Reforma në Drejtësi, rëndësi edhe për investitorët

Për biznesin shqiptar, Reforma në Drejtësi vlerësohet me rëndësi kyçe për klimën dhe mjedisin ku ata zhvillojnë aktivitetin. Forumi i Dhomave të Tregtisë dhe Shoqatave të Biznesit, në një konferencë për shtyp i është drejtuar politikës shqiptare me kërkesës që nesër në datë 21 korrik të miratojnë këtë dokument të rëndësishëm për të cilën ka nevojë edhe ekonomia.
Për drejtuesen e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ines Muçostepa, sipërmarrja shqiptare ka nevojë për këtë reformë, e cila është themelore për t’i siguruar ekonomisë qendrueshmërinë dhe klimën e duhur. “Kjo reformë do t’i shërbejë zhvillimit të sektorit privat, një klime sa më të sigurt dhe sa më të qëndrueshme të biznesit në vend në mënyrë që të shtohen investimet e huaja, të shtohen investimet vendase, të shtohet dhe të forcohet siguria juridike e investitorëve dhe e të gjithë aktorëve të ekonomisë sonë në mënyrë që ekonomia të ketë rritje në rrugën pa kthim drejt integrimit europian.
Dështimi i Reformës në Drejtësi do të ishte një dështim i madh edhe për sipërmarrjen dhe vetë ekonominë shqiptare. Ne i bëjmë apel klimës politike që të miratojë këtë draft të rëndësishëm”, tha znj.Muçostepa.
Ndërsa drejtuesi i Biznes Albania, Luan Bregasi tha se, procesi i miratimit të Reformës në Drejtësi duhet të shërbejë si një model edhe për miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë me biznesin. “Modeli i diskutimit të kësaj reforme duhet të shërbejë si shembull edhe kur vjen puna për miratimin e ligjeve të tjera. Ligjet që na prekin ne nuk duhet të kalojnë brenda 10 ditëve, ka raste kur ato as që lexohen fare. Politika duhet të tregohet e përgjegjshme dhe të lexojë si duhet edhe ligjet e tjera”, tha z. Bregasi.
Ndërsa kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka tha se, politika nuk duhet të hezitojë dhe se kjo reformë do t’i japë shoqërisë dhe ekonomisë vlerë të shtuar.
Për drejtorin ekzekutiv të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Lorenc Gjoni, mirarimi i Reformës së Drejtësisë do të shërbejë si garanci më shumë për investitorët, për ata investitorë që do të duan të sjellin njohuritë e tyre, ekspertizën, përvojën dhe kapitalin, por që nuk duan të përballen me një drejtësi të korrupuar.
“Dihet që ka mënyra pune që shfrytëzojnë politikën dhe që shfrytëzohen nga politika që shfrytëzojnë gjykatat dhe që shfrytëzohen nga gjykatat, kur ato janë të korruptuara. Ka edhe mënyra pune që sjellin zhvillim, që sjellin përparim kur të gjithë ecin përpara bashkë sipas aftësive dhe punës që bëjnë. Këtë duam me reformën që të vendoset një hap shumë i rëndësishëm, një bazament shumë i fuqishëm për të vazhduar reformat e mëtjeshme qoftë ekonomike, apo çdo lloj tjetër për të vendosur atë hapësirë ku punojmë edhe të zhvillojmë biznesin dhe vendin”, tha Gjoni.

Exit mobile version