Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili është edhe bashkëkryetar i komisionit për reformën zgjedhore thotë se vota e deputetëve të kësaj force politike, do të shkojnë për propozimet që kanë bërë.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Alibeaj u shpreh se opozita duhet të ketë një platformë të përbashkër për reformën zgjedhore.
“Nuk janë 3 propozime, janë më shumë se sa 3 propozime. Janë jo vetëm listat e hapura, Shqipëria një zonë, votimi dhe numërimi elektronik dhe vota e Diasporës, por kemi edhe drafte të tjera të depozituara 1 vit e gjysmë më parë për garancinë e procesit. Ndalimet që duhet të ketë qeveria për të mos përdorur administratën, për të mos përdorur paratë e buxhetit të shtetit, për të mos bërë punësime, për të mos përdorur elementë të tjerë të krimit.
Është një paketë e plotë. Ne votën tonë e japim pikërisht për këto sugjerime. Nëse nga përfaqësues, më së pari të opozitës, anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore, do të ketë propozime, që përforcojnë këto çështje, jam i hapur që t’i diskutojmë, plotësojmë dhe ne si opozitë të shkojmë me platformë të përbashkët.
Partia Demokratike ka qenë gjatë gjithë kohës e përfshirë në kauza politike. Reforma zgjedhore është një, vettingu politik është tjetri. Ju e quani një sallë parlamenti aty ku mazhoranca fërkon duart dhe barkun bashkë me to për të kaluar ligjet shpejt e shpejt? Ju e quani sallë parlamenti, një vend ku ndizen flakadanë dhe ka zhurmë? Parlamenti nuk është as i deputetëve të mazhorancës, as i opozitës. Është i shqiptarëve. Është vendi ku duhet t’u flitet shqiptarëve. Ky është parlament, ndryshe është fushë betejë që nuk ka lidhje me parlamentin. Fuqia e fjalës dhe vota janë dy elementët që kemi ne”, theksoi ai.