohta dhe të çeliktë” me Kinën, kur “solidariteti vëllazëror” ishte refreni i përditshëm, Enver Hoxha e pa pataten si një fushë tjetër ku miqësia me Kinën mund të lulëzonte bashkë me prodhimin bujqësor.
Në një dokument të kohës, patatja përshkruhet si një pasuri bujqësore me rendiment të jashtëzakonshëm, 80 kv/ha, në krahasim me vetëm 15-20 kv/ha të misrit. Kështu udhëheqësi komunist sugjeroi kultivimin e patates edhe si bukë, dhe si alternativë për kursimin e miellit të grurit.
Në një takim me kuadro nga sektori i bujqësisë, si Viktor Puka dhe Andrea Gjermeni, udhëheqësi i pagabueshëm shpalli direktivat bujqësore: “Të gjitha forcat drejt kultivimit masiv të patates!”
Ky mobilizim nuk ishte thjesht një thirrje për të mbjellë më shumë patate, por ishte dhe një akt i solidaritetit të dyanshëm kinezo-shqiptar. Siç thuhet në dokument, Kina “po pregatitet të na dërgojë qindra tonë fara patate, prandaj tani janë mobilizuar dhjetra mijëra veta për të zgjedhur, ambalazhuar mirë dhe dërguar patate në Shqipëri. Janë marrë nga vapore të huaj deri në vapore frigoriferë që kostojnë shumë që fara e patates të na vijë në kohën e duhur për ta mbjellë. Ne kemi në Kinë njerëzit tonë që merren me këtë çështje, po kinezët po kujdesen vetë shumë dhe do të na i dhanë peshqesh, fare pa para.”
Hoxha tregoi, se “ në Evropë, në Gjermani njerëzit nuk hanë shumë bukë si tek ne, ata hanë më shumë patate.” Kështu, duheshin ndryshuar zakonet shqiptare të ushqyerjea. Madje, për të siguruar popullin për suksesin e kësaj nisme, vetë Komiteti Qendror bëri një provë. “Në Komitetin Qendror na kanë dërguar si mostër bukë të prodhuar me miell gruri përzier me miell patateje.” Kjo bukë, sipas Enverit ishte “e shkrifët si sfungjer dhe shumë e shijshme”.
Kështu Enveri udhézonte specialistët e bujqësisë se, “pataten ne do ta mbjellim dhe do ta përzjejmë me miellin e grurit për të bërë bukë.” Për më tepër udhëheqësi i habiti kuadrot e bujqësisë kur ju tregoi se, “i dhamë ushtrisë (reparteve të stërvitjes së minave dhe kazarmave) për provë gjysëm sasi mishi, gjysëm patate. Ata që hëngrën bukë të përzjerë me gjysëm sasi miell gruri dhe gjysëm patate, edhe më mirë punuan, shtuan edhe nga 3 kilogram.”
Kështu, nën dritën e “solidaritetit vëllazëror” me Kinën, “patatja do të shndërrohej në një simbol të miqësisë, solidaritetit internacionalist, si dhe një mjet për të ndërtuar “njeriun e ri socialist” të ushqyer me bukë me patate.