“Rekomandimet nuk vijnë nga qeveria që është në konflikt interesi me drejtësinë”/ Gentian Gaba: SPAK, e vetmja shpresë që nuk pyet për asnjë

Nga Gentian Gaba

Menjëherë pas zgjedhjeve, qeveria e drejtuar nga kryeministri që pak muaj më parë thërriste drejt SPAK-ut “mos guxoni të më merrni telefonin”, doli me një “paketë rekomandimesh” për drejtësinë, duke e nisur aty ku e la punën me komisionin Xhafaj dhe sulmet hibride ndaj SPAK-ut, që i ka arrestuar për korrupsion kampionët me të cilët mbushej fushata dhe posterat zgjedhorë.
I quajnë “propozime për forcimin e shtetit ligjor”, por kush i lexon me mend në kokë, e kupton fare mirë se këto janë mjete të vrazhda për t’i prerë hovin SPAK-ut.
Sepse kur drejtësia, sado e papërsosur, afrohet te zyrat e pushtetit, kur prokurorët u shkojnë politikanëve në prag të derës për pasuri të paligjshme dhe afera kriminale, atëherë lind urgjenca për ta frenuar: “sa pa na kapur të gjithëve”.
Në propozimet e Ulsiut të dosjes 184 thuhet se duhen respektuar “të drejtat procedurale”, se duhen “masa sigurie me kujdes”, se “mos vononi hetimet pa arsye”…
Në fakt, këto janë sinjale për të trembur prokurorët: kujdes kë prekni, se do ju dalim me gjyqe, me procedura, me sulme! Pra, kur drejtësia u afrua te të fortët, menjëherë u kujtuan të shpikin rregulla të reja, jo për drejtësinë, por për mbrojtjen e të korruptuarve.
Një tjetër pikë interesante është ajo ku thuhet se Ministria e Drejtësisë do të bashkëpunojë për hartimin e politikave penale.
Po SPAK-u pse u krijua? Pikërisht që të jetë i pavarur nga politika. Dhe tani, pas gjithë këtyre arrestimeve të bujshme, kur thonë “bashkëpunim”, ne duhet të lexojmë “kontroll”.
Përmendin “strategji të përbashkët”, “koordinim me institucionet”, “unitet institucional”… por këto janë fjalë të buta për të fshehur një synim të qartë: ta bëjnë SPAK-un si ajo prokuroria që njoftonte herë pas here arrestime të bujshme në një shtator që nuk erdhi kurrë.
Dhe sikur të mos mjaftonte, kërkojnë më shumë “transparencë” nga SPAK-u: të publikojë metodat e punës, të përballet me ankesa, të tregojë çdo hap që bën…
Po nëse duan transparencë, le ta fillojnë nga vetja, të na thonë pse u bënë 5D-të, inceneratorët, koncesionet, rrugët e florinjta, pastrimi i parave, kanabizimi, e me radhë? Sepse subjektet e SPAK-ut nuk janë ata që kërkojnë llogari, por ata që duhet të japin llogari.
Me pak fjalë, rekomandimet ndaj SPAK nuk mund të vijnë nga një Këshill Ministrash që është në konflikt interesi me drejtësinë. Sepse nëse të korruptuarit janë ata që vendosin rregullat e lojës, atëherë i bie që hajdutët të japin leksione policëve për kapjen e kriminelëve.
Është imperative të kuptojmë se këto propozime nuk janë për të ndihmuar hetimet, por për të trembur prokurorët, për të ndalur gjyqtarët, dhe për të mbrojtur ata që deri dje mendonin se janë mbi ligjin.
Nëse kjo nuk ndalet, nëse qytetarët e pranojnë në heshtje,nuk është vetëm SPAK-u që do goditet, është vetë shpresa për një drejtësi që nuk pyet as për emër, as për parti, por që i shkon deri në fund të së vërtetës.

Artikulli paraprakDiktatura Hoxhiste – Neodiktatura Rama & Berisha
Artikulli tjetër“Kur një njeri ndahet nga populli, ndahet dhe nga Zoti”