Eden Hazard nuk beson se ai është njeriu i duhur për të zëvendësuar Xhon Terrin si kapiten, pasi mbrojtësi veteran të largohet nga “Stamford Bridge” në fund të këtij sezoni. Terri, i cili debutoi me blutë e Londrës në vitin 1998, lajmëroi largimin e tij nga klubi kur t’i skadojë kontrata në fund të këtij sezoni.
Kolegu i tij i repartit, Geri Kejhill, ka mbajtur shiritin e kapitenit në mungesë të tij këtë sezon, por një kapiten i ri pritet të emërohet përpara startit të sezonit të ardhshëm. Hazard e ka mbajtur shiritin me kombëtaren belge gjatë kualifikueseve të Botërorit 2018 në mungesë të Vinsent Kompanisë, por belgu nuk preferon që ta marrë këtë përgjegjësi edhe në klubin e tij.
“Unë mendoj se ne kemi disa lojtarë, të cilët mund të jenë më shumë se kapitenë në këtë skuadër”, tha mesfushori gjatë një interviste për “Sky Sports”. “Me kombëtaren unë nuk e di nëse jam një kapiten i mirë, por jam një kapiten në fushë. Jashtë fushe nuk më pëlqen të flas shumë. Në Angli mendoj se kapiteni ka detyrë të flasë shumë dhe t’i përgatisë shokët për ndeshjet. Unë nuk jam ky lloj futbollisti. Mund të flas me këmbë, por nuk është detyra ime të flas me të gjithë. Terri e bën këtë shumë mirë, ashtu si Geri (Kejhill), Sezari (Azpilikueta), madje edhe Cesku (Fabregas). Ata meritojnë të jenë kapitenë”.
Ylli 26-vjeçar u nxit nga kolegu i tij, Cesk Fabregas, që të tregohet më egoist nëse do të arrijë nivelin e Lionel Mesit në të ardhmen. Por Hazard, i cili i jep të drejtë atij, thotë se shoku i tij spanjoll nuk është i vetmi që i kërkon që të tregohet më pak altruist përpara porte.
“Fabregasi nuk është i vetmi që ma thotë një gjë të tillë. Shumë njerëz të tjerë thonë se unë duhet të jem më egoist. Por kur unë jam në fushë, ndonjëherë preferoj që të pasoj sesa të godas vetë. Nëse e kam mundësinë për të finalizuar i vetëm, unë nuk druhem kurrsesi, por nëse unë vendos që të shërbej, e bëj sepse mendoj se pasimi është gjëja më e mirë në atë rast. Kaq e thjeshtë është. Por unë përpiqem ndeshje pas ndeshjeje të përmirësohem dhe e di se duhet të shënoj më tepër gola që të arrij në nivelin e Mesit dhe Ronaldos. Jam duke punuar për këtë”.
Chelsea kalon Southampton 4-2 në ndeshjen e parë të javës së 33 të Premier League dhe rivendos përkohësisht në +7 diferencën me vendin e dytë të mbajtur nga Tottenham. Goli i parë i takimit erdhi që në minutën e 6 nga Eden Hazaard. Ndeshja u bë më spektakolare pasi me kalimin e minutave miqtë e rritën ritmin dhe barazuan me Romeun. Në sekondat e fundit të kësaj pjese, Gary Cahill riktheu qetësinë te “Blutë e Londrës” me një gol vendimtar pasi i hapi rrugën edhe golit të tretë që u realizua nga Diego Costa.
Sulmuesi me origjinë braziliane shtoi edhe golin e dytë personal në sekondat e fundit duke kompletuar një mbrëmje perfekte edhe pse “Shenjtorët” ngushtuan diferencën në kohën shtesë. Me këtë sukses Chelsea shkon në kuotën e 78 pikëve kur kanë mbetur edhe 5 javë nga fundi i Premier League.