919 milionë euro është dëmi ekonomik qëë i është shkaktuar shtetit gjatë vitit 2015 nga institucionet buxhetore. Kreu i KLSH, Bujar Leskaj, duke raportuar në Komisionin e Ekonomisë për punën e këtij institucioni përgjatë vitit që lamë pas në një analizë të përmbledhur të punës së këtij institucioni ka nxjerrë një shumë jo të vogël që është bërë në dëm të shtetit, dhe sipas KLSH bëhet fjalë për plotë 919 mln euro. “Në vitin 2015 kemi kryer 158 auditime të performancës ose në nivelin 8.8%. Në këtë vit synojmë që auditimet të rriten në nivelin e 15%. Nga auditimet e bëra nga KLSH rezulton se dëmi ekonomik i shkaktuar nga parregullsitë është 125.8 mld lekë, ose 919 mln euro”, është shprehur Leskaj. Kreu i KLSH-së i sugjeroi qeverisë të hartojë ligjin për përgjegjësitë materiale, ku autoritetet dhe institucionet të mbajnë përgjegjësi. “Refomës në Drejtësi i uroj suksese, por kjo reformë duhet të vijojë në këtë drejtim, për mbajtjen dhe mosmbajtjen e përgjegjësive të dëmit/abuzimit” ka vazhduar më tej Bujar Leskaj. Në vijim të raportit, Leskaj tha se “KLSH ka marrë në analizë edhe rezervat e kompanisë Albpetrol. Auditimet e KLSH janë shoqëruar edhe me kallëzime penale ndaj zyrtarëve të lartë dhe të mesëm”. Në vitin 2015 KLSH ka bërë 51 kallëzime penale, mesatarisht 1 kallëzim në javë. Arsyeja është niveli i ulët i zbatueshmërisë. Para Prokurorisë janë dërguar zyrtarë të lartë dhe të mesëm. Dëmi ekonomik i shkaktuar për këto kallëzime është 85 mld lekë. Nga viti 2012-2015 ne kemi bërë gjithsej 170 kallëzime Penale”, ka thënë Bujar Leskaj.
Miliona euro dëme në çdo sektor
Në 12 muaj, KLSH ka kryer 174 auditime nga të cilat 158 janë të përfunduara. KLSH evidenton dy dëme të mëdha financiare. Kështu dëmi për parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera shkon në shifrën totale 919.91 milionë euro. Ndërsa dëmi për shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara shkon në shumën totale 257.7 milionë euro. Problemet më të mëdha sipas KLSH konstatohen në sektorin e prokurimeve, kthimi i pronës, privatizimet dhe tatimet. Në sektorin e tatim-taksave shkeljet për vitin 2015 kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 92 mln euro. Në sektorin e doganave dëmi vlerësohet 31 milionë euro. Në fushën e prokurimeve sipas auditimit të KLSH dëmi vlerësohet 19 mln euro. Në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurive shtetërore shkeljet e konstatuara vlerësohen gjithsej në 733.4 mln euro. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe abuzimeve korruptive për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit me kompaninë CEZ. Në raportin e Kontrollit të Lartë i Shtetit thuhet se Ministrinë e Energjisë dhe grupin e punës që negocioi dhe më pas arriti marrëveshjen për zgjidhje me mirëkuptim të konfliktit me kompaninë CEZ, për mungesë transparence. “Nga auditimi rezultoi se, negociatat janë zhvilluar, në kushtet e mungesës së dokumentacionit të nevojshëm, përfshirë procesverbalet e mbledhjeve të grupit të punës, mbi bazën e të cilit të mund të evidentohej dhe gjykohej në lidhje me punën e bërë nga ana e grupit të negocimit”, thotë KLSH në Buletinin Vjetor të Kontrolleve për vitin 2015. Në marrëveshjen e arritur pas negociatave dypalëshe, shteti shqiptar hoqi dorë nga çdo pretendim ndaj CEZ dhe mori përsipër t’i paguante kompanisë çeke 95 milionë euro si dëmshpërblim edhe pse kompania ishte nën akuzë për abuzime dhe mosrespektim të kontratës së privatizimit. Konflikti mes Shqipërisë dhe CEZ kulmoi në janar të vitit 2013, kur Enti Rregullator i hoqi licencën kompanisë çeke për shkak të ndërprerjes së energjisë në ujësjellësat.
Konstatimi i KLSH për aferën me CEZ
Pas heqjes së licencës, CEZ e paditi Shqipërinë në arbitrazh. Qeveria e atëhershme kontraktoi një studio të njohur avokatore për të përgatitur mbrojtjen e Shqipërisë në arbitrazh, por pas rrotacionit, me ardhjen në pushtet të qeverisë së majtë konflikti mori një tjetër drejtim. Menjëherë sapo erdhi në pushtet, qeveria e majtë ngriti një grup të posaçëm pune për të negociuar marrëveshjen me CEZ. Në krye të grupit u vendos ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, por në përbërje të tij kishte përfaqësues të Kryeministrisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Avokaturës së Shtetit. Sipas KLSH, asnjë nga mbledhjet e grupit nuk është e dokumentuar dhe mungesa e këtij dokumentacioni e bën të pamundur vlerësimin se si ky grup, ka mbrojtur interesat e shtetit shqiptar. “Në mungesë të dokumentacionit është e pamundur të vlerësohen argumentat dhe kundër argumentat e dhëna për pranimin apo refuzimin e pretendimeve të CEZ a.s nga ky grup si dhe qëndrimin karshi pretendimeve të mëparshme të shtetit shqiptar, analizën e provave, dokumentacionit dhe ekspertizës së dhënë nga ekspertët e huaj të kontraktuar”, thotë KLSH. Pas analizës së informacioneve dytësore, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë në përfundimin se me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje Mirëkuptimi, shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 479 milionë euro. Ky dëm, sipas KLSH, është pasojë direkte e veprimtarisë dhe vendimmarrjes së vetë Grupit të Punës. “Është ky grup, i cili i ka relatuar Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë miratimin e kësaj marrëveshjeje, duke u dakordësuar për pagesën e huave në shumën 95 milionë eurosh (hua të pa verifikuara), pagesë që nga ana tjetër shërbeu që shteti të marrë përsipër detyrimet e një keqmenaxhimi disa vjeçar prej 384 milionë euro të një shoqërie që u drejtua drejt falimentimit me një qëllim të verifikuar”, përfundon KLSH.
Prokurimet publike rritje të dëmit ekonomik 3.8 herë në 2015
Për Agjencinë e Prokurimeve Publike, auditimi tregoi se kishte rritje të konsiderueshme të vlerës së dëmit të konstatuar në fushën e prokurimeve publike krahasuar me vitin 2014.
“Për vitin 2015, kemi rritje të dëmit, i cili arriti në 2,621,594 mijë lekë, krahasuar me 678,118 mijë lekë të konstatuar për vitin 2014, rritje prej 3.8 herë”, thuhet në raport.
Për po të njëjtin institucion, gjatë 2015 është kryer edhe një tjetër auditim, në sistemin teknologjik të agjencisë, sipas të cilit janë vërejtur probleme në zbatimin e procedurave të prokurimit publik.
Për këtë auditim, u përdorën teknikat kompjuterike CAAT si dhe përdorimi i vizualizimit të informacionit.
Nga vizualizimi i gjendjes nëpërmjet paraqitjes së efektivitetit të prokurimeve për operatorët ekonomikë për prokurimet e vitit 2014, KLSH konstaton tre zona me nivel risku të ndryshëm. Rezultatet e auditimit treguan se:
– 35% e prokurimeve me efektivitet nga 0 deri në 5% zonë e cila mbart riskun e marrëveshjeve dhe mungesën e transparencës në procedurat e prokurimit.
– 27% e prokurimeve me efektivitet nga 5 deri në 20% zonë të cilën e vlerësojmë me nivel të ulët risku.
– 38% e prokurimeve me efektivitet nga 20 deri në 58% zonë të cilën e vlerësojmë zonë me risk të lartë në mosplanifikim të saktë me pasojë mos efektivitet fondesh.
123 milionë euro vjedhje nga tatimet e doganat
(Shkeljet me dëm ekonomik tek tatim taksat 92 milionë euro sipas raportit të KLSH për 2015)
– Ministria e Energjisë dhe Industrisë (koncesionet hidrokarburet), AKBN, në vlerën totale 11,503,500 mijë lekë, nga të cilat 316,000 mijë lekë, shmangie nga skema e TVSH, duke konsideruar në mënyrë të parregullt e të paargumentuar punime dhe shërbime të nënkontraktorëve si operacione hidrokarbure dhe 11,187,500 mijë lekë evazion fiskal nga mosdeklarimi i prodhimit të shtuar të naftës bruto pas përdorimit të holluesit (diesel 1 000 ppm) në shtresë.
– Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Barnave, Tiranë, në vlerën totale 72,103 mijë lekë, është vlera e përfituar në mënyrë të padrejtë si rimbursim nga dy kompani farmaceutike, si pasojë e diferencës midis çmimit/njësi të referencës nga lista e çmimeve për barnat e rimbursueshme dhe çmimit/njësi që duhej të tregtohej në fakt një medikament i caktuar.
(Në sektorin e doganave vlera e dëmit 31 milionë euro)
– Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe degët doganore, Durrës, Fier, Vlorë, Kakavijë, Qafë-Thanë e Bllatë (renta minerare), në vlerën totale prej 3,337,003 mijë lekësh, si detyrime doganore të papaguara, nga mosllogaritja dhe mosarkëtimi i rentës minerare për mineralet e eksportuara.
– Degët e doganave Lezhë dhe Shkodër, në vlerat respektive 13,130 mijë lekë dhe 24,165 mijë lekë, si detyrime doganore të papaguara në zhdoganimet e disa artikujve të ndryshëm dhe si detyrime e penalitete të pavendosura ndaj subjekteve që nuk kanë paguar TVSH.
– Dega e Doganës Tiranë, në vlerën 130,438 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes dhe mosarkëtim të detyrimeve doganore.
– Dega e Doganës Durrës, në vlerën 143 075 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes dhe mosarkëtim të detyrimeve doganore.
– Drejtoria e Përgjithshme e Doganave Tiranë, në vlerën 152,405 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjs së detyrimeve doganore dhe nga shkeljet e parregullta.
– Dega e Doganës Korçë, në vlerën 274,321 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes së vendosjes së penaliteteve dhe detyrimeve tatimore.
– Dega e Doganës Kapshticë, në vlerën 125,349 mijë lekë, si pasojë e mosllogaritjes së vendosjes e penaliteteve dhe detyrimeve tatimore.