Opozita ka shprehur dje rezervat e saj në lidhje me ligjin për organizimin e Prokurorisë, ndërsa ka shprehur shqetësimin mbi ngërçet që krijon ky ligj në funksionimin e organit të akuzës, si dhe dobësimin e rolit të prokurorit të Përgjithshëm. Janë 6 çështje thelbësore që ekspertët demokratë propozuan për ligjin që sipas tyre nuk u morën parasysh nga mazhoranca. Nënkryetari i Komisionit të Reformës të Drejtësisë, Oerd Bylykbashi foli për përkeqësim të ligjit për Prokurorinë.
“Ligji shkon dhe përkeqëson rolin e prokurorit të Përgjithshëm, duke dobësuar dhe çuar gravitetin tek drejtuesit e prokurorive të rretheve, gjë që nuk është parashikuar nga Kushtetuta. U përpoqëm që të përmirësojmë maksimalisht defektet që ka drafti i paraqitur në Komision. Ligji shkon dhe përkeqëson rolin e prokurorit të Përgjithshëm duke dobësuar, çuar gravitetin tek prokurorët e prokurorive në rrethe. Kjo nuk është parashikuar në Kushtetutë. Mazhoranca refuzoi që të bënte atë që bëri dje në lidhje me ligjin për SPAK që të kishte një dispozitë transitore që do të rregullonte vazhdimin e prokurorit të Përgjithshëm deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Me pretendimin se ky tranzicion do të ishte antikushtetues, kjo bie ndesh me atë që bëmë dje”, tha Bylykbashi.
Të hënën pritet që ky ligj të votohet edhe nen për nen. Ekspertët demokratë në opinionin e tyre konstatojnë se ligji i ri tkurr ndjeshëm kompetencat e prokurorit të Përgjithshëm, duke e shndërruar vetëm në një funksion që mbledh statistika, i paaftë të ndikojë në rritjen e performancës së Prokurorisë si sistem. E drejta e kontrollit për korrektësinë e zbatimit të udhëzimeve të tij, sipas demokratëve nuk i njihet kryeprokurorit, por Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Gjithashtu demokratët nuk bien dakord mbi rregullat e organizimit të brendshëm të organit të Prokurorisë. Në opinion ata vlerësojnë se kanë marrë peshë specifike dhe vendimmarrëse më të madhe drejtuesit e prokurorive të rretheve, ndaj sipas tyre një parashikim i tillë ka potencial të lartë rreziku për të dezintegruar Prokurorinë, në “ishuj” të pavarur pushteti brenda Prokurorisë. Demokratët në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, kërkuan dhe rishikimin e kritereve të emërimit të prokurorit të Përgjithshëm.
Ligji nuk i jep zgjidhje rrezikut për bllokim institucional të Prokurorisë
PD vlerëson se ky ligj duhet t’i japë zgjidhje tranzitore edhe situatës së krijuar me organin e Prokurorisë, dhe rrezikun për bllokim institucional. Konkretisht, projektligji, në përputhje me nenin 178 të Kushtetutës, duhet të parashikojë një rregull tranzitor mbi mënyrën e ushtrimit të kompetencave të KLP deri në fillimin e funksionimit të këtij institucioni. Është e nevojshme që të specifikohet se rokurori i Përgjithshëm ushtron të gjitha kompetencat e tij, që me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së re i kanë kaluar KLP, deri në fillimin e funksionimit të këtij organi.