Refleksion mbi kritikën kundër Sali Berishës

Enver Bytyçi

Çdo ditë ballafaqohemi me portale, shkrime e komente të shumta, në të cilat lideri demokrat, Sali Berisha, krahasohet me Esat Pashë Toptanin dhe tradhtinë kombëtare dhe akuzohet për gjithçka të zezë që ekziston mbi tokë. Që në fillim dua të them se Berisha, si të gjithë ne të tjerët, është një qenie njerëzore. Si i tillë ka karakterin, temperamentin, formimin, besimin, bindjet e tij, me të cilat krijon identitetin e vet. Nëse e gjykojmë nga këto karakteristika identitare, atëherë duhet të pajtohemi se ai ruan dhe konservon karakteristikat më të mira të shqiptarëve dhe të krahinës nga vjen. Ndërsa veprimtaria e tij politike e shoqërore besoj se vlerësohet objektivisht nëse gjykohet në kontinuitet, duke i marrë të gjitha ngjarjet në varësi e në lidhje me njëra-tjetrën. Përpjekjet që bëhen për të analizuar ngjarje të veçanta dhe episode sporadike në jetën politike të Berishës janë qëllimkëqia, sepse autorët e këtyre përpjekjeve e dinë se gjykimi i një veprimtarie ose për një figurë të caktuar politike, në rastin konkret të Berishës, është jo shkencor, jo real, jo i saktë. Për pasojë ka një prapavijë me inspirime politike, hakmarrëse ose krahinore dhe dashakeqëse. Kritikët e kundërshtarëve të Berishës synojnë ta godasin liderin demokrat në tri pikat më të forta të tij: 1. Në qëndrimin ndaj interesave kombëtare. 2. Në qëndrimin ndaj demokracisë dhe lirive e të drejtave të njeriut. 3. Në qëndrimin ndaj familjes dhe respektimin e virtyteve konservatore të shqiptarëve. Nuk kam për objekt analizën e çdo kritike dhe sulmeve që i bëhen atij. Por nëse lexojmë shkrimet dhe analizat e kundërshtarëve të Sali Berishës, do të vemë re se këto janë temat më të lakuara dhe më të përmendura. Këtë e bëjnë disa kategori njerëzish: 1. Përfaqësuesit ose pasardhësit e ish-sistemit komunist, të cilët fajësojnë Sali Berishën për humbjen e privilegjeve të pushtetit. Pushteti i ka çuar njerëzit në krime të përbindshme. Kështu ka ndodhur historikisht gjatë gjithë historisë, por ne shqiptarët mund të kujtojmë krimet makabre të diktaturës dhe diktatorit komunist. Prandaj askush nuk ka pse konteston lidhjen midis akuzave të kësaj kategorie kundër Berishës. Po jap vetëm një shembull. Miku im Ramadan Marmullaku, diplomat me emër në ish-Jugosllavi, në mesin e viteve 1990 më thoshte se “Serbia u armiqësua me shqiptarët në momentin që humbi pushtetin në Kosovë. Serbët në Kosovë dhe në Beograd nuk e duronin ndryshimin radikal të përfaqësimit në politikë, në legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor dhe administratën e krahinës. Prandaj dhe e thelluan konfliktin, si dhe rritën dozën e armiqësive kundër shqiptarëve”. I njëjti proces ka ndodhur në Shqipëri pas vitit 1990, kur Sali Berisha u vu në krye të ndryshimit të sistemit e për pasojë edhe të ndryshimit të plotë të strukturave të shtetit. Ky ndryshim u përjetua në fillim me frikë nga përfaqësuesit e sistemit të vjetër komunist. Pastaj, kur ata u gjallëruan, u hodhën në sulm të egër me të gjitha mjetet e format kundër asaj, të cilën ata e konsideronin “regjimi i Berishës”. Ishte dhe mbetet e njëjta racë, të cilën nuk e kemi dëgjuar ta përmendnin diktaturën si “regjim të Hoxhës”. Bërthama e kësaj lukunie antiBerishë ishin eksponentët e të rekrutuarit e Sigurimit të Shtetit, ndërsa udhëheqësit e saj u bënë pasardhësit e bllokmenëve komunistë. Nëse i shohim dhe i dëgjojmë sot, dallojmë lehtësisht se këta pasardhës janë më aktivët, më të zellshmit dhe më sadistët në sulmet kundër Sali Berishës. Natyrisht ky rregull ka përjashtimin e vet, për shembull, Taulant Ballën. 2. Kategoria e dytë e njerëzve që sulmojnë me gjithçka e për gjithçka Berishën janë spiunët e Sigurimit të Shtetit, si dhe ata të shërbimeve të huaja të shteteve antishqiptare, spiunët e Moskës, Beogradit dhe Athinës. Nëse do të hartonim një listë të atyre që e kanë sulmuar Sali Berishën në harkun kohor prej vitit 1990, kur ai u shfaq në gazetën “Drita” e deri më sot, do të shihnim se mbi 80 për qind e kësaj liste mbushet me emrat e ish-spiunëve. Për hir të së vërtetës edhe këta duhen kategorizuar në spiunë të lidhur me të majtën, si kontigjent i gatshëm në pararojë të sulmeve mediatike kundër liderit demokrat. Pastaj vijnë spiunët që u hoqën ose hiqen si “të persekutuar politikë”. 3. Dhe më në fund vijnë spiunët, të cilët, me dijeni ose padijeni të Berishës, u stacionuan që në fillimin e lëvizjes demokratike në krah ose afër tij. Këta të fundit u porositën të ndiqnin çdo lëvizje të Berishës, me qëllim që pastaj kalemxhinjtë e përgatitur në shkollën e Sigurimit të Shtetit të bënin përpunimin e materialit bruto, të krijonin lidhje pa lidhje të fenomeneve e ngjarjeve dhe kështu ta bënin gjithçka të besueshme për lexuesit. Disa nga këta spiunë kanë hyrë nga dritarja e kanë dalë disa herë nga dera e Sali Berishës. Kjo e bën më të komplikuar fushatën antiBerishë të të gjithë kundërshtarëve të tij, po të kemi parasysh se shumica prej tyre janë dëshmitarë ose kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë, të afërt ose diçka të afërt të Sali Berishës. 4. Nuk janë të paktë ata që motivohen nga interesa e ndjenja krahinore e fetare për t’iu kundërvënë lidershipit berishian. Madje kjo kategori është më cinikja dhe më e paskrupullt në sulmet kundër liderit historik të demokratëve shqiptarë. Kur shohim komentet e shumta të kësaj kategorie njerëzish, e cila duket si një ushtri e përgatitur mirë në transhetë stërvitore të diktaturës, dallojmë mllef, urrejtje, egërsi, sadizëm, kanibalizëm të skajshëm dhe përpjekje për të krijuar një hasmëri e ndarje të pariparueshme midis shqiptarëve. Fatkeqësisht, frymëzim i këtyre përpjekjeve është bërë disa herë vetë lideri i socialistëve dhe kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, i cili hapur dhe publikisht ka atakuar qytetarët e tij sipas prejardhjes krahinore e fisnore. Pa folur për doktrinën e tij të spastrimit të administratës shtetërore bazuar mbi kriterin e përkatësisë krahinore. Analiza e figurës, veprimtarisë dhe punës së liderit demokrat, Berisha, sot bëhet pa u bazuar në ndonjë kriter e metodë shkencore. Për shembull, kritikët e tij marrin si model perfeksionizmin dhe e ballafaqojnë me punën e tij. Disa ndjekin modelin e analizës metafizike, përmes së cilës marrin si argument çështje të dorës së dytë e të tretë, pa dashur të vlerësojnë dhe gjykojnë mbi realitetin thelbësor të veprimtarisë së Berishës. Ka prej tyre që përpiqen të përdorin metodën e krahasimit me liderët politikë të mëparshëm të shtetit shqiptar, por edhe në këtë rast kemi një qasje metafizike, sepse dialektalisht ngjarjet dhe fenomenet në analizën e tyre kanë dy dimensione: Kohën kur ndodhin dhe hapësirën në të cilën ndodhin. Ndërsa ka prej atyre analistëve që si mjet e metodë analize përdorin krahasimin e veprimtarisë dhe figurës së Berishës me liderët politikë të forcave të tjera politike në Shqipëri, bashkëkohës të tij, si me Fatos Nanon, Edi Ramën, Ilir Metën etj. Edhe në këtë rast, përdoret me tepri formula “të gjithë njësoj janë”, ndërkohë që e vërteta nuk mund të jetë e tillë, sepse asnjëri prej tyre nuk është si tjetri. Aq më pak Berisha mund të jetë si Nano ose si Rama, por ai nuk është as si Meta. Në një ligjëratë në Prishtinë organizuar në maj të vitit 2012 për liderin shqiptar të Kosovës, Ibrahim Rugova, një intelektual më shtroi pyetjen, nëse Berisha do të duhej të vepronte si Rugova e madje të sillej si Rugova, që të ishte më i suksesshëm? I thashë se objektivisht Berisha nuk mund të ishte si Rugova, thjesht për faktin se ai nuk do të ishte më Sali Berisha. Kësaj pikëpamjeje i përmbahem edhe në krahasimet që i bëjnë atij më së paku me tre liderët e së majtës shqiptare. Por ndryshimi qëndron shumë më thellë se në karaktere. Ndryshimi shfaqet dukshëm në ide, vizione, alternativa, projekte, të cilat askush nuk mund t’i shlyejë në kujtesën historike të shqiptarëve. Prandaj dhe vlerësimi e kritika ndaj Berishës është subjektive, e bazuar shpeshherë në një urrejtje patologjike, jo e saktë, jo reale dhe në shumë e shumë raste e orkestruar dhe qëllimkeqe. Kjo përplasje e madhe gati-gati antagoniste midis dy grupimeve të mëdha ka ndikuar negativisht në një gjë: Nuk u ka lejuar mbështetësve të Sali Berishës të shohin te ai gabimet e tij njerëzore apo t’i kritikojnë ato publikisht. Për pasojë e ka dëmtuar në njëfarë mase korrigjimin dhe vetëkorrigjimin, nuk ka lejuar që puna, veprimtaria dhe figura e tij të ishte një refleksion ose vetërefleksion korrigjues dhe zhvillues i shkallës së lartë.

Artikulli paraprakThellohet kriza, rënie drastike e të ardhurave tek ndërmarrjet
Artikulli tjetërBritania dhe roli i saj global pa Europën