Refleksionet e shkrimtarit të njohur: Komunistët e Titos që zbritën nga malet të palarë, rrisnin pula në godinën e Bankës Italiane, ndërsa në vaskën e banjos mbillnin majdanoz! S’e njihnin tualetin…

Gjithmonë regjimet me ideologjizime ekstreme, ua vështirësojnë tmerrësisht jetën qytetarëve të tyre. Por jo më të pakta janë edhe përjetimet e atyre, që fati historik i hodhi në mes të dy çakejve; regjimit fashist dhe atij komunist, sikundër përshkruhet në librin “Magazina 18”, i cili na jep dëshmi tronditëse të italianëve të mërguar nga Istria, Fiume dhe Dalmazia. Nga mendja brilante e filozofit Friedrich Nietzsche, kanë dalë fjalët se; “Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet”. Ky është edhe synimi i autorit Simone Cristicchi, fituesit të festivalit të Sanremos, me këngën; “Do të të dhuroj një trëndafil”, me gazetarin Jan Bernas, teksa rreken të pasqyrojnë nga të mbijetuarit, në formë rrëfimesh dhe ditari jo kronologjik, atë që ngjau me atë popullsi që edhe pse në trojet e veta, mbeti si mollë sherri mes Italisë, qysh nga Musolini e, Jugosllavisë së Titos.

E gjithë tragjedia e tyre luhet nën regjinë e Fuqive të Mëdha dhe më pas, nën indiferencën e tyre për pasojat e dhimbshme që vendimet e marra sollën. Pretendimet e palëve u zgjidhën me favorizimin e sllavëve që u quajtën fitues, në kurriz të atyre që edhe pse ishin njerëz të thjeshtë, u damkosën si humbës, duke harruar se fituesit ishin edhe më të egër, pasi është plotësisht ashtu sikurse thoshte Ronald Regan, se; “Vetëm në dy vende mund të funksionojë komunizmi, në parajsë, ku s`u nevojitet, dhe në ferr, ku tashmë e kanë”.

Dhe për ta parë këtë ferr, mjafton të futesh brenda “Magazinës 18”, numër i kobshëm gjaku ky, sipas letrave napolitane. Se kur futesh aty, nuk ka sesi të të mos ngjallin aq e aq kujtime të hidhura ato rraqe të vjetra, hedhur rrëmujshëm prej një kohe të gjatë dhe të brejtura nga minjtë e nga molat, por që edhe ashtu si janë, flasin me gjuhën e asaj që ka ndodhur.

Exit mobile version