Refuzimi i Kolegjit për transparencën e zgjedhjeve, PD: Edi Rama urdhërues për fshehjen e vjedhjes së pushtetit

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu, ka reaguar pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të mos përsëritur zgjedhjet në Qarkun e Fierit.

Logu, në një deklaratë për mediat tha se, vendimi është flagrant dhe i paprecedent, kurse shtoi se çështja mund të çohet deri në Gjykatën e Strasburgut.

Marash Logu: Prej dy muajsh Partia Demokratike dhe Aleanca për Ndryshim, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim, ka filluar një betejë ligjore në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve për zbardhjen e plotë të masakrës elektorale të 25 prillit.

Ne kemi sjellë me qindra fakte dhe shpjegime, të cilat shpjegonin në mënyrë të detajuar të gjithë sistemin kriminal që kishte ndërtuar regjimi Rama-Doshi për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë në 25 prill.

Fatkeqësisht por pa asnjë surprizë, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve dhe Kolegji Zgjedhor refuzoi të drejtën për transparencë, jo vetëm të Partisë Demokratike, jo vetëm të 630 mijë zgjedhësve që përfaqësojmë ne apo 107 mijë zgjedhësve që përfaqëson Lëvizja Socialiste për Integrim, por të gjithë qytetarëve shqiptarë të cilët donin të kuptoni se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në zgjedhjet e 25 prillit.

Këto vendime janë të paprecedenta. Këto vendime janë në kundërshtim flagrant me ligjin zgjedhor dhe të gjitha aktet e tjera ligjore në Shqipëri, ku i refuzohet e drejta palëve për të bërë transparencë mbi një proces zgjedhor.

Ne sigurisht e dimë se kush ka qenë mbrapa këtyre vendimeve.

Ka shumë qytetarë që na pyesin çdo ditë:

Kush nuk është i interesuar për të zbardhur të plotë masakrën zgjedhore të 25 prillit?
Kush është i frikësuar nga transparenca e plotë mbi këtë masakër?

Kush është “dora e zezë” që ka mbyllur gojën e komisionerëve të Komisionit të

Ankimimeve dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve?

Kush është “dora e zezë” që mbyll gojën e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor?

Kush është “dora e zezë” dhe kriminale që nënshkruan vendime të paligjshme?

Përgjigja është një dhe e vetme është Edi Rama. Është Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë që është njeriu më i interesuar në këtë vend për të shuar dhe për të shkatërruar çdo hapësirë lirie, çdo hapsirë demokracie dhe çdo hapësirë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që ekzistojnë në këtë vend.

Por ne e kemi marrë vendimin, e kemi thënë prej ditës së parë dhe do t’i shkojmë deri në fund.

Demokratët nuk dorëzohen.

Ne nuk dorëzohemi.

Qytetarët shqiptarë nuk dorëzohen.

Prandaj ne do ta vazhdojmë deri në fund betejën për zbardhjen e plotë të masakrës zgjedhore të 25 prillit.

Ne do ta vazhdojmë deri në fund betejën që asnjë “dorë e zezë” dhe kriminale në Republikën e Shqipërisë, qoftë kjo dora e Edi Ramës, qoftë dora e Taulant Ballës, Damian Gjiknurit apo Engjëll Agaçit të mos mundë të ndalë vullnetin e qytetarëve për ndryshim. Këtë betejë jemi të vendosur për ta çuar deri në fund.

Pyetje: Ku do të shkojë ankimimet tuaja z.Marashi, pasi vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të pankimueshme?

Marash Logu: Siç e kemi thënë edhe në fillim ne do të përdorim çdo mjet, çdo mundësi që ekziston për t’i shkuar deri në fund betejës tonë. Grupi i juristëve që është pranë Partisë Demokratike do të përgatisë shumë shpejt strategjinë ligjore që ne do të ndjekim në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Strasburgut për transparencë të plotë për procesin zgjedhor të 25 prillit dhe për të mos lejuar që zgjedhjet; që u diktuan nga krimi dhe paligjshmëria, zgjedhjet që u diktuan nga 10 mijë lejet e legalizimit të dhëna në mënyrë të paligjshme, nga 13 mijë punonjës të punësuar në administratën publike në vetëm 4 muaj, nga 63 milionë euro paga, nga 125 milionë euro që u përdorën për tërmetin, nga heqja e të drejtës së 500 mijë shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, apo votimet e shumëfishta që ne i kemi denoncuar vazhdimisht, ku në qarqe si Fieri, Tirana, Durrësi ka pasur persona që kanë votuar nga 5-6 herë të mos lejohen që të diktojnë vullnetin e shqiptarëve në zgjedhjet e 25 prillit.

Kjo është një betejë që ne do të përdorim çdo mjet ligjor, sigurisht shumë shpejt do të njoftoheni edhe për mjetet politike që do të përdoren për të adresuar këtë problematikë.

Exit mobile version