Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Indrit Sefa, thotë se komisioni për reformën zgjedhore aktualisht është në fazën e dëgjesave.
Në një lidhje për MCN Live, ai deklaroi se sot seanca e fundit e dëgjesave të institucioneve, pas dëgjesave me shoqërinë civile, partitë politike, sot po mbahet dëgjesa e fundit me institucionet që merren me organizimin dhe monitorimin e zgjedhjeve si AMA, Drejtoria e Administratës Publike, Drejtoria e Burgjeve etj., dhe se pas kësaj faze do të shkohet në draftimin e reformës zgjedhore.
Sipas tij, propozimet e Partisë Demokratike mbështeten gjerësisht nga shoqëria civile, partitë politike dhe se disa nga propozimet e bëra nga PD, kanë mbështetjen edhe të vetë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Kemi kërkuar që në krye të herës, që të ulemi dhe të gjejmë një propozim të përbashkët.
Të vlerësojmë propozimet dhe të dalim me një paketë e cila të jetë e gjithëpranuar nga opozita.
Si ekspert në komisionin e reformës zgjedhore, kam komunikuar me deputetë dhe anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore që të japin propozime për një paketë të plotë të reformës zgjedhore të gjithëpranuar nga opozita.
Ne jemi të interesuar të gjejmë një formulë bashkëpunimi me të gjithë aktorët opozitarë, që të kemi një reformë zgjedhore të gjithëpranuar.
Propozimet e PD janë korrekte dhe i shërbejnë një procesi të rregullt ligjor, votimi dhe numërimi elektronik, besoj se është një arritje shumë cilësore në proceset zgjedhore të Republikës së Shqipërisë.
Nuk duhet të kemi shpenzim burimesh njerëzore të jashtëzakonshme. Ne mendojmë se votimi dhe numërimi elektronik duhet implementuar sa më shpejtë.
Kemi kërkuar lista të hapura, por e kemi të vështirë të mendojmë një formulë se si mund të implementohet ndarja e mandateve.
Mazhoranca e di shumë mirë se nuk mund ta lërë këtë proces pa adresuar, se është një detyrim kushtetues, siç është vota e emigrantëve.
Ne kemi dhënë propozimet tona. Ka edhe praktika të tjera për mënyrën se si votojnë qytetarët jashtë Shqipërisë, ne kemi kërkuar votim fizik, ka ide të tjera për votim me postë. Hajde ta diskutojmë.
Ne duam që ta bëjmë sa më mirë të jetë e mundshme. Adresimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të adresohet në këtë komision.
Herësi është për ndarjen e mandateve, e rrëzoi Kushtetuesja. Mazhoranca thotë nuk ka herës me 10 mijë vota, ka herës natyral.
Ndërsa për ne janë listat e hapura, ku çdo kandidat pavarësisht renditjes në fletën e votimit, duhet të vlerësohet nga qytetarët.
Ky është qëndrimi ynë. Shqipëria një zonë elektorale, të barazohet vlera e votës, ku vota e diasporës të ketë të njëjtën peshë specifike në të gjithë Shqipërinë.
Por ne mund të negociojmë edhe me këtë pjesë, mund të ndahet Shqipëria në katër zona elektorale.
Ne nuk e dimë ende se çfarë propozimi ka Rithemelimi. Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë.
Nuk themi ne që propozimi i Partisë Demokratike është më i miri në absolut.
Kjo mos marrje pjesë me vetëdije në komisionin e reformës zgjedhore dhe deklarimeve se do dështojë në të ardhmen, duket se me mos praninë në komision, dëshirojnë dështimin e reformës zgjedhore, gjë që shkon në dëm të qytetarëve.
Nëse do të jetë vullneti i duhur, do të kemi mundësi që të implementojmë dhe votën e emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme.”