Reforma është antonim i Rilindjes

Tragjikomedi! Kryeministri Edi Rama, potencialisht viktima numër 1 e Reformës në Drejtësi, ka vënë kujën se Partia Demokratike po ia vonon ditën e përballjes me ligjin. Përpjekja e tij e pasuksesshme për të çertifikuar në kancelaritë e institucioneve europiane dhe amerikane drafte antiligjore, antikushtetuese dhe antiperëndimore të Reformës në Drejtësi të përgatitura nga shërbëtorët e tij të zellshëm e ka vënë Ramën në ankth, e ka zhytur në krizë. Me justifikime absurde, Rama i kërkon Partisë Demokratike të votojë symbylltas një paçavure, që nuk ndryshon asgjë në sistemin e drejtësisë, por është qartazi një rikthim “de facto” në drejtësinë e sistemit komunist. Kësaj radhe nuk është parashikuar të fshihet Ministria e Drejtësisë, as shkrirja e profesionit të avokatit, por është garantuar që drejtësia të vihet nën drejtimin e plotë të Edi Ramës dhe kontrollin e organizatave bazë të Partisë Siçiliste. Ndryshe nga ajo kohë të gjithë do të jenë juristë, por të gjithë nga lista e Fatmir Xhafës, njëherazi kontigjentë të Sigurimit famëkeq të Shtetit dhe shërbëtorë të verbër të Rilindjes.
Edi Rama nuk e do Reformën në Drejtësi. Alergjia që ka nga reformat, e bën atë që të rikthehet dhe inspirohet tek e shkuara. Vetëm tek drejtësia komuniste, Rama gjen qetësi për modelin e shtetit të inkriminuar që ka instaluar dhe stilin e tij autokrat dhe abuzues. Për Ramën, Reforma në Drejtësi është thjesht rilindje, ku polici, prokurori, gjykatësi dhe gardiani i burgut janë nën urdhrat e tij dhe i binden verbërisht liderit. Aktualisht, Rama nuk i kontrollon të gjithë prokurorët, nuk i kontrollon të gjithë gjykatësit, por policët e tij janë rilindas të kulluar, që përdorin edhe përgjues për të shantazhuar prokurorët dhe gjykatësit që nuk i binden urdhrit të shefit. Kur i duhet nxjerr edhe Erin e Bashkisë për të rrethuar gjykatën me policë bashkiakë dhe banditë rrugësh.
Drejtësinë në Shqipëri Rama e shikon si pengesë, kërcënim për pushtetin e tij kriminal dhe korruptiv, ndaj draftet e tij janë gjithnjë e më afër rikthimit në një sistem ku drejtësia është krim, është avokati për kriminelët, abuzuesit, grabitësit, vrasësit. Nuk mund të jetë ndryshe kur nëntëmbëdhjetë deputetë të tij në Parlament janë kontigjentë të krimit, kur zyrtarisht ka dhjetëra vrasës dhe trafikantë në krye të pushtetit lokal, kur ka 130 drejtues të rëndësishëm në mbarë vendin që janë të dënuar për krime të rënda.
Një drejtësi e pavarur, me standardet perëndimore, e shpërndan Parlamentin, e dërgon Ramën në burg, e hedh Rilindjen në koshin e plehrave. Rama nuk mund të pranojë një draft reforme, një strukturë të sistemit të drejtësisë që i rikthen Prengën në burg, që i rikthen Bushin, Roshin dhe Bardhin në qeli. Ai nuk do një sistem që i lë Shullazin në burg apo i mbyll shtigjet e lirisë Frrokut dhe Balilajt. Ai do prokurorë dhe gjykatës në rresht sikurse ka skuadrën e kanabistëve në Policinë e Shtetit, sikurse ka ministrin e Brendshëm shofer personal të kryetrafikantëve.
Dje dy vajza, njëra 20 dhe tjetra 12 vjeç, dëshmuan publikisht se janë të kërcënuara nga krimi që ka marrë dhenë, e sipas qeverisë rritet nga viti në vit me 75 për qind. Kriminelët janë rilindasit përdhunues dhe pedofilë që Rama ka zgjedhur për të ndarë pushtetin e tij. Si këto dy vajza janë gjithandej shqiptarët e thjeshtë që janë nën mëshirën e bandave. Dikush që nuk paguan faturën e dritave apo rregullon pa leje tjegullat e çatisë mund të burgoset, të varet lirisht në qeli apo të humbë fëmijët në gropat e korrupsionit, por Rama, Tahiri, Prenga, Bushi dhe Roshi që grabisin me miliona çdo ditë, që mbulojnë me kanabis Shqipërinë, që vrasin në komisariat të policisë janë të plotfuqishmit në këtë vend.
Të thotë Rama që dua Reformë në Drejtësi, është njësoj sikur shqiptarët e thjeshtë të thonë që duam të na ringjallet Enveri. E kundërta është e vërtetë. Ndaj Partia Demokratike nuk mundet të braktisë shqiptarët, për më tepër kur një Kryeministër i inkriminuar ka dëshmuar se për çfarë e do kontrollin e drejtësisë dhe shqiptarëve ju ka shkuar thika në palcë nga drejtësia e munguar. Mungesa e drejtësisë vonon çlirimin e shqiptarëve nga ky regjim kriminal dhe kusar, vonon integrimin e vendit në BE. Ndaj është e rëndësishme që Reforma në Drejtësi të jetë e pastruar nga fëlliqësirat e rilindasve, që mos të mbulojmë edhe hundët, sikur na kërkohet të mbyllim sytë dhe veshët përballë zullumeve të përditshme të koalicionit të qelbësirave.

Artikulli paraprakVdekja e Monsinjor Luçjano Avgustinit, ceremoni lamtumire në Vaun e Dejës
Artikulli tjetërVjedhje masive e OSHEE me faturat e energjisë elektrieke