NGA DR. KLODIAN RADO
Reforma në drejtësi është padyshim një nga ngjarjet më të përfolura, por edhe më të rëndësishme kushtetuese të këtij shekulli për shtetin modern shqiptar. Megjithatë, pavarësisht reformimit të thellë të sistemit të drejtësisë në disa dimensione (vettingut të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, reformimit të institucioneve ekzistuese, dhe krijimit të institucioneve të reja), për fat të keq, qytetarët shqiptarë nuk janë ende duke gëzuar një drejtësi më efektive, më të shpejtë dhe me më pak kosto për ta.
T’u drejtohesh gjykatave është bërë “mision i pamundur”. Sipas statistikave zyrtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sistemi gjyqësor shqiptar është në nivelet më të vështira historike sa i përket backlogut (çështjeve të mbartura në vite). Në vitin 2023 që lamë pas, vetëm Gjykata e Lartë kishte një backlog prej afro 33 mijë çështjesh të mbartura, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm raportoi 37 mijë çështje të tilla, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit, afro 23 mijë. Pra, vetëm në këto tri gjykata ka plot afro 100 mijë çështje të prapambetura ende të pagjykuara. Nëse do të shtojmë edhe backlogun e të gjithë gjykatave të tjera, duket qartë që situata është më alarmante se kurrë dhe sistemi ka ardhur në pikën e kolapsit.
Çfarë kanë bërë institucionet e drejtësisë shqiptare për të përballuar gjendjen e rëndë? Duhet thënë se deri tani janë bërë përpjekje të ndryshme për ta shpëtuar sadopak sistemin, duke shtuar numrin e gjyqtarëve të rinj, rritjen e stafeve ndihmëse, riorganizimet e brendshme si ajo e Gjykatës së Lartë për të rritur eficencën, rritjen e numrit të çështjeve që gjykon mesatarisht një gjyqtar i vetëm, por për fat të keq, pa suksesin e pritshëm.
A ka zgjidhje? Shqipëria dhe institucionet shqiptare nuk kanë nevojë të “shpikin rrotën” nga fillimi për të shpëtuar sistemin e drejtësisë nga përmbytja me çështje të pagjykuara. Pothuaj të gjitha vendet e zhvilluara, ku Shqipëria synon të integrohet, kanë shpëtuar nga kjo kokëçarje duke hedhur sytë nga mjetet alternative të zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve, si ndërmjetësimi.
Për ta realizuar me sukses, këto vende kanë kryer reforma ligjore në disa dimensione. Së pari, ndërmjetësimin e vendosën si mjet ju ridik që nuk është opsional, por është i detyrueshëm, i cili duhet të ezaurohet në mënyrë serioze përpara se palëve t’u lejohet t’i drejtohen gjykatës. Së dyti, ndërmjetësimi u bë i detyrueshëm pothuaj në çdo fushë të mundshme të së drejtës si: çështjet civile, të punës, familjare, tregtare, administrative, e madje edhe penale. Së treti, u kryen reforma arsimore, sidomos në fakultetet e drejtësisë, ku kurrikulat e studentëve përmbanin më shume tema që lidhen me ndërmjetësimin, e po ashtu edhe në Shkollat e Magjistraturës, apo edhe në sistemin arsimor të përgjithshëm, për të rritur koshiencën e publikut ndaj përdorimit të ndërmjetësimit, si dhe duke e promovuar atë.
Çfarë mund të bëhet më mirë në Shqipëri me infrastrukturën ligjore aktuale, për të vënë më shumë në jetë ndërmjetësimin? Lajmi i mirë është që edhe me ligjin aktual “Për Ndërmjetësimin në Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve” të vitit 2011, i cili është ndryshuar në 2013 dhe së fundi në vitin 2018, mund të bëhet jo pak. Ligji aktual lejon zgjidhjen e konflikteve në shumicën e fushave të së drejtës, madje zgjidhja e konflikteve me ndërmjetësim, për nga pesha juridike është titull ekzekutiv i barabartë me një vendim gjyqësor që ka marrë formë të prerë, pra që mund të ekzekutohet me përmbarim.
Por a mjafton dhe a është efikas ky ligj në Shqipëri? Për fat të keq, jo, sepse ligji aktual njihet dhe përdoret shumë pak, përndryshe sistemi gjyqësor nuk do të shkonte drejt kolapsit. Mospërdorimi i ndërmjetësimit ka sigurisht një shumësi faktorësh, ku disa prej tyre janë: padituria e qytetarëve për ekzistencën e këtij mjeti, mospërdorimi i mjaftueshëm i ligjit nga aktorët e drejtësisë, si avokatët, gjyqtarët, noterët, apo mospromovimi i ndërmjetësve si zgjidhësit e konflikteve.
Cilat janë disa nga dobitë e përdorimit të ndërmjetësimit; përveçse për të shpëtuar sistemin e drejtësisë nga kolapsi i sigurt? Përdorimi i ndërmjetësimit në Shqipëri mund të jetë transformues, duke ofruar disa avantazhe madhore, sidomos në kontekstin aktual, disa prej te cilave po i përmend më poshtë.
Zgjidhja më e shpejtë e mosmarrëveshjeve: Kohëzgjatja e gjatë për të arritur vendime përfundimtare në gjykatë është një shqetësim i madh për individët dhe bizneset në Shqipëri. Ndërmjetësimi ofron një proces më të shpejtë, shpesh duke zgjidhur mosmarrëveshjet brenda muajve në vend të viteve që mund të duheshin nëpër gjykata. Kjo shpejtësi është jo vetëm e dobishme për palët në mosmarrëveshje, por gjithashtu përmirëson klimën e biznesit duke ofruar parashikueshmëri dhe stabilitet, dhe ndihmon në uljen e konflikteve sociale.
Kosto të reduktuara: Përfshirja në beteja ligjore të zgjatura në gjykata mund të jetë shumë e shtrenjtë dhe me kosto multidimensionale. Zgjidhja me ndërmjetësim është zakonisht shumë më ekonomike, duke reduktuar tarifat ligjore dhe kostot e lidhura. Ky aspekt është veçanërisht i rëndësishëm për qytetarët e zakonshëm apo ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për të cilët shpenzimet ligjore mund të jenë një barrë e konsiderueshme
Ruajtja e marrëdhënieve dhe kohezionit social: Shumë mosmarrëveshje, veçanërisht në kontekstin e familjes, komuniteteve, apo biznesit, lindin ndërmjet palëve që kanë marrëdhënie të vazhdueshme. Natyra antagonistike e procedurave gjyqësore mund të dëmtojë përgjithmonë këto marrëdhënie. Vendimet e vonuara gjyqësore dhe proceset e gjata shpesh nxisin tensione dhe konflikte në shoqëri. Duke ofruar zgjidhje më të shpejta dhe më të kënaqshme për të dyja palët, ndërmjetësimi kontribuon në uljen e këtyre tensioneve dhe në promovimin e harmonisë sociale.
Ndërmjetësimi, me fokusin e tij në dialog, bashkëpunim dhe kënaqësi të ndërsjellë, mund të ndihmojë në ruajtjen dhe madje në forcimin e marrëdhënieve edhe pas mosmarrëveshjes. Përmirësimi i besimit në sistemin e drejtësisë: Mungesa e besimit në gjyqësor dhe mungesa e gjyqtarëve bëjnë qasjen në drejtësi një çështje kritike në Shqipëri. Ndërmjetësimi mund të shërbejë si një rrugë alternative dhe më të qasshme për të arritur drejtësi, duke u bërë një zgjidhje tërheqëse për ata që mund të ndjejnë se sistemi gjyqësor aktual është i paarritshëm ose i padrejtë për ta. Kjo mund të ndihmojë në rindërtimin e besimit publik në procesin e drejtësidhënies, duke e bërë atë më inkluziv dhe më efikas.
Për të konkluduar, përgjatë ndërtimit të një sistemi ku qytetarët duhet të gëzojnë drejtësinë dhe gjykatat të jenë funksionale, Shqipëria e ka të domosdoshme që të kryejë reformën e radhës në drejtësi. Kjo përfshin futjen e ndërmjetësimit si mjeti i detyrueshëm ligjor, para se mosmarrëveshjet të lejohet të shkojnë në gjykatë; edukimin e profesionistëve ligjorë dhe publikut mbi avantazhet e ndërmjetësimit; dhe rritjen e standardeve etike dhe profesionale për praktikantët e ndërmjetësimit.
Pavarësisht ngërçeve politike, mungesës së vullnetit bashkëpunues politik dhe përplasjeve të pushtetit, reforma për rëndësinë e ndërmjetësimit është jetësore. Ka pak rëndësi se cila mazhorancë apo forcë politike do e kuptojë rëndësinë e ndërmjetësimit, do e fusë në programin e saj, do ua prezantojë shqiptarëve dhe do kryejë reformën. Rëndësi ka që duhet të kryhet një orë e më parë, për të shpëtuar qytetarët, sistemin e drejtësisë, e të gjithë ne. Ashtu u bëftë!