Rekordet e Ançelotit

Bayerni i Karlo Ançelotit e ka nisur sezonin e ri në mënyrë të jashtëzakonshme. Pesë fitore në pesë ndeshjet e para për kampionët e Gjermanisë, të cilët kanë realizuar 20 gola dhe nuk kanë pësuar asnjë. Suksesi 5-0 ndaj rusëve të Rostov, në ndeshjet e para të grupeve të Champions League konfirmoi startin fantastik të edicionit nga bavarezët.
Përveç ecurisë së fitoreve radhazi, ajo që befason më tepër te Bayern Munchen në ndeshjet e para zyrtare është lehtësia dhe shpeshtësia me të cilën të besuarit e Ançelotit gjejnë rrugën e golit. Një mesatare e frikshme me 4 gola të shënuar në ndeshje, që e kombinuar me mbrojtjen solide dhe zero golat e pësuar nga Neuer i bëjnë gjermanët të frikshëm për çdo kundërshtar. Me këto paraqitje, është e lehtë të thuash që Karlo Ançeloti i ka fituar zemrat e të gjithëve në Mynih, duke filluar nga drejtuesit e klubit, për të vazhduar me tifozët. Me suksesin përballë Rostov, Bayerni regjistroi fitoren e 13-të radhazi në “Allianz Arena” në sfidat e vlefshme për kupat e Europës, duke thyer rekordin e vitit 2008, që mbahej nga Manchester United.
Disfata e fundit e bavarezëve në shtëpi është ajo e sezonit 2013-2014, kur u mposhtën 4-0 në gjysmëfinalet e Champions-it nga Reali i Madridit. Skuadrat e Bundesligës vendosën gjithashtu një primat edhe për sa i takon fitoreve në ndeshjet e para të grupeve në Champions. Bayerni nuk stonon asnjëherë në startin e turneut, prej 13 vitesh. Të gjitha këto statistika e bëjnë skuadrën e Ançelotit një prej favoritëve absolutë për trofeun kontinental.
Të mëdhatë e nisën me këmbën e mbarë Uefa Champions League. Barcelona harroi shpejt disfatën e kampionatit dhe në kompeticionin europian realizoi një goleadë të vërtetë përballë Celtic duke fituar 7-0, falë dhe treshes Suarez-Neymar-Messi. Argjentinasi ishte në një mbrëmje të shkëlqyer teksa shënoi 3 herë në portën e skocezëve, ndërsa braziliani përveç se dha katër asist arriti të realizojë dhe një gol mjaft të bukur me goditje dënimi. Fitorja e katalanasve u kompletua dhe nga realizimet e Iniestës dhe Suarezit, dy herë.
Ndeshja tjetër mes City-t dhe Gladbahut ndërkohë u shty për shkak të reshjeve të dendura të shiut që përfshinë Mancesterin. Ançeloti debutoi në Champions me fitore për Bajernin me skuadrën e tij që mundi me lehtësi rusët e Rostovit 5-0. Në pjesën e parë shënuan Muller dhe Lewandowski nga pika e bardhë, ndërsa në të dytën Kimich realizoi dy gola, kurse një tjetër i shtoi dhe Bernat. E nisi me fitore dhe nënkampionia e Europës, Atletiko e Madridit që mundi 1-0 në transfertë PSV Eindhovhen, ku heroi i ndeshjes ishte Saul që realizoi në minutën e 43-të, ndërsa në fundin e pjesës së parë holandezët shpërdoruan dhe një 11-metërsh.

Artikulli paraprakPlatini: Largohem me ndërgjegje të pastër
Artikulli tjetër“ESPNFC”: Hysaj, mbrojtësi perfekt