Rei Manaj ka arritur të gjejë për të dytën javë radhazi golin me fanellën e Pizës. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, kishte shënuar një javë më parë për ekipin e tij, por kishte parë se si ekipi i tij mundej edhe pse i kishte dhënë avantazhin.
Këtë radhë, sulmuesi i talentuar të paktën pa se si goli i tij pati vlerë pikësh, pasi i siguroi një të tillë Pizës, në barazimin 1-1 ndaj Latinës. Sulmuesi ishte titullar me skuadrën e tij në këtë sfidë dhe krijoi rrezikshmëri për portën kundërshtare disa herë derisa arriti të gjente rrjetën me një devijim me kofshë, kur regjistrohej minuta e 50-të e takimit.
Ai u zëvendësua në minutën e 67 dhe pa nga pankina se si ekipi i tij u arrit në fund nga Korvia. Në minutat e fundit të ndeshjes, në sulmin e Pizës u aktivizua Edgar Çani, por pa arritur të krijonte rrezikshmëri para portës kundërshtare. Për paraqitjen e sotme, sulmuesi shqiptar u vlerësua me notën 7 nga “TMW”.