Reforma në Drejtësi, kontrolli i emërimeve nga struktura të pavarura, jo nga qeveria

Mazhoranca dhe opozita kanë gjetur dakordësinë për ligjin e SPAK-ut, njësisë së posaçme hetimore, e cila do të ngrihet në kuadër të ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Në përfundim të mbledhjes së Komisionit të Posaçëm, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi deklaroi se, shumica e propozimeve të opozitës kishin gjetur dakordësinë e ekspertëve të OPDAT dhe EURALIUS.
Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, demokratët depozituan një opinion me 31 faqe, shumica e të cilave u pranuan edhe nga ekspertët ndërkombëtarë të OPDAT-it dhe EURALIUS-it. Pas mbledhjes, nënkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi tha se shumë prej çështjeve të ngritura nga opozita, që binin ndesh me Kushtetutën e që sipas demokratëve, kanë të bëjnë me ndërhyrjen e qeverisë dhe kontrollin prej saj të gjykatave speciale dhe SPAK-ut, morën zgjidhje. Sipas Bylykbashit, e vetmja pikë që pritet të rishikohet nga palët ditën e nesërme ka të bëjë me procedurat që garantojnë pavarësinë e këtyre strukturave.
“Pothuajse e mbyllim diskutimin me ligjin për SPAK që përfshin edhe njësinë e posaçme hetimore. Ajo që është më me rëndësi, duke konsideruar të gjitha ato vërejtje që ne ngritëm, ku disa prej tyre ishin me rëndësi themelore, pasi ishin në përplasje në raport me Kushtetutën, ne arritëm të zgjidhim pjesën dërrmuese, duke gjetur dakordësinë e ekspertëve ndërkombëtarë të EURALIUS dhe OPDAT. Kemi gjetur zgjidhje për këto çështje”, tha Bylykbashi.
Opozita propozon që këto struktura të jenë të pavarura dhe kërkon ngritjen e një komisioni ad hoc, i cili do të bëjë shqyrtimin në përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatave/prokurorive të posaçme, hetuesve të Njësisë së Posaçme Hetimore, si dhe punonjësve të tjerë të këtyre organeve kushtetuese. Projektligji për SPAK-un është një nga 6 nismat, që duhet të miratohen deri në fund të shtatorit nga Parlamenti.
“Mbetet ende një çështje e rëndësishme për t’u riparë, por edhe për këtë është rënë dakord në parim me ekspertë ndërkombëtarë. Është një çështje e hapur që ka të bëjë me procedurat që garantojnë pavarësinë e këtyre strukturave dhe praktikisht do të hiqnin rolin e organeve të kontrolluara nga ekzekutivi në fazën e kontrollit të emërtesave që shkojnë tek këto institucione. Ne propozojmë që të jenë struktura të pavarura nëpërmjet një formulimi që të jetë një komision ad hoc, i cili do të bëjë shqyrtimin, por që nuk do të jetë nën kontroll nga qeveria”, tha Bylykbashi.
Dy ditë më parë, Bylykbashi bëri të ditur se 6 ligjet do të kalojnë me dy faza. “U diskutuan 6 ligjet, me qëllim që të jetë diskutim i shëndetshëm, real. Që ndryshimi të bëhet me dy faza. Siç është ligji për SPAK, ligji për organet e drejtësisë dhe në datën 22 të jetë ligji për Gjykatën Kushtetuese. Do të shohim mundësinë që të shohim edhe ligjin për Prokurorinë. Duhet të ishte një rishikim i shëndetshëm. Fati i Vettingut nuk varet nga këto ligje, por nga fakti se sa e gatshme është mazhoranca të respektojë ligjin. Një pjesë e ligjit diskutohet më 22 shtator e një më 29” , bëri të ditur Bylykbashi.
Partia Demokratike ka paraqitur një sërë amendamentesh për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të cilat kanë disa ndryshime thelbësore nga ato të mazhorancës.

Dokumenti me amendamentet e deputetit të PD, Oerd Bylykbashi i janë drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës si dhe kryetarit të Komisionit të Posaçëm të Reformës, Fatmir Xhafajt.

A.Shahini

Artikulli paraprakNoka: Banorët e Dibrës pa ujë, e kanë pirë kuçedrat për kanabis
Artikulli tjetërProkurori i Gjykatës Speciale të Kosovës premton hetime “të guximshme”