Reforma territoriale, Tabaku: Ndodhi ajo që kishim paralajmëruar ne dhe ekspertë të kësaj fushe!

Reforma territoriale ka dështuar. Ajo përfundoi si hartë elektorale për llogari të PS kundër interesit të qytetarëve.
Kështu deklaroi deputetja demokrate Jorida Tabaku në tryezen e organizuar në lidhje me Reformen Territoriale, e cila kryesohet nga Presidenti i Komitetit Europian të Rajoneve Franz Schausberger.
Tabaku theksoi se reforma territoriale ka dështuar bashkë me premtimin kryesor për kursimin e 80 milionë eurove dhe propagandimin për të bërë më shumë punë me më lekë.
Vetëm për paga bashkitë paguajnë 116 milionë euro në vit, gati dy herë më shumë se në 2014. Nuk u shoqërua me buxhete të përshtatshme, zgjerim kompetencash. 3 vjet më pas reforma territoriale është rrëzuar, tha zyrtarja e lartë demokrate.
Ajo shtoi se reforma territoriale solli më shumë shpenzime, më shumë taksa, më shumë tarifa, më pak investime, më pak kompentenca, më pak shërbime për qytetarët.
“Tirana është qyteti me taksat më të larta, qytetarët nuk i marrin shërbimet dhe ky është dështim.
Çështja e Teatrit është shembulli më i mirë sesi qeveria shkel me të dyja këmbët kompetencat lokale dhe shembulli më i mirë i dështimit të reformës.
Reforma solli diskriminim politik. 90% e fondeve të buxhetit të fondit të rajoneve u shkon bashkive të majta.
Ajo që ne mendojmë dhe ajo që ne dëshirojmë janë bashki të afta për të konkurruar edhe bashkitë europiane; bashki me kapacitete, bashki me përgjegjësi, bashki me buxhete, me qytetarë që kanë më shumë shërbime, me pushtet lokal që është më afër qytetarëve”, tha ndër të tjera deputetja e PD Jorida Tabaku.

FJALA E PLOTË E ZNJ. JORIDA TABAKU, ZV/KRYETARE E KOMISIONIT TË EKONOMISË, NË TAKIMIN E KOMITETIT EUROPIAN TË RAJONEVE PËR ÇËSHTJEN E REFORMËS TERRITORIALE
Dua të falënderoj të gjithë të pranishmit, të gjithë donatorët që kanë mbështetur të gjitha zhvillimet në pushtetin vendor gjatë këtyre 25 viteve, në mënyrë të veçantë kolegët zviceranë, të cilët kanë investuar shumë dhe njëkohësisht edhe Bashkimin Europian nëpërmjet delegacionit në Tiranë.
Por si çdo histori, ka dy anë.
Unë dua të flas për pikëpamjen e Partisë Demokratike, për pikëpamjen tonë për shqetësimet që ne kemi për situatën që sot ndodhet pushtei vendor.
Katër vjet më parë qeveria premtoi një reformë territoriale e cila do të ndryshonte dhe do të rikonceptonte mënyrën se si pushteti vendor funksiononte dhe do të ndryshonte marrëdhënien që ekzistonte midis pushteteve.
Falënderoj të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që na mbështetën në këtë iniciativë, në fakt edhe ne si Parti demokratike donim që ta mbështesnim dhe të ishim pjesë e kësaj.
Por çfarë ndodhi?
Ndodhi ajo që kishim paralajmëruar ne dhe ekspertë të kësaj fushe.
Reforma Territoriale, për mënyrën se si u hartua, jam e sigurt që këtu në këtë sallë ka të majtë dhe të djathtë, ka kryetarë bashkishë demokratë e socialistë, të cilët bien dakord për atë që unë do të them, mënyrën se si u hartua nuk kishte në qendër qytetarin, nuk kishte në qendër shërbimet, thjesht interes elektoral.
Përfundoi në një ndarje territoriale elektorale në një hartë të re elektorale të Shqipërisë.
Sigurisht që ne nuk e pranuam këtë.
Ne kërkuam dje dhe kërkojmë sot një reformë territoriale që nis nga kompetencat e kryetari të Bashkisë, nga kompetencat tuaja, sepse për ne ajo që është më e rëndësishme është vendosja e qytetarit në krye të shërbimit.
Për ne ajo që është më e rëndësishme është dhënia e pushtetit, e kompetencave, delegimi i tyre tek pushteti vendor dhe ne për këtë kishim një ofertë konkrete, siç e kishim edhe sot një ofertë konkrete.
Për asnjë moment, për asnjë sekondë në asnjë rast gjatë diskutimit të reformës territoriale, qeveria nuk kishte mirësinë të dëgjonte qoftë edhe kryetarin e opozitës që në atë kohë ishte edhe kryetar bashkie.

Premtimi kryesor i Partisë Socialiste ishte premtim financiar.
Të gjitha bashkitë, në 2014 shpenzonin 80 milionë euro më shumë të cilat do t’i jepenin qytetarit me shërbime më të mira, që do të kthehej tek ata për shërbime më të mira.
Por sigurisht edhe kjo ishte propagandë dhe një nga dështimet më të mëdha që kjo reformë ka prodhuar.
Kur e shoh sot reformën shoh ligje të shkruara keq, të pandjekura me akte të tjera ligjore dhe joligjore, shoh mungesë strategjie dhe mungesë vizioni nga ana e qeverisë dhe shoh një proces që nisi dhe përfundoi në 2014-ën dhe nuk është shoqëruar në asnjë moment as me buxhete të përshtatshme, as me delegimin e kompetencave, qoftë me zbatimin dhe hartimin e një strategjie se si këto kompetenca do të zbatohen më mirë nga pushtetet lokale.
E nisa me premtimin financiar të reformës territoriale duke qenë se jam zv/kryetare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave e shifrat unë i shoh përditë shumë mirë ashtu siç i sheh edhe zv/kryeministrja.
Për të bërë një krahasim dhe për të dhënë një shembull shumë të thjeshtë.
Tre vite pas nisjes së zbatimit, propaganda kryesore për reformën territoriale, ka rënë poshtë.
Sot të dhënat e buxhetit tregojnë se bashkitë shpenzojnë 116 milionë euro vetëm për paga. Kjo është një vlerë dy herë më e lartë se e 2014-ës që është viti paraardhës i reformës territoriale.
Në raportet e buxhetit vihet re se qeveria ka transferuar një vlerë totale prej 60 milionë eurosh, 4 milionë shkojnë për infrastrukturë, 56 milionë shkojnë për paga, për nevojat e bashkive të reja, për paga.
Sot bashkitë nuk kanë mundësi të bëjnë investime, nuk kanë aftësinë të bëjnë investime sepse buxheti i tyre është zënë nga pagat.
Më shumë shpenzime, më shumë taksa, duke i detyruar bashkitë që t’i rrisin taksat e tyre nga 2 deri në katër herë. Bashkia e Tiranës ka shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke e bërë Tiranën, qytetin me taksat më të larta, me më pak investime, me përplasje kompetencash, dhe në fund të ditës qytetarët nuk e marrin shërbimin.
Unë këtë e quaj dështim.
Mund t’ju sjell shembull nga Bashkia e Lezhës ku unë kam vizituar vetëm pak javë më parë.
Është një bashki me 10 njësi administrative, ka prezantuar projekte pa fund përpara qeverisë. Por Bashkia e Lezhës sot ndodhet mes katër rrugëve, ashtu si edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës jua konfirmon se kush është kundër qeverisë, nuk merr fonde.

Shembulli më i mirë është ndarja e fondit të zhvillimit të rajoneve, 90% e fondit të zhvillimit të rajoneve sot shkon për Bashkitë e majta.
Vetëm 10% për bashkitë e djathta.
Kam parë projekte pa fund, projekte shumë të mira zbatimi që mesa duket nuk marrin fonde vetëm sepse diskriminohen.
Dhe ky është shembulli më i mirë se përse kjo reformë ishte elektorale.
Ndërsa reforma imponoi ndryshime të thella në administrimin lokal në cilësinë e shërbimeve, në raport midis pushtetit qëndror dhe atë lokal në aspektin afatgjatë
Ndonëse reforma imponoi edhe ndryshime të thella në mënyrën e administrimit lokal, në cilësinë e shërbimeve dhe në raportet midis pushtetit qendror dhe atij vendor. Në aspektin afatgjatë parashikohej ndikimi direkt që reforma do të kishte edhe në raportet me biznesin e huaj, Investimet e Huaja Direkte.
Por të dhënat ekonomike flasin qartë.
Sot bashkitë nuk po luajnë rolin e tërheqjes së investimeve të huaja, nuk janë më qëndra e zhvillimit, sot bashkitë e kanë të pamundur që të përfaqësojnë interesin më të mirë të qytetarëve.
Përse ndodh kjo?
Sepse kemi lëvizuar nga një demokraci lokale e zgjedhur, në një demokraci lokale të emëruar.
Nqse kemi pasur këshilla komunalë që zgjidheshin dhe kryetarë komune që zgjidheshin, sot kemi kaluar në administratorë që emërohen.
Ku është demokracia lokale këtu?
Ku është përfaqësimi lokal këtu?
Ku janë instrumentat që qytetarët duhej të kishin në dorë për të zgjedhurit e tyre vendorë.
Dhe unë dua t’i referohem një rapor të UN-it. 67.3% e qytetarëve mendojnë se administrata e qeverisjes vendore nuk i ofron shërbimet që duhet të ofrojnë.

Vetëm 7% e tyre kishin dijeni se çfarë po ndodhte në buxhetet e tyre.
Pash axhendën e Komitetit të Rajoneve dhe të profesor Franz Schausberger dhe pash që ditën e djeshme keni zhvilluar një vizitë edhe në Shkollën Kosova.
Një nga kompetencat që i ka mbetur pushtetit lokal është propozimi i PPP-ve.
Shembulli më i keq se si rritja e taksave dhe vendosja e një takse të re në infrastrukturë është duke u përkthyer në koncesione të cilat kanë një pikëpyetje shumë të madhe, me normë interesi më të lartë se sa bonot e thesarit të Bankës së Shqipërisë.
Por nga ana tjetër çfarë ndodh në periferi të Tiranës.
Pak javë më parë, mqse dëgjova edhe zv/kryeministren të flasë për kompetencat e arsimit.
Unë isha në një shkollë në Zall – Herr, kjo është një prej shkollave që nuk ndodhet në qendër të qytetit dhe kjo është efekti i dytë i reformës territoriale.
Qytete të bojatisura, me qendra të harruara e qytetarë që janë larguar nga shërbimi lokal, që nuk kanë mundësi që të kenë vendimmarrje në zonat, fshatrat dhe komunat e tyre.
Zall – Herri është vetëm pak km larg Tiranës.
Shkurt dhe qartë. Reforma territoriale ka dështuar për arritur atë që miqtë tanë të BE-së, KE-së, kishin që në krye të herës si objektiv kryesor.
Kjo reformë është sakate, fundja si çdo gjë tjetër që kjo qeveri ka prodhuar.
Me një strukturë ligjore të paqëndrueshme.
Tani me të drejtë ju mund të pyesni nëse PD ka një zgjidhje apo një ofertë? Padyshim! Ne ndryshe nga propaganda kemi një ide shumë të qartë.
Rikonceptimi i mënyrës se si sot funksionon Pushteti Vendor dhe kthimi tek perfaqësimi i demokracisë lokale
Ndërtimi i pushtetit vendor me dy nivele. Sot kemi një nivel të qeverisjes vendore, jashtë funksionit. Qarqet sot janë jashtë funksionit, i kanë zhveshur nga kompetencat e buxhetit, i kanë lënë thjeshtë si struktura amorfe të cilat nuk ushtrojnë dot asnjë funksion ndërkohë që qarqet duhej të ishin në krye dhe në zemër të kësaj reforme, dhe duhej të ishin ato që do të tërhiqnin investimet e BE-së. Për t’u bërë të gjitha zonat e Shqipërisë zona interesante, ku do të kishim një zhvillim të qëndrueshëm rajonal dhe për të vendosur qarqet në pararojë të zhvillimit ekonomik të këtyre zonave. Dhe ne këtë mendojmë.

Hartimin e një strategjie për decentralizimin dhe marrjen e masave konkrete për zbatimin e saj, dhënien e përgjegjësive kontrete Pushteteve Vendore, shoqëruar kjo edhe me buxhete.
Për herë të parë në 25 vite unë e dëgjova zv.kryeministren që foli për arsimin. Por a e dini se çfarë kompetencash janë transferuar tek bashkitë? Pagat e arsimit. Kanë transferuar pagat e arsimit për t’i paguar bashkitë dhe unë nuk e quaj këtë kompetencë. Unë kompetencë e quaj kur arsimi i plotë me mundësi për investime, me fonde përkatëse, me mundësi për të bërë edhe strategjitë por njëkohësisht edhe investimet në arsim i shkon i plotë pushtetit vendor.
Transferta e pagave nga një zë buxhetor tek tjetri nuk është përgjegjësi, nuk është kompetencë. Kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë pushteti vendor.
Eliminimi i bashkimeve mekanike të territoreve për t’i dhënë jetë dhe mundësi kthimit të qytetarit në qendër të shërbimeve dhe e gjitha kjo sigurisht që duhet të vijë edhe në një rikonceptim të ri të mënyrës se si financohen buxhetet.
Në kemi qenë dhe jemi për një rikonceptim duke u bazuar tek koncepti “takse sharing”, ku ato që përdoren në një qytet të caktuar të ndahen me pushtetin lokal, pa e lënë pushtetin lokal jetim, të vetëm.
Askujt nuk i duhen qendra bosh qytetesh, të boshatisura. Askujt nuk i duhen platforma online ku ofrohen shërbime që njerëzit nuk i marrin kurrë, me pushtetarë vendorë që nuk i takojnë kurrë, me administratorë lokalë që nuk janë atje kurrë, që janë thjesht për të marrë lejen dhe licencën e radhës.
Njerëzit kanë nevojë për kompetenca reale, kanë nevojë për zona urbane, për rrugë, për investime, për ujësjellësa, e kjo reformë këtë gjë nuk e ka sjellë.
Të nderuar miq, dje unë pata mundësinë të diskutoja me profesor Franzin njëkohësisht edhe për çështjen e Teatrit. Dhe më lejoni t’ju them që Teatri Kombëtar është kthyer në një çështje të rëndësishme. Miqtë e mi në Komisionin Europian e dinë shumë mirë emrin e kontraktorit ashtu sikurse di çdo shqiptar, është bërë çështje teatrit tashmë jo më çështje lokale por çështje europiane.

Dhe çështja e teatrit është shembulli më i mirë se si qeveria shkel me dy këmbë kompetencat lokale, shembulli më i mirë se si ka dështuar kjo reformë, shembulli më i mirë se si Këshilli Bashkiak i Tiranës është zhveshur, është cunguar nga përgjegjësitë. Sepse duhej të vendose ai këshill Bashkiak për mënyrën se si duhej të rikonceptohej qyteti i Tiranës dhe jo qeveria.
E quani ju një vlerësim këtë të reformës territoriale?
Për mua ky është dështimi më i madh e ajo atje në qendër të Tiranës, teatri dhe njerëzit që protestojnë atje për 9 muaj me radhë janë shembulli më i mirë se si funksionon demokracia lokale dhe se si ka dështuar kjo reformë territoriale.
Ajo që ne mendojmë dhe ajo që ne dëshirojmë janë bashki të afta për të konkurruar edhe bashkitë europiane; bashki me kapacitete, bashki me përgjegjësi, bashki me buxhete, me qytetarë që kanë më shumë shërbime, me pushtet lokal që është më afër qytetarëve.
Ndërkohë që sot ne e kemi komplet dhe totalisht të denatyruar konceptin e pushtetit lokal dhe pushtetit vendor.
Strategjia që sot diskutojmë si plane pune këtu në Shqipëri. Ashtu siç jam sigurt që gjithë këto shqetësime që unë ngrita ju e mirëkuptoni sepse në faza të ndryshme ju i keni kaluar edh enë vendet tuaja.
Ju i mirëkuptoni sepse një bashki mund të jetë e aftë të konkurrojë me bashkitë e tjera për fonde vetëm kur pushteti qendror e bën atë të pavarur, pushteti qendror i vendo burime në dispozicion, kur pushteti qendror i jep kompetenca dhe funksione asaj pa dallim politik, pa dallim nëse është i majtë apo i djathtë, pa diskriminime politike.
Fatkeqësisht kjo gjë ka ndodhur këto 5 vite dhe do të vazhdojë të ndodhë për sa kohë që është një mënyrë dhe një filozofi veprimi.
Unë shpresoj që të jetë shumë e afërt dita ku bashkë të diskutojmë se si pushteti vendor i majtë apo i djathtë mund të bëhet më i mirë pavarësisht se kush qeveris.

Exit mobile version