Nga Blendi Lami
Libri “Filozofia e Gjeopolitikës” nga autori Ardit Gjinali ofron një vështrim të thelluar mbi proceset politike, gjeopolitike dhe integruese që ndikojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe kryesisht në Shqipëri. Ky koleksion esesh përçoi tek unë një përshtypje pozitive për shkak të qasjes vizionare të autorit dhe analizës së mprehtë për sfidat e sotme jo vetëm rajonale por edhe globale. Mund të veçoj pesë teza nga ky libër: rëndësia e shkollës së mendimit evropian në Shqipërinë; integrimi evropian si proces i domosdoshëm për Ballkanin Perëndimor; kritika ndaj nismës së Ballkanit të Hapur; roli i fuqive evropiane në nxitjen e bashkëpunimit rajonal; dhe ndryshimet e gjeopolitikës në nivel global. Këto teza pasqyrojnë shqetësime, vizione dhe potenciale të shumanshme për zhvillimin politik dhe ekonomik të rajonit. Në vijim, do të komentoj shkurtimisht secilën prej tyre.
Së pari, Gjinali argumenton se kultivimi i mendimit evropian është jetik për të ardhmen e Shqipërisë, pasi ky mendim simbolizon avancimin drejt demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe integrimit kulturor. Duke u shkëputur nga ndikimet historike si sundimi osman dhe regjimi komunist, sipas tij Shqipëria mund të krijojë një bazë të re mendimi që i përshtatet sfidave moderne. Ky proces nuk është i thjeshtë, por ai është thelbësor për ta pozicionuar vendin tonë në strukturat evropiane dhe atlantike.
Në vijim të logjikës së autorit, megjithëse ideja e kultivimit të mendimit evropian është e rëndësishme për Shqipërinë, zbatimi i këtyre parime në një realitet shqiptar ku institucionet shpesh përballen me korrupsion, mungesë të sundimit të ligjit dhe polarizim politik, mbetet sfidues. Për më tepër, nëse kultivimi i këtij mendimi mbetet vetëm në nivel teorik ose në nivele elitare, pa përfshirjen e plotë të shoqërisë, ai do të ketë ndikim të kufizuar.
Megjithatë, Gjinali meriton vlerësim për sjelljen e një perspektive që lidh progresin e Shqipërisë me përqafimin e mendimit evropian, duke sfiduar status quo-në dhe trashëgimitë e dëmshme historike. Si përfundim të këtij argumentimi të parë, mund të theksoj se kjo tezë hap një diskutim të domosdoshëm mbi mënyrën sesi Shqipëria mund të ndërtojë një identitet të bazuar në vlera demokratike dhe bashkëkohore, ndërkohë që duhet të distancohet nga përvojat e së shkuarës.
Së dyti, në këtë libër theksohet qartë se integrimi evropian mbetet shtylla kryesore për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit përmendet si një nismë që ofron një platformë të sigurt për avancimin e reformave, duke inkurajuar bashkëpunim rajonal dhe respektim të standardeve evropiane. Gjinali vë në pah se kjo është një rrugë pa kthim, e cila jo vetëm që forcon demokracitë e brishta të rajonit, por gjithashtu i mbron ato nga ndikime të huaja destabilizuese.
Megjithatë, vlen të theksohen disa pika: integrimi evropian shpesh shoqërohet me varësi të rajonit nga mbështetja financiare dhe teknike e BE-së, gjë që mund të pengojë zhvillimin e një vetëqëndrueshmërie të vërtetë dhe të shtyjë rajonin të ndjekë reformat më shumë për përfitime të jashtme sesa për përmirësim të brendshëm; edhe pse Procesi i Berlinit ofron një platformë për bashkëpunim, ngadalësia e procesit të integrimit mund të shkaktojë zhgënjim te vendet e Ballkanit Perëndimor; dhe rruga drejt integrimit shpesh nuk arrin të përfshijë mjaftueshëm aktorët lokalë, duke rrezikuar që reformat të mbeten vetëm në nivel qeveritar.
Nga ana tjetër, siç nënvizohet qartë edhe nga autori, Procesi i Berlinit ka meritën e organizimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe promovon bashkëpunimin ndërkufitar në fusha kritike si ekonomia, infrastruktura dhe politika sociale. Përmes standardeve evropiane, vendet e rajonit fitojnë një kuadër solid për të adresuar çështje si korrupsioni, pavarësia e institucioneve dhe sundimi i ligjit. Për më tepër, integrimi ndihmon në kufizimin e ndikimeve negative nga fuqi të tjera që synojnë të shfrytëzojnë dobësitë politike dhe ekonomike të rajonit.
Së treti, autori shpreh skepticizëm të thellë ndaj nismës së Ballkanit të Hapur, teksa e cilëson atë si një projekt me agjenda të dyshimta dhe liderë autokratikë. Ai argumenton se kjo nismë shpesh u përdor për të devijuar vëmendjen nga reformat thelbësore dhe për të relativizuar prioritetet evropiane. Duhet të theksoj se tashmë kjo është një nismë e perënduar, siç parashikon mes rreshtave ky studiues i gjeopolitikës.
Edhe pse Gjinali kritikon nismën e Ballkanit të Hapur, nuk mund të mohohet se në parim kjo nismë kishte potencial për të lehtësuar tregtinë dhe për të përmirësuar lidhjet ekonomike në rajon. Ndonëse tashmë e falimentuar, siç u përmend më sipër dhe siç e ka parashikuar autori, ndërsa Ballkani i Hapur kishte mangësi të theksuar, ajo mund të shërbente si një urë për përfshirjen e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë për të nxitur zhvillimin rajonal. Sidoqoftë, çfarëdolloj merite t’i jap unë për hir të luajtjes së rolit të kritikut, pa Kosovën në të, kjo nismë ishte e destinuar për dështim.
Mirëpo, Gjinali meriton lavdërime për evidentimin e tendencave autokratike të disa liderëve që promovuan Ballkanin e Hapur, duke theksuar nevojën për transparencë dhe demokraci në bashkëpunimet rajonale. Gjithashtu, vlerësimi i fokusit të autorit në domosdoshmërinë e një qasjeje të barabartë dhe të drejtë në bashkëpunimet rajonale është një aspekt rrit integritetin dhe qëndrueshmërinë e këtyre nismave. Këtë pikë mund ta lidh drejtpërdrejt me titullin e këtij koleksioni: Ballkani i Hapur nuk kishte kuptim gjeopolitik, por këtu nuk është hapësira për një trajtim më të plotë të këtij fenomeni.
Së katërti, Gjinali nënvizon se aktorë si Polonia, Çekia dhe Austria kanë një rol thelbësor në promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe euro-integrimit. Shembulli i Vishegradit dhe përvoja e tij historike tregon se bashkëpunimi dhe ndarja e eksperiencave mund të jenë mjete të fuqishme për të kapërcyer sfidat e Ballkanit Perëndimor. Duke u mbështetur në solidaritet dhe diplomaci, këto vende mund të ndihmojnë rajonin në përballjen e ndikimeve destabilizuese nga aktorë të jashtëm si Rusia.
Ndërsa me të drejtë Gjinali thekson rolin pozitiv të Polonisë, Çekisë dhe Austrisë, mund të argumentohet se ndikimi i tyre është i kufizuar në krahasim me aktorë më të fuqishëm si Gjermania dhe Franca – dhe sigurisht SHBA – në kuadër të sigurisë euroatlantike. Kjo mund të kufizojë efektivitetin e këtyre vendeve në Ballkan. Vendet e përmendura shpesh kanë qasje të ndryshme ndaj vetë politikave evropiane dhe rajonale, gjë që mund të dobësojë koordinimin dhe ndikimin e tyre në promovimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkan. Në fakt, edhe këto vende nuk janë plotësisht të imunizuara ndaj presioneve të jashtme, duke përfshirë ndikimin ekonomik të Kinës ose sfidat politike brenda BE-së, të cilat mund të ndikojnë negativisht në përpjekjet e tyre për të mbështetur Ballkanin.
Sidoqoftë, Gjinali vë në pah grupin e Vishegradit si model për bashkëpunim rajonal. Ky grup tregon se ndarja e eksperiencave dhe bashkërendimi mund të ndihmojnë në kapërcimin e sfidave politike dhe ekonomike. Autori meriton vlerësim për theksimin e rolit të këtyre vendeve në përballjen me ndikimet destabilizuese nga Rusia, duke ofruar një zë të fortë në mbrojtje të demokracisë dhe stabilitetit.
Së pesti, autori thekson tezën e ndryshimeve të gjeopolitikës në nivel global. Konflikti në Ukrainë dhe transformimet globale janë temat kryesore të analizës së Gjinalit për ndryshimin e rendit botëror. Ai thekson se kufijtë dhe sfidat e tyre të paqartë vazhdojnë të jenë burim konfliktesh. Një rend i ri botëror, sipas tij, duhet të mbështetet në bashkëpunim të ndërvarur, duke inkurajuar barazinë midis vendeve dhe duke shmangur politikat hegjemoniste. Perspektiva e tij reflekton nevojën për një qasje më të drejtë ndaj stabilitetit dhe sigurisë globale.
Këtu mund të nënvizoj se, edhe pse Gjinali thekson rëndësinë e një rendi botëror të bazuar në bashkëpunim dhe barazi, mund të argumentohet se kjo qasje idealiste është vështirë të realizohet në një botë të dominuar nga interesa kombëtare dhe pabarazi ekonomike të thella. Nga ana tjetër, Gjinali meriton vlerësim për evidentimin e rëndësisë së bashkëpunimit midis vendeve. Ai ofron një analizë të vlefshme për rolin e kufijve dhe sfidave të tyre si shkak kryesor i konflikteve, duke nxjerrë në pah rëndësinë e zgjidhjeve diplomatike dhe respektimit të sovranitetit. Vizioni i tij për një botë më të drejtë dhe të balancuar është një thirrje që nxit reflektim dhe përfshirje nga aktorët globalë për të adresuar pabarazitë dhe politikat hegjemoniste.
Përmes këtyre analizave, në koleksionin te eseve “Filozofia e Gjeopolitikës”, autori Ardit Gjinali ofron një kontribut të vyer në kuptimin e sfidave dhe mundësive që lidhen me integrimin, stabilitetin dhe ndryshimin global. Këto sfida dhe mundësi nxisin reflektim dhe veprim konkret për të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit.