Reforma Zgjedhore, PD: Ndjekje penale për shitblerjen e votës

Partia Demokratike kërkon ndërhyrje të forta në Reformën Zgjedhore me qëllim garantimin e votës dhe zgjedhjeve të lira. Dje është mbledhur Komisioni për Reformën Zgjedhore, i cili ka miratuar planin e punës të propozuar më 17 maj. Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi ka deklaruar se opozita ka bërë propozime të detajuara të platformës dhe se çfarë duhet të përmbajë Kodi Zgjedhor. “Të riorganizojmë planin dhe kalendarin e punës së komisionit. Reforma kërkon ekspertizë intensive dhe cilësore. Të rishikojmë mënyrat e bashkëpunimit me asistencë të huaj. Grupi i ekspertëve të ketë qasje të shpejtë dhe brenda fundit të vitit të kemi amendime serioze”, ka thënë Bylykbashi.
Prioritet i Partisë Demokratike është votimi elektronik, por dhe ndalimi i shitblerjes së votës, një fenomen i cili nëse nuk parandalohet përmes një kornize të fortë ligjore atëherë rrezikon standardet e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Reformës Zgjedhore ku u miratua plani i punës u shpreh shqetësimi dhe për listat zgjedhore. “Duhet të trajtojmë në mënyrë të plotë dhe me vizion të hapur çështjen e korrupsionit politik, duke përfshirë kthimin e shitblerjes së votës në një vepër korrupsioni siç është propozuar që në maj që do të çojë në ndjekje efektive penale. Të ngremë strukturat për të rrudhur maksimalisht këtë rrjet agjentësh shitblerjeje vote që në mënyrë kapilare, që provohet se ekziston, ka dëmtuar procesin politik në Shqipëri, pra na duhet të operojmë jo vetëm në Kodin Zgjedhor, por dhe në ligje të tjera. Ky është një problem aq i madh sa po kthehet në fenomenin më të madh të vetëm që shkatërron proceset zgjedhore dhe nëse nuk e trajtojmë me seriozitet maksimal 2017 rrezikon shumë sa i takon standardeve dhe legjitimitetit të procesit”.
Bylykbashi thotë se duhet miratuar korniza ligjore dhe më pas të shqyrtohet mundësia e aplikimit. “Prioritare që komisioni duhet të diskutojë për të parë zgjidhjen ligjore tani pa pritur fundin e vitit është votimi dhe numërimi  elektronik  dhe identifikimi biometrik i zgjedhësve. Kur është bërë propozimi ekzistonte gjithë koha e nevojshme. Në këtë fazë për shkak se koha u humb dhe reforma në drejtësi nuk duhej të ishte i vetmi prioritet sot këtë kohë e kemi shumë të mangët. Komisioni bashkë me ekspertët të shohë me prioritet kornizën ligjore, ta miratojë tani nëse biem dakord dhe ta kalojë Parlamenti tani për t’i hapur rrugën eksplorimit teknik të mundësive dhe zgjidhjet që jep, zgjidhje e pjesshme apo e plotë. Shohim kornizën ligjore e miratojmë tani në Kodin Zgjedhor dhe më pas operojmë me çështjet të tjera” u shpreh Bylykbashi.
Çështje tjetër janë lista zgjedhore. Bylykbashi thotë se rrezikojmë të kthehemi 10 vite pas dhe për këtë duhet kërkuar llogari dhe në Ministrinë e Brendshme. “Listat e zgjedhësve, të cilat po precipitojnë me një shpejtësi të frikshme drejt situatës së degraduar të vitit 2001-2003. Mund të jemi si më 2003 kur nga një familje, bashkëshorti voton në një qendër votimi në një cep të Tiranës dhe bashkëshortja në një cep tjetër. Situata është e këtillë. 2015 dha prova dhe na duhet të shtrëngojmë kornizën ligjore tani sepse në dhjetor nis përgatitja e listës së zgjedhësve. Nuk mund të kthehemi prapa 10 vjet. T’i kërkojmë llogari Ministrisë së Brendshme pse nuk ka bërë asgjë me adresat” tha deputeti demokrat.

A.Shahini

Exit mobile version