Refleksion nga Agim Baçi: Hipokritët dhe dhunuesit e demokracisë, duhet të kishin heshtur më 8 dhjetor

Nga Agim Baçi

8 Dhjetori 1990 nuk është thjesht një datë, por një ëndërr që shqiptarët kishin vite që dëshironin ta shihnin. Jo të gjithë, padyshim jo të gjithë, e dëshironin mbylljen e asaj dere tmerri, pasi besonin ende verbërisht te ajo ideologji. Madje mjaft nga ata që kishin qenë pjesë e mekanizimit vrastar, apo mbështetës të diktaturës, vijuan edhe në këto tridhjetë e katër vite të mbronin me nostalgji atë sistem çnjerëzor që mbolli vdekje e vuajtje, duke shpërfillur në mënyrë cinike qindra apo mijëra dokumente për krime e dhunime çnjerëzore, rrëmbime prone dhe dehumanizim për gati 50 vite.
Dhe fatkeqësisht edhe sot, pas 34 vitesh nga 8 Dhjetori 1990, shumë nga ata që e dhunuan apo po vijojnë të dhunojnë ëndrrën e studentëve, ëndrrën e shqiptarëve për demokraci, bëjnë statuse në përkujtim të asaj dite, sikur të ishin kalorës të demokracisë. Kjo paftyrësi e tyre, duke u paraqitur si adhurues të demokracisë, ndërkohë që janë tallur e vazhdojnë të tallen me të drejtën, me të vërtetën, me të drejtën e pronës apo me barazinë përpara ligjit, është shakaja e hidhur – një shaka ndaj së cilës duhet të ndjehemi përgjegjës, pasi nuk mundëm që atë ëndërr për demokraci, të nisur në atë të shtunë të ftohtë të 8 Dhjetorit ’90, për një shtet të së drejtës, nuk arritëm dot ta realizonim.
Hipokritët, dhunuesit e demokracisë dhe abuzuesit e ëndrrës për demokraci, të paktën sot duhet të kishin heshtur….
…34 vite më parë ne nuk mund ta kuptonim se i kishim dhënë dorë muratorëve të “ferrit të diktaturës” të na ndërtonin “parajsën e demokracisë”. Në atë kohë nuk arrinim ta kuptonim se demokracinë e mbrojnë ata që mendojnë në mënyrë të tillë, ata që e mbrojnë zbatimin e ligjit dhe që nuk ngurojnë të thonë të vërtetën.
E megjithatë, edhe pse mund të kemi shumë për të thënë për atë që nuk bëmë dot si duhet, 8 Dhjetori 1990 është ende një datë që mund të na kthejë sytë drejt një shoqërie që beson në vlera, që beson se e mira dhe e drejta janë rrugët për të ndërtuar një vend ku gjithkush nga ne të ketë dëshirë të ëndërrojë të ardhmen.

Exit mobile version