Reforma zgjedhore, Kthupi: Listat e hapura, çështje nga e cila PD-ja nuk tërhiqet. Ndihmë ndërkombëtarëve

Avokati Rezart Kthupi tha në studion e MCN Live se PD-ja e drejtuar nga Lulzim Basha nuk mund të ketë kurrë bashkëpunim me Berishën, i cili është një person i shpallur non-grata.

Sipas Kthupit, nëse opozita bashkohet për të rrëzuar Ramën atëherë ajo nuk ka prodhuar asgjë.

Ajo që i mungon opozitës është objekti, Rama nuk mund të jetë objekt në vetvete, është pasojë e objektit që duhet të jetë një plan pune, apo ca platforma politike. Nëse bashkohemi për të rrëzuar Ramën, nuk kemi prodhuar asgjë, nëse bashkohemi për një program politik të caktuar që duam ta implementojmë duke rrëzuar Ramën si fillim dhe pastaj për të ardhur në pushtet, këtu ka një qasje të mundshme. Rama nuk do të rrëzohet për shkak të shifrave se edhe nëse bashkohet opozita do bëhen vetëm 63 deputetë. Bashkimi është i nevojshëm por ka disa parime. PD nuk mund të ketë bashkëpunim me një person që është shpallur non-grata kjo është vija e kuqe. Nuk mund të kesh bashkëpunim me një person që sulmon drejtësinë, sulmon ambasadorët. Berisha për ne mbetet vijë e kuqe, është ndarje me qasjen.

Më tej, Kthupi tha se listat e hapura janë një çështje nga e cila PD-ja nuk do të tërhiqet.

Ne i kemi referuar dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimet e OSEB ODIHR në raportet e 2021 dhe të ritheksuara në raportin e 2023 në atë draft që kemi paraqitur. Kemi paraqitur një draft ku rregullohen listat e hapura, nuk jemi më në kushtet e një interpretimi të mundshëm ligjor në lidhje me do të jenë apo s’do të jenë listat e hapura, por saktësimin ligjor që në zgjedhjet e ardhshme shkohet me lista të hapura. Kemi përfshirë dhe faktin që në listat e hapura nuk përfshijnë vetëm listën e deputetëve por edhe listën e këshillave bashkiakë.

Kemi rregulluar votën e diasporës, që në momentin e regjistrimit të emigrantëve deri në momentin e votimit. Kemi shkuar në atë që është interesi i të gjitha partive në Shqipëri, që është Shqipëria një zonë e vetme elektorale. Ishte mënyra më e mirë për të evituar disbalancën e votës nëpër qarqe të ndryshme elektorale mënyra më e mirë për të zvogëluar deformimin. Kemi futur disa nocione të reja në Kodin Zgjedhor, një ndër to është votimi në dy ditë.

Ne kemi një draft, një projekt e kemi propozuar. Ky draft duhet t’i nënshtrohet diskutimeve. Ne nuk pretendojmë që kemi draftin më të mirë të kësaj bote. Kemi përcaktuar disa parime që vlejnë për tu diskutuar. Në draft kemi disa pika që ne nuk heqim dorë.

Listat e hapura janë çështje nga e cila ne nuk do të tërhiqemi. Listat e hapura janë detyrim sepse është e vetmja mënyrë për të rishkruar mënyrën si formohet Kuvendi.

Çështjet zgjedhore në Shqipëri nuk janë zgjidhur kurrë ne vullnetin e palëve, janë zgjidhur gjithmonë me mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve.

Sikurse të gjitha reformat e tjera zgjedhore pararendëse do të kalojnë në mbikëqyrjen dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve në ato pika që janë në raporti e OSBE dhe janë detyrime në raport me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Exit mobile version