Regjimi që themeloi Rama, jo vetëm duhet të përmbyset, por…

Romeo GURAKUQI

Europa e vertetë zgjodhi, dhe klasa e saj politike reflektoi menjëherë!
Nga Londra në Athinë, forca e lirisë zgjedhore të qytetarëve të mbrojtun nga shteti, përmbysi brenda natës pa asnjë demonstrim qeveritë, duke hapur mundësinë e rikonfigurimit nacional të udhëheqësisë. Struktura institucionale e demokracive funksionale pamundëson çdo abuzimin me “legjitimitetet” e tejkalueme nga rrjedhat politike të përditshme.

Ndërkohë, Shqipnija e paeuropianizueme, e varfën dhe e deformueme në hierarkinë e vlerave dhe parimeve kushtetuese, gjindet nën agoninë e dhunës së gangsterëve, që mbrojnë nji rreth njerëzish të kapun pas të shkuemes dhe pasunive të vendosuna me padrejtësi. Këtu, prej kohësh, shpresa e ndryshimit përmes votës nuk ekziston.

Aq poshtë ka ra ky vend, sa sytë e shqiptarëve të mbetun në kurthin e nji shteti të pa shpresë, këto ditë janë drejtue nga ndërmjetësimi i nji biznesmeni të oligarkisë, mbasi kryeministri i tyre nuk lëviz nga bunkeri i rrethuar me ushtarë të verbër. (i vertetë apo i rreme ky fakt, askush nuk mund ta mohojë, se fati i zgjidhjeve politike ngelet ende i varun ndër përzgjedhjet, humorin, interesat e “klasës së të pasunve mospërfillës”, që jetojnë në orgjinat financiare, allishverishe të paligjshme, të thuruna netevë, ndër rezervatet e Kunorës së Tiranës).

Por papritmas, si për t’i ngjallun pak shpresë bashkëqytetareve nën rrethim, nji vajzë shqiptare, prej atyre familjeve, që i kanë shërbye përherë më përkushtim dhe dashuni vendit amë, zgjidhet euro-deputete në Stokholm. Nji andërr, që në adheun e saj të kapun nga vulgu i ngritun në maje, nuk do të mund ta realizonte kurrë. Asht mundësia, që të jep nji vend i lirë, ku forca e sovranit përcakton gjithshka, rikonfiguron me detyrim çdo orientim politik, ndryshon rrjedhat dhe qëndrimet, përmbys çdo orvatje për të ecë mbi shabllonet e nji kohe të kapërcyeme.

Megjithë pamjen dhe perspektivën e zymtë për vendin, po ta shohim me kujdes, sot asht nji ditë e re dhe ka nji dritë shpresë, që buron përtej nesh. Nuk asht tanimë vetëm Beogradi, Podgorica, Shkupi dhe Prishtina, që kontrastojnë me rregulla dhe logjikë konstitucionale, Tiranën zyrare të socialistëve të palëkundun. Nga Roma, Athina, Berlini dhe Brukseli, si përherë, këmbana e shembullit të kërkimit të legjitimitetit demokratik për të qeverisun ka mbërritë sot në mengjes në qiellin e Shqipnisë së zymtueme nga qorrat qeverisës.

Gjasat dhe logjika na prijnë të mendojmë, se sot janë orët e fundit të njeriut të mbyllun në bunker. As batutat e sarkazmat e huazueme nga e kaluemja bulevardeske, as përqeshjet prej kulimi të kundërshtarëve, as krekosjet alla musoliniane, nuk do të mund t’ia fshehin dot ma shkërmoqjen që i bani shtetit, akti final i të cilit u mbyll në Rinas, me 9 prill 2019, si fasadë e grabitjeve të mirë-organizueme dikund tjetër në kupolën ilegale komanduese.

Mirëpo, përvoja politike e rezistencës së tij të palogjikshme na ban me arsyetue, se ai do të vijojë i patundun rrugën e shurdhët dhe të krenarisë absurde.

Opozitës i takon të ruhet në këto orë nga lëvizjet e tij të bëfta, për të cilat, ai ka disa javë, që e ka përgatitun rrethin e tij të ngushtë të udhëhëqësisë socialiste: kalim në zgjedhje të parakohshme në muajin shtator, të organizueme nga qeveria e tij dhe parlamenti i sajuem me paratë informale të klientelës.

Por, Shqipënia nuk është nji vend normal si të gjithë të tjerat vende rreth e qark nesh, në pikëpamje të strukturës demokratike zgjedhore dhe institucionale. Si kanë ardhun punët, këtu nuk mund të shkohet në zgjedhje pa nji periudhë të nevojshme tranzitore të ristabilizimit demokratik. Opozita Demokratike, Shoqëria Civile, Elita Intelektuale ka sot për detyrë t’i heqë tubat e mbijetesës dhe të rikthimit të të sëmurit, që rrënoi familjen shtetërore shqiptare.

Dhe këtu qëndron problemi: Të prihet populli për t’i këputë kryet së keqës: Serioziteti i nismës reformative dhe saktësia e ndryshimit mbetet sfida kryesore e kujtdo, që e ka njimendësisht përmbysjen e Regjimit Rilindas, për arsye të interesave publike afatgjata.

Kjo do të thotë, që regjimi i shformimit shtëterore, që themeloi Edi Rama, jo vetëm duhet të përmbyset, por ristabilizimi pasues shtetërore, asht i nevojshëm të kryhet tanimë pa asnji gabim dhe asnji improvizim. Detyra asht shumë komplekse për shkak të ndërlikimit të situatës legale për zgjidhje themeltare.

Sfida themelore asht ndërtimi paraprakisht, me studim profesionistësh, i të gjithë modelit ristabilizues. Nji numër shumë i madh qytetarësh të pa-anshëm i janë bashkangjitun opozitës në muajt e fundit, por sfida kryesore mbetet tek tërheqja e njerëzve, që dijnë të lexojnë dhe analizojnë realitetin, asnjanësit, që kanë nevojë për injektim të fuqishëm sigurie e besimi, se e nesermja do të jetë nji Shtet i Europianizuem.

Bahet fjalë për ristrukturim burimesh njerëzore të drejtimit politik të Shtetit të shkërmoqun nga baronët e kanabisit dhe kokainës. Duhet nji rivendosje e rendit të kapaciteteve, nji rikualifikim i pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit të drejtimit, për shkak se Rilindja shkërmoqi hierarkinë e vlerave.

Pa realizue këtë rishtresëzim të hierarkisë profesionale, pa heqë vulgun nga urdhnimi i njerëzve të lexuem, asht e vështirë këputja e fillit të rrethit, që rrotullon marrëzinë e politikës. Saktësia e drejtimit asht nji çështje kulturore e mbartësve të udhëheqësisë, asht problem dijesh dhe përvoje, asht çështje programore, asht saktësi metode, asht pastërti dhe cilësi e burimeve njerëzore mbështetëse, asht dijeni për shtresëzim nivelesh për pjesëmarrjen në qeverisje dhe administratë.

Tanima, improvizimet, diletantizmi, mungesa e përgjegjësisë do të jetë e pafalshme dhe saktësia e implementimit të modelit teorik të veprimit, për rastin e Shqipnisë së vitit 2019, mbetet nji detyrim ndaj historisë dhe trashëgimisë së themelvënësve.

Nuk ka ma “njeni thumbi e tjetri patkonit”. Bindja, se në këtë vend nuk mund të bahet ma kurrë nji punë për së mbari, që të zgjasë në kohë, duhet të demontohet kësaj radhe me themel. Ushujzat, që ia kanë thithë gjithmonë gjakun Shqipnisë, pa ia pa kërkush hajrin, nuk duhet të lejohen të na shfaqen si shpëtimtarë dhe neutralizatorë të përplasjes.

Opozita Demokratike ka për detyrë të japë shpresën e vet. Disfatizmi i shqiptarëve të sodit ndaj politikës, duhet të bjerë, pa i futë të gjithë në thesin e pleshtave, që i pijnë gjakun njerëzve të kësaj shoqnie. “Rilindasit” erdhën dhe shkatërruen fund e maje gjithshka pozitive i kishte mbetë shtetit andërrues të shqiptarëve, të dalun prej diktaturës në vitin 1991. Ndaj ne sot, duhet të kemi ndërgjegjën e pastër dhe mendjen e kthjellët me krye detyrën dhe me korigjue me themel shtetin, një herë e mirë.

Sëmundja duhet sherue me rranjë dhe ekipi, që do të kryejë operimin kirurgjikal të shtetit dhe do rikthejë barazinë zgjedhore të subjekteve, duhet të jetë ma i miri. Këtë ma të mirin nuk e zgjidhë populizimi, as përlloraritjet e përkohshme. Unë e kam të qartë, se në nji kohë si e jona dhe në një vend si i yni, “ku qejt janë çu peshë duke u shty njeni me tjetrin, kush hardalliset e kapardiset ma shumë”, ku në administratë, karrocierat trafikantë me parti, zaptuesit e pronës së qytetarëve, prej kohësh drejtojnë inxhinierat dhe ekonomistët, asht e vështirë me vendos rendin normal të gjanave, pa krijue pakënaqësi dhe diferencim.Por nuk ka rrugë tjetër për me ringjallë shpresën e saktësisë së aksionit të përmbysjes së “regjimit të gangsterëve”.

Duhet guxim për me veprue pa diletantizëm, mbasi lipset me u ba detyra ndaj Shqipnisë sot. Në qoftë se kjo nuk ndodh kështu, nesër në këtë vend kanë me mbete vec llumi i një shoqnie, ajo pjesë qi mendon, se pasunimi i shpejtë me çdo mënyrë e mjet, justifikon gjithshka.
Ne nuk duhet të lamë ma shqiptarë të tjerë pa atdhe!

Artikulli paraprakVeliaj dhe Gurra përdorin darkën e iftarit për sulme politike, myftiu: Erjoni është vëllai im!…
Artikulli tjetërSi të forcojmë sistemin imunitar