Reforma Zgjedhore- Komisioni nis punën për draftin final, priten ekspertët e OSBE-ODIHR, çështjet që shqyrtohen

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore u mblodh të enjten për të diskutuar hapat e mëtejshëm që do të ndiqen në hartimin e draft-ligjit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Në kuadër të punës për draftin e Kodit të ri elektoral, javën e ardhshme do të mbërrijnë në Tiranë edhe ekspertët e OSBE-ODIHR, të cilët do të punojnë bashkë me Komisionin për draftin përfundimtar.

Komisioni vendosi që më datat 13-14 mars 2024 të zhvillohet një tryezë diskutimi i ekspertëve të Komisionit me ekspertët e OSBE/ODIHR, për të diskutuar së bashku rekomandimet e ODIHR, si dhe për të diskutuar gjetjen e zgjidhjeve, lidhur me çështje si metodologjia për votën e diasporës, herësin apo propozimet e tjera të partive politike për ndryshimin e zonave zgjedhore.

Me propozimin e bashkëkryetarit Damian Gjiknuri (PS) dhe duke rënë dakord edhe të bashkëkryetarit Enkelejd Alibeaj (PD) u vendos që në këtë tryezë të jenë të pranishëm vetëm ekspertët ligjor të komisionit dhe ata të partive politike.

Gjatë punimeve në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, ritheksoi qëndrimet e PD-së për lejimin e votës së diasporës, Shqipëria një zonë elektorale, votimi e numërimi elektronik, si dhe listat e hapura.

Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste tha se edhe PS do të shtrojë në tryezë përmes ekspertëve të saj propozimet e shumicës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Në përfundim, Komisioni miratoi procesverbalet e dy mbledhjeve të kaluara.

Reforma Zgjedhore, çështjet e nxehta që po diskutohen

Pavarësisht dinamikës politike në komisionin për reformën zgjedhore tashmë janë shtruar disa nga çështjet kryesore që presin zgjidhje si: votimi elektronik; sjellja e administratës në zgjedhje; sanksionet ndaj atyre që shkelin ligjin; përdorimi i burimeve shtetërore në funksion të fushatës dhe çështja e komisionerëve.

Këto janë disa nga problematikat e ngritura në komisionin për reformën zgjedhore si nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, grupet e interesit dhe shoqata të ndryshme që merren me zgjedhjet, si dhe forcat politike pjesë përbërë e komisionit.

Deri në këto momente vetëm për ndryshimin e sistemit zgjedhor ende nuk është debatuar, pasi kjo çështje është edhe “Thembra e Akilit” e Reformës Zgjedhore. Tre janë opsionet deri tani: lista të hapura; Shqipëria një zonë elektorale dhe mbajtja në fuqi e sistemit aktual.

Përdorimi i burimeve shtetërore

Përdorimi i burimeve shtetërore në zgjedhje ka qenë kryefjala e përplasjeve midis shumicës dhe pakicës për një kohë të gjatë. Ashtu si PS-ja dhe aleatët e saj kritikonin PD-në kur ishte në qeveri për përdorim të burimeve shtetërore në zgjedhje me qëllim ndikimin tek votuesit, ashtu edhe PD në opozitë, bashkë me aleatët e saj akuzojnë sot PS-në me të njëjtat argumente.

Ky problem është shtruar sërish edhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore të drejtuar nga dy bashkëkryetarët Damian Gjiknuri (PS) dhe Enkelejd Alibej (PD).

Vetëm pak ditë më parë kryetarja e Komisionit Rregullator, Ilirjana Nano në mbledhjen e komisionit u shpreh se “një nga çështjet që kërkon rregullim duhet të jetë përdorimi burimeve shtetërore në fushatë”.

Sipas saj, “duhet harmonizim i dispozitave ligjore për nocionet dhe konceptet e parashikuara në ligj dhe se kërkohet adresim edhe për zgjedhjet vendore, tek përdorimi i burimeve shtetërore”.

Bazuar në çështjet e shtruara në Komisionin e Reformës kërkohet adresimi dhe vendosja e  rregullave për sjelljen e zyrtarëve dhe institucioneve publike gjatë fushatës zgjedhore.

Në të gjitha raportet për zgjedhjet, ka pasur kritika nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendas për sjelljen e administratës dhe zyrtarëve në fushatë, problematikë kjo e konstatuar edhe nga KQZ-ja.

Lidhur me këtë, kërkohet përmirësimi i rregullave të sjelljes së administratës publike, institucioneve dhe zyrtarëve gjatë fushatës zgjedhore, për të garantuar një fushatë të drejtë dhe me standarde.

Në komisionin është shtruar edhe çështja që ka të bëjë me faktin se nevojitet ndërhyrje edhe përtej Kodit Zgjedhor për çështjen e financimit të fushatës zgjedhore, si dhe duhet adresuar zëvendësimi i komisionerëve në momentin e fundit tek Komisionet e nivelit të dytë dhe të tretë.

Votimi elektronik

A duhet që në zgjedhjet e ardhshme, cilado qofshin ato vendore apo të përgjithshme, të ketë votim 100% elektronik, apo ky lloj votimi të zbatohet në disa qarqe të rëndësishme të vendit?

Për këtë kërkohet të merret një vendim politik nëse ka vullnet nga palët e përfshira në zgjedhje nëse duhet shtrirë më shumë apo jo.

Vetë kryekomisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, është shprehur se nuk është i bindur nëse votimi elektronik duhet shtrirë në të gjithë territorin e Shqipërisë.

“Por nëse politika vendos, duhen mbajtur në vëmendje dy faktorë, kostot dhe burimet njerëzore.  Nga verifikimi pas zgjedhor patëm përputhshmëri 100% të votave të printuara në kutinë e votimit me votat elektronike. Duhet të konsiderojmë edhe personelin që do të merret me zbatimin e votimit elektronik”, ka thënë Celibashi.

Por, nëse kalohet në votim elektronik në të gjithë vendin pyetja që është shtruar në Komisionin e Reformës Zgjedhore është se: a do të duhet që të jenë komisionerë politik ata që do të angazhohen?

Shoqata që merren me çështjet zgjedhore kanë deklaruar në Komisionin për Reformën Zgjedhore  se nëse pranohet të përdoret teknologjia në të gjithë Shqipërinë, nuk ka kuptim që të angazhohet vetëm personel partiak nëpër komisione, pasi nëse gjërat shkojnë keq përgjegjësia i mbetet KQZ-së, pavarësisht se ata janë njerëz të cilët nuk i ka përzgjedhur vetë, për i kanë angazhuar forcat politike.

KQZ prej kohësh ka kërkuar se duhen gjetur që tani njerëzit, për të përdorur PEI, PEVN, pasi nuk mund të jetë i njëjti person që përdor këto pajisje pasi janë të natyrave të ndryshme.

Nga ana tjetër, dy bashkëkryetarët e Komisionit për Reformën Zgjedhore janë përballur edhe me pyetjen nëse: duhet të rishikohet edhe numri i qendrave të votimit në rast se zbatohet tërësisht votimi elektronik?

Shihet e dobishme nëse të paktën në zonat urbane rishikohet numri i zgjedhësve për qendrat e votimit, për sa kohë që në shumë qendra votimi numri i votues shkon nga 400-700. Mbështetur mbi këtë arsyetim, do të kishte kuptim ulja e numrit të Qendrave të Votimit, gjë që ul kostot financiare, por edhe rrezikun e faktorit njeri për manipulim.

Por pavarësisht përparësive që ka votimi elektronik ende nuk besohet se kjo mënyrë votimi zgjidhë problemet e zgjedhjeve në Shqipëri siç janë akuzat për shitblerje të votave, etj.

Celibashi dhe trupa zgjedhore në KQZ kanë kërkuar qartazi se nëse vendoset që votimi të bëhet elektronik në të gjithë Shqipërinë “ky vendim duhet të merret tani”.  

Sanksionet

Një problem tjetër i shtruar në Komisionin për Reformën Zgjedhore është edhe rishikimi i të gjithë kapitulli të sanksioneve ndaj atyre që manipulojnë votimin dhe që bëjnë shkelje të Kodit Zgjedhor.

Shoqatat që merren me zgjedhjet kanë vërejtur se sanksionet janë “jo proporcionale në raport me shkeljen”.

Kur ka shkelje të rënda, Kodi nuk parashikon sanksione administrative ose dhe kur i parashikon ato janë të papërfillshme.

Nga ana tjetër, kërkohet që KQZ-ja ka nevojë të adresohet sa i përket konfigurimit të listës së zgjedhësve; kushtet për ndalimin për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur bazuar në ligjin për dekriminalizimin.

Komisionerët

Një çështje shumë e rëndësishme që duhet t’i japë një përgjigje Komisioni i Reformës Zgjedhore, është edhe mënyra e organizimit të komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta të administrimit zgjedhor.

Pyetja që është shtruar në Komision është: do të vazhdohet të jenë tërësisht politik, apo do të rishikohet mënyra e formimit të tyre?

Gjerësisht është vërejtur se forma aktuale ka treguar se ka krijuar probleme.

Palët në komision ndajnë vlerësime të ndryshme rreth kësaj çështje pasi, sipas tyre, është ende herët për largimin tërësor të partive politike nga administrimi zgjedhjeve, për shkak edhe të një kulture demokracie ende të pa konsoliduar.

Shoqatat që merren me çështjet zgjedhore gjykojnë se ka ardhur koha që të ketë një organizim që i jep prezencë partive politike, por kryesor në këtë çështje të jetë KQZ dhe t’i besohet KQZ-së.

Për momentin si zgjidhje shikohet ata që do të angazhohen si komisionerë, duhet të jenë të trajnuar dhe të certifikuar. Ky këshillohet që të jetë kusht.

/rtsh.al/

Artikulli paraprakFondet arabe po lulëzojnë, kontrollojnë 26 klube, në shënjestër tani edhe Seria A
Artikulli tjetër“Foltorja është përplasur me SHBA-të”, Kulluri: Berisha ka mbyllur ciklin politik, për sa kohë kërkon…