Struktura organizative e UKT sha ka pësuar disa herë ndryshime, duke krijuar probleme në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit normal të shoqërisë
Ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës, e cila është ofruar për shitje nga Bashkia, aktualisht ka të punësuar 864 punonjës. Ky staf, i azhurnuar me strukturën e re që hyri në fuqi në janar të këtij viti, duket se ka deformuar rëndë misionin themelor të kompanisë, duke fryrë numrin e punonjësve për administratën qendrore dhe duke shkurtuar punonjësit e terrenit, që nga faturistët, hidraulikët, pompistët etj.
Këto zhvillime në kompaninë më të madhe të ujësjellësit në vend i ka zbuluar Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi të bërë së fundmi në ndërmarrje.
“Struktura organizative e shoqërisë veçanërisht ajo e aparatit të administratës është e mbingarkuar me burime njerëzore dhe në shumë sektorë vendet e punës janë të dubluar, ndërsa ndryshimet në njësitë zonale konsistojnë në uljen e numrit të faturuesve, uljen e numrit të hidraulikëve, shoferëve, teknikëve të ndryshëm si pompist, klorinues, saldator, mekanik, teknik bilanci, inxhinier matje, etj”, thuhet në raportin final të KLSH pas kontrollit në UKT.
KLSH vëren se, ndryshimet e strukturës organizative, duke ulur numrin e stafit teknik dhe specialistëve të fushave të ndryshme, pa një analizë të mirëfilltë tekniko/financiare bien ndesh me objektin e veprimtarisë së vetë shoqërisë, duke mos garantuar cilësinë e shërbimit ndaj konsumatorit në terma të përgjithshëm.
Struktura organizative e UKT sha ka pësuar disa herë ndryshime, duke krijuar probleme në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit normal të shoqërisë, shprehet KLSH.
Me vendimin nr. 25 datë 09.12.2015 të Asamblesë së Përgjithshme të Aksionereve, “Për Ristrukturimin dhe Miratimin e Strukturës Organizative dhe Numrit të Përgjithshëm të Punonjësve të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë sha.” është vendosur struktura organizative dhe miratimi i numrit të përgjithshëm të punonjësve të UKT sha, prej 864 punonjësish.
Ky ristrukturim është kërkuar dhe i është propozuar Asamblesë së Përgjithshme të Aksionerëve, nga ish-drejtori i Përgjithshëm i shoqërisë me shkresën nr. 23675/2 datë 26.11.2015, pa një analizë tekniko-financiare për çdo sektor apo njësi të UKT sha mbi bazën e së cilës ato të pasqyronin nevojat e tyre apo të evidentonin problemet funksionale. Si pasojë e kësaj nuk ka pasur një evidentim të saktë dhe objektiv në lidhje me sektorët apo vendet e punës, të cilat duhet të suprimoheshin apo t’ju shkurtohej fuqia punëtore, referon Kontrolli i lartë i Shtetit.
Në relacionin drejtuar Asamblesë përmendet se këto ndryshime strukturore janë rekomanduar në raportin vlerësues për situatën tekniko-ekonomike të UKT sh.a që ka realizuar shoqëria, një shoqëri kjo e cila në bazë të të dhënave të sektorit të koordinimit të projekteve të huaja pranë UKT sha, nuk ka kryer auditim të mirëfilltë për shoqërinë, por vetëm takime interaktive midis ekspertëve të saj dhe stafit të UKT sh.a si pasojë e të cilave ka dalë me një preventiv, thuhet më tej në raport.