Rekordi i Zidane me Realin: Nëntë finale, nëntë trofe!

Trajneri Zinedine Zidane tha se triumfi në nëntë finalet e zhvilluara të Real Madridit me të në postin e trajnerit është diçka që duhet të pritet nga një klub i nivelit të “Los Blancos”.

Pas 90 minutave dhe kohës shtesë pa gola, Real Madridi e mposhti rivalin e qytetit, Atletico Madridit, me rezultat 4:1 në penallti, në finalen e Superkupës së Spanjës.

Kapiteni Sergio Ramos e shënoi penalltinë fituese, përderisa Zidane arriti ta vazhdojë rekordin e tij të përsosur si trajner i Real Madridit, duke i fituar nëntë trofe nga po aq finale të zhvilluara.
“Në fund, ne të gjithë jemi bashkë dhe i përgatisim ndeshjet mirë. Nuk e di pse i kemi fituar të nëntat. Kjo ka ndodhur për shkak të asaj se çfarë është klubi. Nuk ka qenë e lehtë, por kemi pasur durim dhe kemi qëndruar të qetë”, ka thënë Zidane.

“Pas pjesës së parë, ne nuk dinim se si t’i shkonim edhe më afër golit, por patëm durim. Besuam deri në fund, si gjithmonë. Nuk është kurrë e lehtë të fitosh trofe e aq më pak kundër Atleticos. Të dyja skuadrat patën raste”.

“Jemi ende në shumë gara. Duhet të jemi të lumtur, por ende kemi shumë gjëra për të bërë. Duhet të vazhdojmë të punojmë. Ne do të pushojmë pak dhe pastaj do të luajmë sërish. Nuk mund ta lejojmë të na bie forma”.

“Tani do ta shijojmë veten, por kemi ende shumë punë për të bërë në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit”.

Exit mobile version