Në monologun e gjatë katër orësh, njësoj si Vladimir Putini në Kremlin, Edi Rama, megjithatë e dha një qëndrim të fortë.
Rama u ka thënë zyrtarisht “JO!” kërkesës së SHBA për ta zgjatur mandatin e prokurorëve të SPAK-ut, si dhe çështjen e drejtuesit të prokurorisë Speciale që aktualisht ka një mandat tre vjeçar.
Fraza që ‘do ta mendojmë këtë kur të vijë koha’, pra në vitin 2028, nuk është gjë tjetër veçse një kundërshtim i hapur ndaj kërkesës zyrtare të administratës Biden.
Tani mund të thuhet qartazi se ka ‘ngricë’ të qeverisë amerikane me Edi Ramën, dhe kjo ‘ngricë’ jo vetëm që është zyrtare, por shumë shpejt do të priten edhe pasojat e gjithë kësaj kokëshkretjeje.
Rama shpreson se me ardhjen e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë gjërat të ndryshojnë, e t’ja hedhë me akrobacitë e njohura e me lobimin që ka nisur prej kohësh me Richard Grenell dhe dhëndrin e Presidentit të ri.
Por sipas të gjitha gjasave, Departamenti i Shtetit, që do të drejtohet nga Senatori Marco Rubio do ta rinovojë kërkesën për qeverinë shqiptare.
E me shumë mundësi, do t’i kërkojë që ta kenë urgjente përgjigjen zyrtare. E nëse Rama refuzon, atëherë do të nisë përplasja e madhe me amerikanët.
Kryeministri shqiptar shpreson se ta shtyjë deri në maj, me axhendat më urgjente të administratës Trump, si ajo e mbylljes së luftrave, ndaj ka menduar që deri në zgjedhje të mos lëvizë nga e tija. Më pas, nëse merr mandatin e katërt me më shumë deputetë, do të ketë mundësi më të mëdha lëvizje.
Por deri në 20 janar ka ende ditë, e nuk është çudi që nga Uashingtoni të vijë një ‘bombë’ siç i shkoi Artan Grubit në Shkup, pikërisht sepse refuzoi amerikanët për të mbështetur Stevo Pendarovskin si President i Maqedonisë së Veriut.
Rama, ndërkohë në takime sallonash me diplomatë po hap fjalë se nuk do t’i refuzojë amerikanët, siç nuk e ka bërë edhe në të shkuarën, me shpresën që t’i vërë në gjumë.
Pasi frika më e madhe e Bablokut është një blindim edhe më i madh i SPAK-ut, që mund të sjellë edhe një konseguencë më të rëndë për njerzit e tij.
Komisioni “Xhafa” është ngritur pikërisht për t’i bërë të ditur prokurorëve, se mazhoranca i ka mekanizmat gati për të ndryshuar ligjet menjëherë, e për ta kthyer SPAK-un nga një luan në një mace. Siç ndodhi para disa vitesh në Rumani, kur nisën arrestimet e politikanëve të lartë.