Reklamat në rrjetet sociale mundin printin

Në rrjetet sociale, shpenzimet publicitare botërore parashikohet të rriten me rreth 72% mes viteve 2016-2019, nga 29 miliardë dollarë aktualisht në 50 miliardë dollarë. Agjencia e njohur e reklamave Zenith, në raportin e ri “Advertising Expenditure Forecasts”, bën të ditur se reklamat në rrjetet sociale do të zënë 20% të shumës së përgjithshme të shpenzimeve në vitin 2019, ose me rritje 16% nga viti 2016.
Reklamat në rrjetet sociale parashikohet të rriten mesatarisht në vit me rreth 20% dhe në vitin 2019, vlera e tyre do të jetë vetëm 1% më e ulët se reklamat që publikohen në të përditshmet në print (50,2 mld dollarë amerikanë për rrjetet sociale krahasuar me 50,7 mld dollarë amerikanë në të përditshmet).
Nga viti 2020 e në vazhdim, reklamat në rrjetet sociale do t’ua kalojnë atyre në variantin print. Për shumë përdorues, rrjetet sociale zënë një pjesë të rëndësishme në jetën e tyre dhe janë burimi kryesor i informimit.
Po ashtu, reklamimi online me video, që po përhapet me shpejtësi falë pajisjeve mobile, po rritet me ritme të njëjta me ato në rrjetet sociale (18% në vit). Falë kësaj ecurie, në vitin 2019 ky treg do të arrijë 35,4 mld dollarë në nivel botëror, duke kaluar me fare pak shpenzimet për reklamat në radio (35 mld dollarë).
Për sa i përket tregut të reklamave, Zenith parashikon një rritje 4.4% në vitin 2017, duke qenë se nuk do të ketë evente të mëdha sportive si ato që u zhvilluan në vitin 2016, siç ishin Lojërat Olimpike dhe Kampionati Europian i Futbollit, përfshi këtu edhe zgjedhjet në SHBA.
Për Europën Perëndimore dhe Qendrore, parashikohet një rritje 2.8% të shpenzimeve për reklama në vitin 2017 dhe një rritje vjetore me 3.9% nga viti 2016-2019.
“Rrjetet sociale dhe videot online do të ndikojnë në rritjen vjetore të shpenzimeve për reklama, pavarësisht kërcënimeve politike në zhvillimin e ekonomisë”, tha Jonathan Barnard, kreu i parashikimeve në Zenith.

Exit mobile version