Reforma në Drejtësi, miratohet Këshilli i Emërimeve, ja kompetencat

6 muaj pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ngrihet i pari institucion i parashikuar nga Reforma në Drejtësi; Këshilli i Emërimeve. 9 anëtarët e këtij institucioni u zgjodhën me short nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe sipas ligjit themeltar të shtetit, në përbërje të tij janë dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga Gjykatat e Apelit, si dhe një gjyqtar nga administrativja.
Ajo që ra në sy ishte se për anëtarët e organit të akuzës nuk u hodh short, pasi numri i kandidatëve ishte i barabartë me numrin e vendeve në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Fillimi i zbatimit të reformës nuk rezultoi pa probleme, pasi deputetja socialiste Vasilika Hysi vuri në dukje se procedurat e ndjekura nga institucionet kanë qenë të parregullta.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i shtrin kompetencat e tij në dy institucione, në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë. Ai bën vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për këto institucione dhe shërben si mekanizëm zhbllokimi, pasi në rastet kur nuk arrihet shumica e kërkuar për miratimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, atëherë kandidati i parë që renditet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi quhet automatikisht i emëruar. Parashikimet ligjore për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi ndodhen në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, të cilin PD e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese.

Exit mobile version