Reijnders: Milano kuqezi, dua ta mbyll me këtë fanellë! Europa detyrim për klubin, objektivi im është ylli i dytë…

Dy vjet më parë, Milani e bleu për 20 milionë euro të AZ Alkmar, ndërsa sot vlera e tij është trefishuar. Meritë e paraqitjeve, por sidomos e 15 golave sezonalë, që e bëjnë golashënuesin më të mirë ekipor. Në lidhje me rritjen e tij, Tizhani Reijnders ka folur në një intervistë ekskluzive për “La Gazzetta dello Sport”.

Si ka qenë ky sezon për ju?

Kam shënuar shumë, por, për fat të keq, jo gjithmonë Milani ka marrë maksimumin. Do të kisha këmbyer me shumë dëshirë golat e mi me disa pikë më tepër në renditje. Për momentin, po shijoj suksesin në derbi. Më në fund Milano është kuq e zi, sepse Interi nuk na ka mposhtur kurrë këtë sezon. Ne treguam se çfarë mund të bëjmë dhe i fundit ishte më i miri nga pesë derbet që luajtëm.

Në përballjet me Interin, kush ka më shumë merita?

Padyshim, trajneri Konseisao. Folëm për mundësinë e fitimit të dy trofeve dhe dolëm në fushë të vendosur për të arritur në finale. Moduli i ri përshtatet mirë me karakteristikat e skuadrës. Gjithmonë mund të përmirësohemi, por besoj se jemi në rrugën e duhur.

Çfarë mendoni për finalen e Kupës së Italisë?

Do të përballemi me një kundërshtar të fortë, i cili ka zotërimin e topit si pikën më të fortë. Për më tepër, kanë cilësi në sulm, veçanërisht në korsi dhe do të jetë e vështirë. Krahasuar me ndeshjen që humbëm në kampionat, tani luajmë ndryshe dhe jam i bindur se do të bëjmë më mirë. Jemi të sigurt, sepse jemi Milani dhe kemi një ekip cilësor. Në Romë duhet të tregojmë se jemi skuadra më e mirë.

Keni folur për finalen me bashkatdhetarin tuaj Beukema?

Ndonjëherë flasim. Ndoshta do të flasim përsëri në ditët në vijim… E njoh mirë edhe Odgardin, i cili nuk është holandez, por e kam pasur shok skuadre te AZ. Fitimi i Superkupës ishte fantastik dhe ndjeva ndjenja të pabesueshme. Më bëri të doja të fitoja edhe trofe të tjerë. Të jesh në finalen e Kupës, është një mundësi e shkëlqyer dhe duhet të shkojmë në Romë me një qëllim: të sjellim në shtëpi Kupën.

Pse këto arritje në Superkupë e Kupë Italie dhe vendi i nëntë në Seria A?

Nuk ishim mjaftueshëm të qëndrueshëm në aspektin e performancës dhe lamë shumë pikë gjatë rrugës. Të mërkurën patëm një mundësi të shkëlqyer për të arritur në finale dhe për të vazhduar synimin për kualifikim në turnetë europianë. Fitimi i Kupës së Italisë mund të na lejojë të marrim pjesë në Ligën e Europës dhe duhet të përpiqemi ta fitojmë. Në fushë ishim të uritur si ujqër dhe gjithashtu treguam atë cilësi që nuk është parë gjithmonë gjatë sezonit.

Pse nuk është parë gjithmonë, sipas jush?

Nuk ka shpjegim, përveç faktit që nuk kemi qenë të qëndrueshëm. Një shembull i qartë është se fituam në “Bernabeu” dhe më pas barazuam me Kaljarin. Nëse do të luftosh për të fituar kampionatin, nuk mund ta pranosh një ulje-ngritje të tillë. Duhet të bëjmë shumë më mirë në këtë pjesë të fundit të sezonit. Jam i bindur se do të përmirësohemi.

A flasim pak për të ardhmen, në lidhje me ëndrrat tuaja?

Fitimi i trofeve është synimi madhor. Këtë sezon mund të fitojmë dy, por në sezonet e ardhshme ëndrra ime më e madhe është të vendos yllin e dytë në fanellën e Milanit. Jam i dashuruar me këtë fanellë dhe është një nder ta vesh.

Dhe pas rinovimit, do ta vishni deri në vitin 2030?

Të jetosh në Itali dhe të luash për një klub si Milani, është ëndrra që kam pasur që kur isha fëmijë. Familja ime është e lumtur këtu dhe, kur më ofruan rinovimin, ishte një zgjedhje e lehtë. Gjithashtu, falënderoj klubin; drejtorët nxituan ta zgjasin marrëveshjen tonë.

Së fundmi, mund të na shpjegoni pse festoni me krahë hapur?

Është një imazh që më erdhi në mendje pak kohë më parë. Kur jam në shtëpi, shpesh bëj shaka dhe, nëse gjërat nuk shkojnë sipas dëshirës sime, shpesh them: ‘C’est la vie’ (Kështu e ka jeta). Ai gjest me krahët e mi përmbledh moton time, por unë preferoj ta bëj në fushë pas një goli, sesa kur gjërat nuk po shkojnë sipas dëshirës sime.

Exit mobile version