Nga Albert Vataj
Tani që mbaj “Njeriu si një tjetër”, të shtrënguar në kraharor, si një përjetim i fuqishëm emocional, mëkuar hyjshëm prej leximit, cak i një ngulmimi të hovshëm të zotërimit të gjendjes, më vjen si një pështjellim ndjesia, “po sikur” ky libër, sikur guximi i Natasha Lakos për t’i mbledhur gjithë këto shkreptima drite, të mos ishte formalizuar, sikur këto pishtarë të flakërimtë, të mos mund ta dëbonin terrin rrethkujisës.
Sa herë më trand mendimi; se ka libra që vdesin pa lindur; ka vullnete krijuese që fiken pa u ndezur; ka zemra që murohen, pa mundur t’i hukasin sythit të dëshirimit në një mot cerge; kaplohem prej një ndjenje paniku, dhe nxitoj të gjej mes të pamundurave të krijuesve, atë më tronditësen, arratisjen nga thirrja shpirtërore dhe degdisja në një botë harrimtare, të asaj copëze hyjnimi që shuhet si një kambanë e largët.
Por, deshti Zoti dhe ai akt i shenjt i leximit, që ky altar devocionesh të epërme të ngrihej para të lartit gjunjëzim të lutjes, dhe të vinte në jetë copëzat e atyre kumtimeve, të cilat të shpërndara prej një shpërthimi të kohës dhe mosinteresimit, të bashkohen, të vijnë për të sendërtuar një qenie, për të frymuar një gjallim, për të dëshmuar meritimin e një pulsi në etjen për ritëm.
Kjo pasuri kaq e madhe shprehëse që na ofrohet nga Natasha Lako përmes librit, “Njeriu si një tjetër”, si në dhuratë prej duarve të shpërblesave të larta drejtuar kah ne, cytur në gjithëtekstshkrimin e mëtuar si një mëkim, që është edhe pasuri e shpresës e një devocioni i hyjt në letërsi, në muzikë, në pikturë, në kinematografi, në koreografi, gjen krisje e na mbush me gjithëgjasshmërinë e ngjarjeve të mëdha të shpirtrave që epen e blatohet një ngulmimi të qiellt, kah feksia e territ të pafundësisë pikon dritë.
Sipas autores, por edhe prejkah epja lexuese na ngas, në këtë libër ka shkrime që e kanë nisur botimin prej vitit 1996, si dhe shënime të pabotuara që po shfaqen për herë të parë. Por, kronologjia sipas vitit të botimit të shkrimeve të ndryshme që lidhen me ngjarje artistike letrare, nuk e tejkalon dot kronologjinë e një trashëgimie që udhëton deri në ditët tona nën shkëlqimin e humanizmit evropian, që te shqiptarët mori rrugë prej Marin Barletit, Gjon Buzukut e për të arritur te të gjithë punëtorët e gjuhës shqipe dhe te të gjitha arritjet botërore, si kërkim individual artistik në shprehjen e një riqytetërimi të vazhdueshëm. Këtë e dëshmon edhe loja aktoreske që mban gjallë vepra të pavdekshme. Të bisedosh me autorë të periudhave të afërta ose të largëta, por edhe me lexuesin e sotëm, nuk do të thotë se merr përsipër punën e një lajmësi të vonuar, pasi nuk ka vepër që nuk jep gjithnjë rilexime të reja, si zbulime që vijnë prej gjendjes ku lexuesi vendos veten. Njeriu vjen si një tjetër njeri, si pasojë e lirisë së identifikimit të pafund në një udhëtim shekullor që vjen deri në ditët tona. Por, edhe të mësohesh me veten nuk është e lehtë.
“Njeriu si një tjetër” i Natasha Lakos, nuk është vetëm një përmbledhje me shkrime të publikuara dhe jo, është një ardhje lajmëse e së bukurës, në një qasje për ta pranuar të kapesh nga magjia e një poetike rrëfimtare dhe shtjelluese, e pashoqe.
Tekstet e poetes janë një dëshmim i epërm i trajtimit të mendimit si shtjellim, i cili në paralelizëm ose në kumtim të veçëm, përcjell te lexuesi një panoramim dehës dhe shterues i autorëve dhe veprave, në qendër të së cilës është poezia, ëma e ligjërimit të shpirtit. E kush më hirshëm se një poete dhe një penë që stoliset nga figurshmëria dhe metafora, mundet ta sjellë në jetë një manifestim të tillë, tek i cili ne njihemi në një dimension të ri me autorë dhe me krijime.
Nis ky eksplotim në “Bogdani dhe Herakliti..”, “Naim Frashëri dhe Uollt Uitman”, “Tri letra për “Rapsodia e këngëve arbëreshe”, “Hasan Tahsin & Hoxha Tahsin”, “Perpetuum mobile, ose dashuria për shkronjën”, “Asdreni dhe shteti mendor…”, për të vijuar me trajtesat brilante të Natasha Lakos; “Të jetosh dhe të ekzistosh, si Sevasti”, “Mjeda & Sibelius”, “De Radë dhe Xhejms Xhojs”, “S.P.I.R.I.T.U.S”, “Nga Arshi Pipa te Betim Muço, Fatos Lubonja dhe Jan Myrdal”, “Dori dhe Teodori”, “Dhe me parzmore kaltërsish!”, “Piktorë, trinitet, supermarket”. Është e gjihë kjo ai konstelacion yjesh që vijnë në këtë shpërthim të madh për të pasuruar galaktikën e zotërimeve tonë për letërsinë, poezinë, të bukurën dhe si nën efektin e një shkëlqimi të vezullimtë të fjalës së shpirtit.
Vijon ky manifestim ekselent i asaj marrëdhënie që autorja rreket të strukturojë me lexuesit, me: “Të ndaluar, të pandaluar, të larguar”, “Moikom Zeqo dhe “Golgota e fluturave”, “Poezia e Agim Matos dhe erërat e Poseidonit”, “Tirana dhe Pirandelo”, “Rreth e qark Medeas”, “Riqytetërimi”, “Nga koha e komisarëve, në kohën e komisionarëve”, “Të vërtetat e çnjerëzores dhe denatyrales”.
Për të përfunduar me të tjerë xhevahirë të këtij akti që shkaset nga krijimi për të krijuar një “Dita ime e Sofia Kopolas”, “Fletë muzikore”, “Tremb dhe trondit”, “Romani, ky produkt i parë borgjez shqiptar”, “Mirënjohje për poetët shqiptarë që i kënduan dashurisë”, “Shtojcë nga poezia e të heshturave, më të pareshtura”, “Nobelizmi dhe antinobelizmi poetik”, “Koha e dialekteve ose përjetësia nr 2”, “Shekspiriotë dhe shekspirianët”, “Çelësat e gjuhës së Migjen Kelmendit”, “Qytet dhe kryeqytet”, “Kukulla” na shoqëron në datëlindjen e Kadaresë”, “Një pikë e zbehtë blu”.
Përkushtimi për ta ofruar gjithëdijen në një univers që na josh të gjithëve, si në një magjepsje, e bën Natasha Lakon jo vetëm një eseiste të kalibrit ndër shqipshkrues, por edhe një përulësi përkorjeje, që ajo i ofron këtij altari ku të gjithë vijmë me lutje dhe ikim me shëlbim.
“Ndonjëherë, lexuesi e ka më lehtë të lidhë krijimtarinë me perceptimet kolektive, kur vetë themelet krijuese të saj shkëlqejnë në shfaqjen e botës personale të njeriut, në dëshirim, në përballje e fitore; perceptime që nuk prekeshin lehtë dhe thellë në periudhën e një kolektivizimi të përgjithshëm mendor, të atyre periudhave shekullore që u ngritën në piedestal gjatë totalitarizmit, i cili filloi të shembej vetëm në fillim të viteve ’90.” është ajo çfarë e përafron komunikimin e Lakos me atë gjenerim të nevojës për t’u përfshirë në aktin sublim të përfshirjes jo vetëm në lexim si një dialektologji hijerëndë akademike, por në përjetimin e mrekullimit të iluminizmit si në një ceremonial të hyjshëm drite qiellore.
Duke ndaluar tek rileximi, Lako pohon me dlirësinë e një shpirtjeje blatimi të epërm, si kjo qasej “ka sjellë më pranë ato botë që mund të quheshin të largëta, vetëm se autorët nuk kanë pasur rast ta njohin njëri-tjetrin. Leximi afron botë të ndryshme, siç afron edhe aktorët, të cilët gjejnë gjithnjë një vete tjetër në rolet që janë krijuar nga autorë, gjer edhe të lashtësive.
Nëse hyjmë në botën e pikturës, njeriu nuk shfaqet i njëjtë te portreti dhe tek autoportreti. Të gjitha këto duken si shenja të vetëlëvizjes së këtij rruzulli tokësor, ku interpretimi artistik i takon shprehjes më të lartë, por, ku riinterpretimi i vetes, gjithnjë e më tepër, shfaqet si një tjetër, deri te përdorimi i silikonit.”
Rrugëtimi në këtë botë ku zëri i poetikës i hedh shpirtit puhiza yjësish për ta stolisur, është jo tamam si një udhëtim imagjinar, edhe pse fjala e lëmuar dhe mylmimi hyjnor i dritës së dijes i shndërron këtë skena në tempujt kah madhërishëm zbresin perënditë e lashta dhe vetëtimshëm kapërthejnë qiellin shpërthime vezulluese.
Në një përafri të çfarë e ngas arsyen e secilit prej interesimeve tona, Natasha Lako të merr përdore për të të treguar kah kalohet brenda këtij labirinti kur shprehet në parathënie se “Nga këto shkrime të vendosura një njëra pas tjetrës, edhe unë ndiej se sa të çmuara janë udhëtimet e njeriut në botën e madhe të letërsisë dhe artit, ku gjithkush gjen një vete tjetër, duke u shëruar gjithnjë e më shumë nga uni agresiv që shfaqet në sistemet e komunikimeve të shpejta. Sa më të rëndësishme bëhen fatet kolektive për historinë e një vendi, aq më shumë ato ndërlidhen me fatet personale nga njëri skaj në skajin tjetër të botës.” Kësisoj ne kapin fillin inkandeshent që thur atë cohën e hollë të prehjes dhe përmendjes, që autorja rreket të shpërfaqë në këtë ngulmim për t’i folur të gjithëve dhe për t’u pranuar prej të gjithëve.
Më shumë se si një estete, Lako vjen në faqet e kësaj përmbledhjeje, si një përzemërsi e ngrohur në diejt e gufimit të harbimeve të gjallnisë, vjen si dashamirësi që buron nga zemra e saj prej nëne dhe mendja e dritur. Nisur si një zëshmëri e aktit të hyjshëm të leximit, Natasha Lako, goxon të pretendojë dhe të përafrojë çdo gjasshmëri, të ligjërojë përmes saj, si kah një vullnet që nuk vjen të heq pingule mbi paralele, por të bëjë shkrimin si dhe leximin një prekje hyjnore. Ne meritojmë të jemi të shpërblyer kaq bujarisht nga “Njeriu si një tjetër” dhe të shprehim përulësisht mirënjohjen për këtë mundësi.
Natash Lako na lutet të lexojmë, për të pasuruar botën tonë, por edhe për ta bërë më të begatuar dritash çdo kontakt me artin, me sublimen e shpirtit që del prej thellë forcës së krijimit për të na ushqyer me mrekullim.