Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Majlinda Bregu u shpreh se, “duhet të jemi sa të mirëkuptueshëm me njëri-tjetrin mes nesh po e po, por edhe me qeverinë pasi ky proces transparencën e gjithpërfshirjen i ka elementët garantues të suksesit”.
Bregu tha se, “Evropa siç e dimë të gjithë është e përfshirë sot nga kriza më të mëdha se sa mungesa e mirëkuptimit tonë të vazhdueshëm politik dhe sigurisht që zgjerimi nuk është halli më i madh i evropianëve”, por ajo shprehu bindjen se, “anëtarësimi në Bashkimin Evropian edhe pse nuk është një garanci për një botë perfekte, do të nënkuptonte garanci më të mëdha për nivelin tonë të demokracisë, duke filluar nga zgjedhjet e lira e të ndershme, sundimi i ligjit dhe deri tek standardet e përgjithshme, të cilat sot janë të kërcënuara fatkeqësisht edhe nga terrorizmi në Evropë”. “Nuk është çështja se sa të suksesshëm kemi qenë ne gjatë këtij viti për mbikëqyrjen e procesit të integrimit, shtoi Bregu, por besoj se për të gjithë ne, me rëndësi është që ky Këshill të konsolidojë të kuptuarit njësoj të detyrimeve të procesit”. “Dhe që puna jonë të jetë më rezultative duhet sigurisht që të gjithë dokumentet e rëndësishme që qeveria harton edhe për procesin e integrimit të konsultohen bashkë me ne në fazën e tyre fillestare”, tha ajo. Bregu kërkoi nisjen në mënyrë urgjente të përgatitjes së kuadrit strategjik për çeljen e negociatave, pavarësisht se kur do të ndodhë ajo. Kjo është mbledhja e 5 e Këshillit Kombëtar të Integrimit, i cili është ngritur vetëm një vit më parë me 44 anëtarë, të cilët janë përfaqësues jo vetëm nga Parlamenti, por edhe nga shoqëria civile, institucione të pavarura, bota akademike dhe media.