Refleksione mbi “realizmin socialist”: Një pendë në dorën e shkrimtarit të regjimit komunist, vret me qindra e mijëra ndërgjegje njerëzore, prandaj…

Nga Arben Borshi/ Në fund të shekullit XIX-të dhe fillim të shekullit të XX-të, në letërsi u shfaq nji rrymë e re e quejtun; ‘VERIZMI’ (në shqip: ‘Realizmi’ apo ‘Vërtetësia’). Kjo rrymë e re letrare, pati si përfaqësues të saj ma me zâ në Itali, Giovanni Verga, i cili u frymzu prej shkrimtarëve francez Aleksandër Dymà, babë e bir. “Nedda” asht tregimi i parë i narrativës së Verga-s ( I Malavoglia, Mastro don Gesualdo, etj., janë tregimet që do të vazhdojnë me mbush krijimtarinë e Verga-s), ku tragjedia që e ndjek këtë vajzë gjatë viteve, pasqyron realitetin e gjendjes të mjerueme të shtresave të vorfna. Verga përdor nji gjuhë direkte, pa zbukurime dhe retorika, tuj u përqendru kryesisht në transmetimin dhe pasqyrimin e të  vërtetës tragjike. Pra narrativa e “Verizmit”, asht ajo e rrymës letrare, që si kusht ka tregimin e realitetit në mënyrë besnike dhe të pakompomentueshme.

dritero

Natyrisht që deri në periudhën para shpikjes të aparatit radiofonik (radios) të Guglielmo Marconi-t, libri (shtypi!) ishte vektori përçues i mendimit dhe formimit të ndërgjegjes të njerëzve, pra edhe i ndikimit të shoqnisë. Nëpërmjet librit, romanit, poezisë, Njeriu vihej në dijeni për ngjarje, aventura, vende, ndjenja, etj., tuj influencu kështu në edukimin e tij.

Edhe mbas shpikjes të radios, e ma vonë të aparatit televiziv, leximi mbeti si mjeti ma efikas në trajtimin e ndërgjegjes njerëzore, edhe pse kohët e fundit, gjithnjë e ma tepër po i bren terrenin “teja” e rrjeteve sociale e sidomos, bombardimi mediatik me programe televizive “zhumile” !

Pra rëndësia e shkrimtarit në trajtimin e temave sociale, mbetet parësore, po e asaj rëndësie si e para 100 viteve, kur udhëheqësi i Revolucionit sovjetik, Lenini, në fjalimet e tij do të deklaronte se; “Shkrimtarët janë arkitektët e shpirtit të Revolucionit”, dhe do të shtonte për artin në përgjithësi; “Arti asht mjeti ma efikas, për me përhapë mesazhin e partisë”!

Në shkrimet e tija, shpesh hedh idenë se; rëndësia e intelektualëve në përgjithësi, dhe ajo e shkrimtarëve në veçanti në ndërtimin e ndërgjegjes klasore, asht subjekti themelor i formimit ideologjik të partisë revolucionare. Në thelb, Lenini  ishte i bindun se kultura dhe letërsia nuk ishin fenomene estetike apo të dëfrimit, të kalim-kohës, por instrumente shumë të rëndësishëm të edukimit ideologjik dhe mobilizimit të masave. (Indoktrinimit ideologjik- shtoj unë)

Si përfundim, influenca e shkrimtarit në veçanti, dhe e artit në përgjithësi, në shërbim të ideologjisë komuniste, kreu transformimin (unë e quaj degjenerimin) e shoqërisë njerëzore, tuj kontribue kështu në shplamjen e trunit të masave me krijimin e nji mënyre të re të mendimit: krijoi Njeriun e Ri! Në lidhje me kët qenie, ka nji libërth të shkrimtarit disident dhe fitues i çmimit ‘NOBEL’, Aleksandër Solzhenitcin, me titull: “NJERIU I RI”.

Mbas botimit të; “Nji ditë e zakonshme e Ivan Denisoviçit” dhe disa tregimeve tjera, që do ta bëjshin me u njohtë në arenën ndërkombëtare, Solzhenitcin do t’i dedikohej romaneve dhe ciklit të narrativës esenciale. Në vitet ’90-të, mbas nji periudhe pothuaj 20 vjeçare të qëndrimit në SHBA-ës, prej dënimit me dëbim të përhershëm që i dha Partia Komuniste Sovjetike në vitin 1974, shkrimtari disident iu dediku formës të shkurtë të narratives (kujtojmë se romani “Arqipelagu Gulag”, me të cilin fitoi çmimin ‘Nobe’l ka rreth 1400 faqe!)

Protagonistët e katër tregimeve që përmbledh libri me titull: “Njeriu i Ri”, jetojnë në vitet 20 të shekullit XX-të. Janë personazhe që tuj u nisë prej indoktrinimit ideologjik, që kan pësuar, besojnë se me entuziazëm dhe dedikim ideologjik do të ndërtojnë “Botën e Re” dhe “Njeriun e Ri”, si zbatim i projektit të doktrinës marksiste dhe propagandës komuniste sovjetike.

Tregimi i parë ban fjalë për një profesor të rreptë në lëndën e tij (Anatolij Pavlloviç Vozdvizhenskij, ishte inxhinier dhe docent në Fakultetin e Ndërtimit të Urave) dhe të nji nxënësi të paaftë për me mësu (Konopljov), që përfiton prej kushteve të politikës policeske dhe ban karrierë. Ky nxënës mediokër dhe i paaftë, në rolin e nji hetuesi, detyron profesorin me braktis metodën e tij të edukimit me rigorozitet si docent, tuj e detyru me u ba edhe spiuni i miqve dhe kolegëve të tij.

Nastenka, asht vajza e mjekut të epidemiologjisë, e rritun në ambient intelektual që përballet me internimin. E rrethueme me librat e bibliotekës të të atit, kishte mujt të krijonte bindjet e saja për realitetin e vigjiljes të Revolucionit të Tetorit, kur ishte nxënëse e sapo pranueme në liceun moskovit. Por transferimi i të atit në provincën e Rostovit, ia ndërpreu studimin në lice, në moshën 16 vjeçare, pa mbaru ciklin shkollor për nji vit.  Papritmas, në jetën e saj futet Shurka Gen, nji i ri entuziast i ideve komuniste, që bahet menjëherë kryetar i kursit letrar, “Komsorg”!

Në fjalimet e tij para grupit që drejtonte, ai shprehej: “As  antipodet tona ideologjike, nuk kanë ra në gjum. Shokët e rrugës tonë janë letrarët, që ishin armiqtë tonë të djeshëm e që do të jenë të vdekurit e nesërm, janë reaksionarë që deformojnë qëllimisht e me shpifje, revolucionin, dhe sa ma talent të kenë, aq ma shumë të rrezikshëm janë! Letërsia nuk asht nji kopsht me kënaqsira, por nji fushë lufte!…

Dhe të gjithë këta tradhtarë do t’i nënshtrohen me forcë letërsisë të proletariatit, ose do të zhduken prej fshesës të hekurt! Asnjë ribashkim do të jetë i mundshëm! E na të gjithë të rinjtë, bijtë dhe bijat e Revolucionit të Tetorit, duhet të kontribuojmë në formimin e nji linje të vetme komuniste në letërsi!…Në përgjithësi ata nuk mund të jenë shokët tonë të udhës; ose je aleat i joni, ose je anmik i joni”!…

Mbas Revolucionit, jo vetëm që do të nevojiten të futen fjalë te reja në fjalor, dhe nji alfabet të ri, por edhe pikat dhe presjet e mëparshme do të bahen të neveritshme!

Tregimi i tretë, flet për dy femra të reja: njena asht viktimë e dhunës ideologjike, prej të cilës detyrohet me iu përshtatë për me mbijetu dhe për me përfitu të mira materiale, ndërsa tjetra simbolizon heroizmin dhe vet-mohimin e nji mësueseje (Anastasija Dimitrievna), që kërkon t’i transmetojë nxënësve vlerat e moralit universal dhe të përhershëm, pavarësisht se programet mësimore sovjetike janë në kundërshtim me këto vlera. Por ajo vazhdon rrugën e sajë e vetëdijshme, se do ta humbas betejën me përbindëshin sovjetik.

Tregimi i katërt na paraqet nji personazh të humbur dhe pa shpresë. Asht nji i ri fshatar, fëmijë i nji familje kulakësh, që prej kampit të internimit ku po vuan urinë, i drejtohet “Shkrimtarit të Madh”, me nji lutje për ndihmë konkrete. Shkrimtari i regjimit, ky “inxhinier i ndërgjegjeve njerëzore”, kufizohet me nji vlerësim për freskinë e letrës, tuj përdor nji fjalor “popullor” dhe i premton se në romanin e radhës, do të përdorte ndonjë fragment prej tij. Ky asht edhe kulmi i humnerës të moralit njerëzor.

Pra, tuj iu kthye temës të ‘realizmit socialist’, e vërteta asht se kjo rrymë letrare, asht e kundërta e domethënies të fjalëve. Ashtu siç edhe vetë “Babai i Revolucionit të Tetorit” e thekson, shkrimtarët e regjimit, të realizmit socialist, shërbyen me devotshmëri dhe besnikëri partinë kriminale komuniste, tuj u ba leva kryesore e shplamjes të trunit të masave dhe të përhapjes të propagandës mashtruese.

Për pothuaj nji gjysmë shekulli, bombardimi ideologjik nëpërmjet realizmit socialist, shkaktoi nji traumë psikike në nji pjesë të konsiderueshme të popullsisë (duhet përmendë se alfabetizmi ishte fenomen i kudondodhur në popullsinë shqiptare të mbas Luftës të Dytë Botnore, dhe kjo i krijoi lehtësi të jashtëzakonshme përhapjes të ideologjisë vëllavrasëse dhe të urrejtjes me anë të realizmit socialist!) dhe ky fakt favorizoi s’tepërmi formimin e “njeriut të ri”!

Në qoftë se bimë dakord, dhe mendoj se askush prej atyne që arrin me dallu të keqen prej të mirës, nuk ka kundërshtim, se regjimi komunist ishte vetëm nji regjim kriminal terrorist, at-herë edhe ata që i shërbyen me devotshmëri dhe vullnet, nuk mund të përjashtohen prej këtij kuadri kriminal. As edhe justifikimet djallëzore apo infantile, se; “ishim të rinj, apo ashtu ishin kushtet, ose ishim të detyruar”- nuk mund t’i justifikojnë këto bashkëpunëtorë të zellshëm në krim! Sepse krimi nuk asht vetëm dëmtimi, apo zhdukja fizike!

Krim edhe ma i rënd asht deformimi i ndërgjegjes të njerëzve me doktrinën vëllavrasëse të marksizëm-leninizmit dhe luftës të klasave. Edhe Adolf Eichmann, u deklarua i “pafajshëm” në gjyqin e famshëm të Jerusalemit, para trupit gjykues. “Unë kam zbatu urdhrin e eprorëve, me dorën teme nuk kam prekë njeri”, – deklaroi Eichmann para trupit gjykues. Megjithatë, përfshimja e tij në holokaustin e hebrenjve, nuk ishte abstrakte, teorike, dhe gjykatësit ia hodhën poshtë me fakte bindëse këtë justifikim banal, tuj e dënu me varje! Prej kësaj ngjarjeje, lindi edhe libri i Hannah Arendt: Banaliteti i të keqes!

Nji pushkë vret nji, dy, dhjetë a ma shum njerëz! Nji pendë në dorën e shkrimtarit të regjimit kriminal, vret me qindramijra ndërgjegje njerëzore! Prandaj bashkëfajësi e të gjith atyne që i shërbyen vullnetarisht dhe me zell, regjimit kriminal komunist, nuk ka kenë dhe nuk asht abstrakte, vetëm teorike. Edhe fakti i vetëm i mbështetjes apo përhapjes të propagandës mashtruese me vetdijshmëri, përbën nji krim. Dhe unë e shumë si unë, që e kena përjetu periudhën e inkuizicionit të realizmit socialist, këtë tragjedi me përmasa biblike të shplamjes të trunit, jena dëshmitar të gjallë.

Ende sot e kësaj dite, edhe pse kan kalu 35 vjet prej shembjes të perandorisë të së keqes, mënyra e shtrembërueme e perceptimit të realitetit, si efekt i intoksikimit ideologjik me realizmin socialist, asht i pranishëm në shoqërinë shqiptare. Aq ma tepër që askush, e aq ma pak dikasteret e dedikuem, nuk ndërmarrin hapa sqarues për këtë ideologji kriminale. Përkundrazi, vazhdojnë të promovohen po të njëjtit autorë që ndihmuan krimin komunist me shkrimet e tyne toksike dhe trashëgimtarët e tyne, sidomos në programet mësimore!

Mjafton të vërehet rendja mbas kultit të individit dhe ndamja e popullsisë në; “Ne” dhe “Ata”, si dhe fjalori i urrejtjes që rrjedh prej gojëve të ktyne individëve, që kanë “hostenin” në dorë, dhe kupton se sa i pranishëm asht anti-morali i realizmit socialist…fatkeqësisht!! Ka nji frazë kuptimplotë në romanin e famshëm të shkrimtarit çek, Milan Kundera, “Lehtësia e padurueshme e qenies”;

“Kush mendon se regjimet komuniste të Europës Qendrore ishin vepër ekskluzivisht të kriminelëve, mohon nji të vërtetë themeltare, se: regjimet kriminale nuk u krijuan prej kriminelëve, por prej të entuziazmuemve, të bindun se kishin zbulu të vetmen rrugë, që të çonte në parajsë. E mbrojtën me kurajo kët rrugë, tuj ekzekutu për kët shumë persona. Në vijim, iu ba e qartë, se parajsa nuk ekzistonte dhe se këto entuziastë, ishin vetëm vrasësit.

At-herë të gjithë filluan t’i sulmojshin komunistët: jeni përgjegjësit e kësaj tragjedie të vendit (të vorfnuem e të reduktuem në gërmadha), jeni përgjegjësia për humbjen e pavarësisë (të ramë nën zgjedhën e Rusisë), jeni vrasësa! Ata që akuzoheshin, përgjigjeshin; Na nuk e dijshim! Na kan mashtru! Na besojshim! Thellë në ndërgjegje jena të pafajshëm”!

Por diskutimi në fund të fundit, reduktohej në këtë pyetje: A me të vërtetë ata nuk ishin në dijeni? Apo bëjn vetëm demek, se nuk e kan ditë?!  Memorie.al

Exit mobile version