Refuzoni bukën e turpit, votoni për dinjitetin tuaj më 11 maj!

Në këto zgjedhje, partitë e vjetra vijojnë të përbuzin qytetarët dhe në vend të ideve dhe vizionit, ato ofrojnë një pjatë sot për katër vite skllavëri nesër, duke e trajtuar qytetarin thjesht si bark, e jo si njeri të lirë dhe të denjë.

Dr. Eljan Kasa, kandidat i Koalicionit Euroatlantik në Qarkun Durrës, u bën thirrje qytetarëve të refuzojnë këtë ofertë poshtëruese. Në 11 maj, mos e shisni dinjitetin për një copë bukë! Votoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj, votoni për ndryshimin e vërtetë!

Postimi i plote:

Buka e turpit ose skllavëria e katër viteve.
Partitë e vjetra, dhe jo vetëm edhe këtë fushatë, vazhdojnë avazin e vjetër, drekëra, darka, shfaqje, ahengje, të gjitha me lekët që ia kanë marrë këtij populli me mashtrim, korrupsion dhe vjedhje të pashpirt. Në vend që të kërkojnë votën me ide dhe programe, ata e kërkojnë duke blerë stomakun e uritur të shqiptarëve, duke shtruar tryeza luksi mbi kurrizin e varfërisë së shumicës.
Kjo nuk është thjesht një fushatë elektorale, është një ofertë e turpshme, një pjatë ushqimi sot, për katër vite skllavëri nesër. Një darkë me muzikë dhe premtime boshe, për të marrë firmën që i jep të drejtën të vazhdojnë rrënimin e vendit dhe shkatërrimin e shpresës së rinisë shqiptare.
Bëhuni më të ndërgjegjshëm, o njerëz! Refuzoni bukën e turpit! Mos lejoni që dinjiteti juaj të shitet për një thes miell, një copë mish, apo një gotë raki. Sepse ai që e shet votën sot, nuk shet vetëm veten, shet të ardhmen e fëmijëve të tij, shet Shqipërinë!
Partia që ju trajton si bark, dhe jo si qytetarë, nuk meriton votën tuaj. Politikanët që ju ofrojnë darka me paratë tuaja, nuk janë shërbëtorët tuaj, janë uzurpatorët e lirisë suaj.
Sot jeni të ftuar nëpër tryeza, nesër jeni të harruar në radhët e papunësisë, të spitaleve të rrënuara, të shkollave të braktisura dhe rrugëve pa shpresë.
Politika e darkave dhe dreka-ve është politika e një mafie që nuk kërkon t’ju japë të ardhme, por t’ju mbajë peng. Ata nuk duan qytetarë të lirë, ata duan njerëz që heshtin nga frika ose varfëria.
Jeni njerëz! Nuk jeni thjesht numra për t’u shfrytëzuar një herë në katër vjet. Meritoni të trajtoheni me dinjitet, me respekt, me mundësi për të ndërtuar një jetë të ndershme, pa varësi dhe pa frikë.
Prandaj, në 11 maj, mos pranoni asnjë “bujari” të rreme. Refuzoni ofertën e turpit. Votoni për dinjitetin tuaj. Votoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj. Sepse Shqipëria nuk shpëtohet me një darkë fushate, shpëtohet me zgjedhje të ndershme dhe të mençura.
Mos e shisni shpirtin për një copë bukë!

Exit mobile version