Vaksinat mund të na mbrojnë nga 23 viruse të ndryshme dhe dy lloje kanceri. Vitet e fundit janë duke u zhvilluar një numër më i madh vaksinash, përfshirë një për virusin HIV, që shkakton SIDË-n. Megjithë këto përparime, shumë njerëz zgjedhin të mos bëjnë vaksinat as për vete, as për fëmijët:
Punonjësit e shëndetësisë përpiqen së tepërmi për vaksinimin e çdo fëmije kundër poliomelitit, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos vuajë më nga pasojat gjymtuese të kësaj sëmundjeje.
Ka edhe sëmundje të tjera, të cilat mund të eliminohen, si psh fruthi; por edhe pse ekziston një vaksinë shumë e efektshme për fruthin, jo të gjithë fëmijët vaksinohen kundër sëmundjes. Në vendet perëndimore kjo ndodh kryesisht ngaqë prindërit zgjedhin të mos i vaksinojnë fëmijët.
“Nuk ka vit, të paktën gjatë periudhës që kam punuar në Spitalin Pediatrik të Filadelfias, që nuk shohim fëmijë që vuajnë apo vdesin nga sëmundje të parandalueshme prej vaksinave dhe në çdo rast kjo ka ndodhur për shkak të vendimit që kanë marrë vetë prindërit”- thotë Dr. Paul Offit, në Spitalin Pediatrik të Filadelfias.
Vitin e kaluar, në Evropë më tepër se 14 mijë njerëz u prekën nga fruthi. Numrin më të madh të rasteve e pati Rumania.
“Ne nuk mund ta luftojmë këtë sëmundje nëse nuk rrisim ritmet e vaksinimit të popullatës…Por ne duhet gjithashtu të kuptojmë përse janë në rënie ritmet e vaksinimit”, – thotë Miljana Grbic, e Asamblesë Botërore të Shëndetit në Rumani.
Shumë zyrtarë të shëndetësisë thonë se vaksinat janë viktima të vetë suksesit të tyre.
“Në kohën kur prindërit e mi ishin fëmijë, në vitet 1920 dhe 1930, difteriti shkaktonte vazhdimisht vdekje tek adoleshentët. Poliomeliti shkaktonte gjymtimin e fëmijëve dhe të të rriturve, prandaj nuk ishte e nevojshme t’i bindje prindërit tanë të na vaksinonin mua, motrën, apo vëllain,” – thotë Dr. Paul Offit, në Spitalin Pediatrik të Filadelfias.
Një studim i ri tregon se në Shtetet e Bashkuara refuzimi për vaksinat kthehet në prirje infektive: nëse një komunitet refuzon vaksinimin, edhe komunitetet ngjitur ndjekin të njëjtin shembull.
“Si prirje kolektive, ky faktor është duke shkaktuar refuzimin dhe vonesën e vaksinimeve.”- thotë Tony Yang, nga Universiteti “George Mason”.
Një numër pacientësh i besojnë keqinfromimet që ata lexojnë në internet për lidhjen e pavërtetë mes vaksinave dhe autizimit, megjithëse studimet nuk e provojnë këtë. Pastaj ata përhapin këtë informacion të gabuar tek prindër të tjerë dhe nuk kanë më frikë nga sëmundja.
“Kur ata nuk frikësohen më prej sëmundjes, ata frikësohen nga vaksinat dhe pikërisht kjo mendoj se ka ndodhur,”- thotë Dr. Offit.
Në disa vende janë forcuar ligjet për këtë çështje. Në Kaliforni nuk lejohet që fëmijët të mos vaksinohen, me përjashtim të rasteve kur ka një arsye shëndetësore.
Në Australi, qeveria ofron falas vaksina për virusin HPV. Ky virus shkakton kancerin në qafën e mitrës, kanceri i dytë më i përhapur në mbarë botën tek gratë.
20 deri 30 vjet më pas, pritet që në Australi të vërehet një rënie e ndjeshme e këtij lloji të kancerit, në saje të politikave qeveritare dhe një vaksine të efektshme.