Reforma, ndërkombëtarët rol rekomandues pranë vettingut

Pas një komunikimi intensiv të Kryetarit të PD, Basha me partnerët europianë dhe amerikanë pika kyçe që ndante palët në lidhje me rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vettingut gjeti zgjidhje në mbështetje të propozimit të bërë nga Partia Demokratike. Ka qenë pikërisht kjo pikë e mbështetur dhe e rekomanduar dje drejtpërdrejtë nga Bashkimi Europian, i shprehur në një letër të Komisionerit të BE, Johanes Hahn drejtuar liderëve politikë në vend që ka detyruar Ramën të tërhiqet nga bllokimi i arritjes së një marrëveshjeje mbi reformën. Shprehimisht, komisioneri Hahn hoqi çdo dyshim mbi qendrimin e BE për Reformën në Drejtësi si dhe çështjen mbi të cilën u ngrit ngërçi midis palëve, e që kishte të bënte me procesin e vettingut si dhe rolin e ndërkombëtarëve në këtë proces. “Roli i Operacionit Ndërkombëtar Monitorues (ONM) duhet të ketë një bazë solide brenda në Kushtetutë. E rikonfirmoj, ashtu siç jemi shprehur edhe gjatë diskutimeve se, ONM do të japë vetëm rekomandime, të cilat nuk janë të detyrueshme ligjërisht”, citonte Hahn. Pas letrës së Hahn, ka qenë i menjëhershëm reagimi i Kryetarit të PD Basha, i cili deklaroi votat pro të grupit parlamentar të Partisë Demokratike ndaj draftit. “Kjo betejë ka përfunduar. Unë jam sot këtu për t’u deklaruar shqiptarëve që Partia Demokratike është e gatshme që nesër të bashkojë votat në Parlamentin e Shqipërisë me draftin kushtetues të versionit hibrid, si të miratuar të hënën në darkë me dy çështjet e zgjidhura sipas dakordësisë me komisionerin Hahn”, u shpreh Basha në një dalje për mediat. Basha nuk zbardhi detaje nga komunikimet me ndërkombëtarët, por theksoi se dakordësia erdhi pas komunkimit të fundit me Komisionerin për Zgjerimin, Johanes Hahn. “Pas komunikimit më të fundit, të rakorduar përmes komisionerit të Zgjerimit, Johanes Hahn, është rënë dakord se roli i misionit ndërkombëtar do të jetë një rol rekomandues, vendimmarrja mbetet tërësisht në duart e institucioneve shqiptare dhe kjo do të mishërohet në Kushtetutën e Shqipërisë, me një dispozitë tranzitore. Po kështu, nuk do të përjashtohet asnjë qytetar shqiptar nga konkurrimi mbi bazën e hamendësimeve, opinioneve, por vetëm mbi bazën e fakteve dhe provave sipas ligjit”, bëri të ditur Basha. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta përshëndet vendimin e Partisë Demokratike. Duke e cilësuar konsensusin si një arritje historike. Meta i shprehu mirënjohjen Komisionerit të BE për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn. “Përshëndes vendimin e Partisë Demokratike. Konsensusi është një arritje historike. Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen për Komisionerin e BE për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn. Miratimi i Reformës në Drejtësi është një sukses dhe një arritje për të gjithë shqiptarët”, vlerësoi Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. I zymtë në reagimin e tij pas arritjes së marrëveshjes dhe deklaratës së Bashës ishte Rama. Në një deklaratë për mediat, Rama u shfaq me humor të trazuar, ndërsa përshëndeti qendrimin e Partisë Demokratike të deklaruar nga kryetari  Basha. Përfundimisht, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, OMN do të ketë rol rekomandues pranë procesit të vettingut në lidhje me Reformën në Drejtësi. Ky ishte edhe propozimi i bërë prej kohësh nga Partia Demokratike në përputhje me rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias. Parlamenti do të ndërmarrë sot me konsensusin e të gjitha palëve një nga vendimet më të mëdha në këto 25 vite, miratimin e Reformës në Drejtësi.

Çfarë propozoi PD dhe rekomandimi i Venecias

Propozimi i Partisë Demokratike ishte në përputhje të plotë me rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias. Në rekomandimin e Komisionit të Venecias në opinionin final thuhej se, roli i ndërkombëtarëve duhet të ishte thjeshtë dhe vetëm si vëzhgues, ndërkohë që pjesa e marrjes së vendimeve i kalonte autoriteteve shqiptare. “Kompetencat do të konfirmojnë pozicionin e vëzhguesve ndërkombëtarë si rojtarë që sigurojnë veçanërisht transparencën e procesit, ndërkohë që pushteti vendimmarrës të mbetet në duart e organeve vendase (paragrafi 73). Pushteti i vëzhguesve ndërkombëtarë duhet qartësuar; ata duhet të kenë të drejta proceduriale, por asnjë pushtet vendimmarrës (rekomandimi i paragrafit të famshëm 88)” thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias. Në të njëjtën frymë me Komisionin e Venecias, Partia Demokratike bëri propozimin e saj në lidhje me rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. “Vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. 1) kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. 2) kanë të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni 3) kanë të drejtë të dorëzojnë pranë Komisionit ad hoc dokumentacion në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit, 4) Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë. Raporti i vihet menjëherë në dispozicion çdo deputeti përpara se të fillojë votimi dhe përzgjedhja e kandidaturave. 5) Kuvendi voton për kandidatët që nuk kanë asnjë njollë”, thuhet në propozimin e Partisë Demokratike. Palët tashmë kanë gjetur dakordësinë për adaptimin e këtyre propozimeve në draftin hibrid të propozuar nga Viktoria Nuland pak ditë më parë në vizitën e saj në Tiranë, enkas për Reformën në Drejtësi.

Arben Shahini

Artikulli paraprakBerisha: Një fitore e parimeve të larta të një drejtësie të pavarur!
Artikulli tjetërNuland apel për miratimin e reformës