Në datën 27 dhjetor 2017 qeveria mbyll tenderin e hapur pak kohë më parë për blerje kondicionerësh për gjithë godinën e Kryeministrisë me qëllim garantimin e ngrohjes së godinës për gjatë dimrit. Por ndërsa tenderi me një vlerë prej 520 milionë lekësh është gati për t’iu dhënë klientit të radhës pranë Ramës
Prej ditës së enjte, Shqipëria është përfshirë nga reshjet masive, duke sjellë përmbytje veçanërisht në jug të vendit. Qindra familje kanë braktisur banesat, duke u strehuar në shkolla apo ambjente sportive. Njëkohësisht me reshjet, temperaturat e ulëta kanë mbërthyer Shqipërinë, ndërsa në alarm janë dhjetëra çerdhe, kopshte, shkolla, konvikte, spitale, etj., për ngrohje. Disa bashki apo spitale, kanë vonuar procedurat për blerjen e sobave dhe druve, ndërsa të tjera kanë blerë pelet.
Por në këtë kohë dimri të ashpër, i vetmi që do të shpëtojë nga i ftohti është kryeministri Rama. Ai ka menduar të ngrohë veten e tij, duke ndërruar të gjithë sistemin e kondicionimit në Kryeministri.
Tpz.al ka siguruar dokumentet e një tenderi që ka hapur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me objekt “vendosje e sistemit me eficencë, të lartë të ngrohjes/ftohjes dhe ventilimit në disa mjedise të rëndësisë së veçantë brenda ndërtesës së Kryeministrisë”. Fondi limit për këtë tender është 52 820 000 lekë me TVSH, ndërsa mësohet se kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 3 muaj nga lidhja e kontratës.
Ndërkohë, në dokumente thuhet se, si rezultat i një studimi, analize dhe kontrolli disa ditor mbi gjendjen aktuale të sistemit ekzistues të ajrit të kondicionuar në objektin e ndërtesës së Këshillit të Ministrave u konstatua se i mungon totalisht sistemi i ventilimit që do të krijonte premisa për largimin e ajrit të ndotur dhe futjen e ajrit të freskët.
Në dokumente nënvizohet se, njësitë e brendshme nuk janë zgjedhur konform destinacionit si dhe ngarkesës termike të nevojshme për çdo hapësirë të okupuar. Madje, në këto dokumente thuhet se, “një vend pune që të ofron një komfort termik në dy stinat më problematike dimër dhe verë, sjell një suport maksimal në punë, ajër të pastër më me pak bakterie, ajër ku mund të vendosen aroma të ndryshme dhe mbi të gjitha një sistem qendror të rregullueshëm”.
Më herët, Tpz.al raportoi se, Ministria e Energjisë dhe Transportit, që drejtohet nga Damian Gjiknuri, akordoi plot 130 milionë lekë të vjetra për të rregulluar sistemin e kondicionimit. Por ndërkohë, dhjetëra fëmijë u asfiksuan para pak javësh në fshatin Shupenzë të Bulqizës, si pasojë e gabimit të sistemit të ngrohjes në shkollë. Vetëm 1/10 e fondit e kondicionerëve të Kryeministrisë duhen për të ngrohur këtë shkollë në Shupenzë, për të shmangur të ftohtin dhe tragjeditë.
Kjo është qeveria, që në radhë të parë kujdeset për veten, për klientët e saj dhe po teproi ndonjë kacidhe, mendon edhe për popullin.
Fonde për zyra, makina dhe fasada ministrish por jo për përmbytjet
Ndërkohë që vendi është ende nën efektet e katastrofës pas përmbytjeve të shumta dhe qeveria refuzon që të deklarojë dëmshpërblimin e shkatërrimit të mijëra banesave dhe pronave, një media afër kryeministrit, gazeta “Tema” zbulon me arrogancë shifrat e shpenzimeve që qeveria Rama do të bëjë për vitin 2018 për zyra, makina dhe fasada ministrish. Ndërkohë që, fondi i Emergjencave Civile është në shifrat e 1.3 milionë eurove, gati sa gjysma e shifrës të destinuara për pishat që do të zëvendësojnë palmat në autostradën Tiranë-Durrës, qeveria Rama II në buxhetin e vitit 2018, ka parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh të reja vetëm për rikonstruksionin e godinave të ministrive, blerje makinash dhe pajisje për zyra. Dhe natyrisht, pjesën e luanit e kanë zyrat e kryeministrit dhe ato të një shpure të madhe punonjësish, që punojnë aty. Ambientet e selisë së Ramës, edhe pse janë rregulluar dhe mobiluar dhe disa herë gjatë 4 viteve të kaluara, sërish do të thithin vitin që vjen plot 224 milionë lekë të reja. Këto para të taksapaguesve shqiptarë, të cilët gjatë ditëve të fundit e kanë gjetur veten në mëshirën e natyrës që ju ka shkatërruar banesat dhe bizneset, janë parashikuar për të blerë pajisjeve elektronike dhe për të bërë sërish rikonstruksionin e godinës. Më pas renditet Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave, për të cilën parashikohet një fond prej 218 milionë lekësh, vetëm për blerje të pajisjeve elektronike dhe sistemeve elektronike. Ndërkohë për Ministrinë e Drejtësisë është parashikuar që të shpenzohen 125.5 milionë lekë, ku pjesa më e madhe parashikohet për rikonstruksion të godinës.
Fondi për përmbytjet sa rikonstruksioni i zyrave të Ramës
Fondi që qeveria do të japë për parandalimin e përmbytjeve në buxhetin e vitit 2018 është thuajse i barabartë me paratë që buxheti ka shpenzuar për rikonstruksionin e zyrave të Kryeministrisë.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se vitin e ardhshëm qeveria do të shpenzojë 524 milionë lekë ose 4.6 milionë dollarë në total për të parandaluar përmbytjet në të gjithë Shqipërinë.
Këto fonde do të financojnë rehabilitimin e kanaleve të kullimit dhe argjinaturat në lumenjtë më problematikë të vendit për të mbrojtur banorët dhe bizneset nga përmbytjet. Por të dhënat tregojnë se fondet që buxheti jep në një vit për përmbytjet janë vetëm pak më të larta se sa kostoja që taksapaguesit do të paguajnë për rikonstruksionin dhe mobilimin e zyrave të Kryeministrisë për periudhën 2016-2020.
Më konkretisht, rikonstruksioni i Kryeministrisë dhe blerja e mobilieve do të kushtojë 465.3 milionë lekë, ose plot 4 milionë dollarë, ndonëse ky është një program investimi i shtrirë në katër vite.
Por Kryeministria është vetëm një institucion. Në total për vitin 2018, buxheti i shtetit do të japë 18.4 milionë dollarë për rikonstruksionin e zyrave të institucioneve publike. Kjo është gati katër herë më e lartë se sa fondet që qeveria jep për të mbrojtur qytetarët nga vërshimi i ujërave.
Gjatë përmbytjeve të fundit kryeministri Edi Rama ka deklaruar se, falë investimeve u parandaluan dëme të mëdha dhe pasojat e përmbytjeve kanë qenë të vogla. Kjo edhe pse aktualisht mijëra hektarë tokë dhe mijëra banesa gjenden nën ujë, duke shkatërruar ekonomitë familjare të qytetarëve.
Për më tepër shumë prej tyre do të mbeten të pazhdëmtuar, ashtu siç ka ndodhur me të përmbyturit e dy viteve më parë, të cilët presin ende të marrin kompensimet e premtuara nga qeveria. Por, para se të shkojnë për të kompensuar familjet, ekonomitë e të cilave janë shkatërruar nga përmbytjet, fondet duhet të shkojnë për mobilimin dhe rehatin e Kryeministrisë.