Referendumi që rrezikon një luftë të re në Bosnje

Serbët boshnjakë votuan në një referendum pro shpalljes së 9 janarit si festë kombëtare. Më 25 shtator, të dielën, 99,8% (sipas përllogaritjeve të 75% të votave) e banorëve të Republikës Srpska i thanë PO shpalljes së ditës së kontestuar, 9 janarit si festë kombëtare. Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik u shpreh para Parlamentit në Banja Luka, se me këtë është i qartë vullneti i votuesve. 1,2 milionë vetë kishin të drejtën e votimit të dielën.
BE është shprehur kundër referendumit, ndërsa qeveria serbe në Beograd është shprehur po ashtu para referendumit, se ajo nuk e mbështet referendumin e serbëve boshnjakë. Përkundër kësaj, kjo iniciativë e Presidentit Dodik kishte miratimin e Moskës.
Dodik vendosi për votimin, megjithë një ndalimi të Gjykatës Kushtetuese. Sipas vendimit të gjykatës, shpallja e 9 janarit si festë kombëtare bie ndesh me ligjin, sepse ajo përjashton banorët myslimanë dhe kroatë të Republikës.
Më 9 janar 1992, tre muaj para fillimit të Luftës së Bosnjes që zgjati nga viti 1992-1995, u shpall Republika Srpska, ndër të tjera nga lideri i serbëve, Radovan Karadxhiç, i cili në mars të këtij viti u dënua nga Tribunali i Hagës me 40 vjet burgim. Por për joserbët në Bosnje-Hercegovinë 9 janari nuk është një ditë feste.
Referendumi që është mbajtur të dielën në Republikën Srpska është jolegal dhe nuk ka asnjë bazë ligjore, sepse Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka pezulluar vendimin për mbajtjen e tij, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç.
“I inkurajojmë institucionet shtetërore në Bosnje që ta zgjidhin këtë çështje me Republikën Srpska, brenda kornizës ekzistuese kushtetuese, nëpërmjet dialogut konstruktiv”, tha Koçijançiç për gazetarët në Bruksel.
Në referendumin e së dielës, serbët e Bosnjës kanë votuar me shumicë dërrmuese për të shënuar 9 janarin si festë kombëtare.
Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar këtë datë si diskriminuese për myslimanët dhe kroatët e rajonit, pasi më 9 janar të vitit 1992, serbët kanë shpallur krijimin e shtetit të tyre brenda Bosnjës, duke nxitur konflikt etnik.
Bosnja vazhdon të jetë e ndarë në dy entitete: Republika Srpska dhe Federata Myslimane-Kroate.
“Është e rëndësishme që palët të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim”, tha Koçijançiç.
Referendumi i së dielës ka çuar në debatin më të ashpër ndërmjet zyrtarëve myslimanë të Bosnjës dhe atyre serbë të Bosnjës, prej Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Me këtë marrëveshje ishte krijuar Republika serbe, si njëra nga dy entitetet përbërëse të Bosnje-Hercegovinës. Në referendum është shtruar pyetja nëse dëshirohet që 9 janari të mbetet “Ditë e Shtetësisë”. Në këtë datë është festa e Kishës Ortodokse serbe dhe përvjetori i deklaratës së ligjvënësve serbë të Bosnjës në vitin 1992, me të cilën ishte shpallur pavarësia nga Bosnja. Ky zhvillim e kishte shkaktuar luftën trevjeçare etnike në këtë vend.
Kritikët e referendumit thonë se ai i shton tensionet etnike dhe e forcon ndjenjën separatiste brenda këtij entiteti. Joserbët, këtë datë e shohin si simbol të dëbimit të tyre nga territori i kontrolluar nga serbët e Bosnjës dhe si indikacion se Republika serbe është vend ku do të jetojnë vetëm serbët.

Republika serbe është vend ku do të jetojnë vetëm serbët

Më 17 shtator, Gjykata Kushtetuese e Bosnje-Hercegovinës me seli në Sarajevë, e ka ndaluar referendumin, duke theksuar se festa e 9 janarit është ilegale dhe i diskriminon boshnjakët myslimanë dhe kroatët katolikë.
Dragan Llukaç, ministër i Brendshëm në Republikën serbe dhe shef i komisionit zgjedhor, tha të dielën në një konferencë për shtyp në Banjallukë se, “çdo gjë ka shkuar mirë” dhe se nuk ka pasur raporte për incidente.
Ai theksoi se ka pasur mungesë të votuesve në hapësirat boshnjake të Republikës serbe dhe shtoi se më tepër se dhjetëra vendvotime as që janë hapur për votim.
Për këtë referendum më së tepërmi është angazhuar Presidenti nacionalist i këtij entiteti, Milorad Dodik.
Kritikët e tij e akuzojnë atë se po përpiqet të krijojë kushte për referendumin e ardhshëm, me gjasë në vitin 2018, me pyetjen nëse Republika serbe do të duhej të shkëputej nga Bosnjë e Hercegovina.
Një zhvillim i tillë, në mënyrë efektive, do të nënkuptonte përfundim të Marrëveshjes së Dejtonit, me të cilën pati përfunduar lufta në Bosnjë në periudhën 1992-‘95.

Artikulli paraprakDy pikët mund të na kushtojnë titullin
Artikulli tjetër13 euro, viza për në BE?