“Rekordi kombëtar” i 95 vjetëve, vetëm 2700 shikues në 5 ndeshje! Dikur, Shqipëria e para në Europë për ndjekjen e kampionatit të saj, sot stadiumet pa tifozë

NGA BESNIK DIZDARI

Po më duket se këto javë sikur i kam harruar shkrimet historike e po më vërshojnë ato problematike aktuale e kritike. Jo, jo, nuk i kam harruar! Do t’iu kthehem shpejt, sepse dihet, shkrimet historike jo vetëm janë me vlera të pafundme, por më duhet t’iu kthehem edhe për të nderuar të vërtetat e harruara, fort të çmueshme, kësisoj edhe për të përmbysur pasaktësitë, e pse jo, për të përmbysur edhe rrenat. Dhe shkoj te shkrimet problematike të aktualitetit. E kështu, java që shkoi vendosi “rekordin kombëtar” të historisë së Kampionatit të Shqipërisë për mospraninë e spektatorëve në ndeshjet e tij. Sipas njoftimeve të “Panorama Sport”, e cila çdo javë me mundim po përpiqet të botojë numrin e spektatorëve – them “me mundim”, sepse Shqipëria ende është e vetmja në Europë që nuk ka një zyrë institucionale që duhet të regjistrojë numrin e spektatorëve në ndeshje – ishin pra, gjithsej vetëm 2700 spektatorë. Më hollësisht ishte kjo “gjeografi” e mjerueme:

TEUTA – VLLAZNIA: 600 spektatorë!

EGNATIA – BYLIS: 700 spektatorë!

SK TIRANA – AF ELBASANI: 800 spektatorë!

KF LAÇI – PARTIZANI: 500 spektatorë!

DINAMO – SKENDERBEU: 100 spektatorë!

E shikoni që kemi mbërritur deri te 100 spektatorë, e pakta nja 10 herë më pak se kur zhvillohej ndeshja e nxënësve në fushën e Pallatit të Pionierëve të Tiranës, sot e zhdukur për një grataçiel (kullë qiellore) të pamëshirshëm, aty mbrapa hotel “Dajtit”, gjithashtu i tjetërsuar edhe ai. Kjo do të thotë se në 5 ndeshje të Kampionatit të Shqipërisë ishin vetëm 2700 spektatorë, ose mesatarisht 540 spektatorë për ndeshje! Ky padyshim është numri më i paktë i pranisë së spektatorëve për një javë të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë gjatë 95 vjetëve të tana të tij. Ky është rekordi kombëtar më negativ në historinë e organizimeve të futbollit e të sportit shqiptar. E ku? Mu në sportin më popullor që është futbolli. Kjo do të thotë se Kampionati i Shqipërisë është braktisur nga shqiptarët. Më ashpërsisht kjo do të thotë se shqiptarët nuk e duan Kampionatin e tyre. Nuk është një temë e re kjo. Të paktën për autorin e këtyre radhëve (e jo vetëm për te, natyrisht) gjithë këto vite ka qenë një temë e përhershme. Madje, rregullisht e trajtuar problematikisht. Mirëpo, ia që ky “rekord” i kësaj jave është “rekord” i një shekulli të tanë të kampionatit tonë. E për këtë braktisje janë një mal me shkaqe. Pa e zgjatur, kryesoret, dihet, janë këto:

– Nivel i ulët i një Kampionati “të vogël” me vetëm 10 skuadra.

– Mospjesëmarrja në Kampionat i disa qyteteve kryesore tradicionalë e historikë për futbollin (Vlorë, Gjirokastër, Kavajë, Berat, Fier, Lushnje…). Pa harruar rënien e befasishme të skuadrave të tri qyteteve kryesorë: Korçë, Tiranë e Durrës që i kërcënon rënia, më saktë “përjashtimi” nga Kampionati.

– Publicitet i brishtë për Kampionatin, deri aty sa as që i përmendet më emri, por quhet “Abisnet Superiore”. Në vend që, e pakta, të kombinohet emërtimi atdhetar klasik “Kampionati i Shqipërisë” me reklamën përkatëse të sponsorit.

– Dhe më e frikshmja: transmetimet e pafund të ndeshjeve të kampionateve të huaja, përveç të tjerave, me një reklamë apo publicitet 100 herë më bujshëm se për Kampionatin e Shqipërisë. Këtë javë, në mos gaboj u transmetuan në TV rreth 20 ndeshje të kampionateve të këtyre shteteve. Kaq kësaj here prej morisë së shkaqeve që janë nja 10 herë më shumë se çka rreshtuam shpejt e shpejt në këto pak radhë. Ndërkaq, tek është edhe “”super” shkaku” – qoftë edhe për të përmendur fjalën “super” jo shqip, që po na e merr frymën gjithandej”. Është ky: askush nuk do t’ia dijë për këtë braktisje historike të plot 95 vjetëve. Askush nuk shqetësohet. Askush nuk e përmend këtë braktisje. Askush nuk zemërohet sado pak. Askush nuk kërkon urgjentisht analizën për të mbërritur në vendime të shpejta, për të shpëtuar prej kësaj braktisjeje. Askush nuk do t’ia dijë. Madje, me në krye qeverinë apo ministrinë përkatëse. Se përsa i përket FSHF-së, me heshtjen e saj shembullore, që assesi nuk i duhet quajtur “olimpike”, as ajo pra, nuk do t’ia dijë. Ndonëse është plotësisht detyrë parësore e saj. Kemi mbërritur deri aty sa s’ka ku shkon më. Tashma është e qartë se për shqiptarët, si për asnjë popull tjetër të Europës, e ndoshta edhe të Botës, më shumë rëndësi se ndeshjet e Atdheut të tyre, paska transmetimi televiziv i ndeshjeve të tilla si Zyrich – Basel, Girona – Las Palmas, Midelsbrough – Sunderland apo Sporting – Estrela, qoftë dhe Inter- Como, të shteteve të tjera, të cilat me pavlerën e parëndësinë e tyre për Shqipërinë, zor se i interesojnë ndopak publikut shqiptar.

Po a mund të bëhet diçka e shpejtë? Sigurisht.

1. E para e punës shteti apo qeveria të ndalojë transmetimet televizive të ndeshjeve të rangut të ulët (si të mësipërme) të shteteve të tjera të Europës, që marrin kohë krejt të pamerituara.

2. Ndeshjet e Kampionatit të Shqipërisë të zhvillohen jashtë kohës së transmetimeve televizive të ndeshjeve të shteteve të tjera.

3. Dhe meqë Kampionati i Shqipërisë ka kaq pak, vetëm 5 ndeshje, ato të zhvillohen brenda një dite. Kjo për të mos ngatërruar spektatorët shqiptarë të futbollit, të cilët kanë mbërritur deri aty sa po harrojnë se kur janë ndeshjet e Kampionatit të Shqipërisë “nënë”.

Ndërkaq, tema televizive sigurisht mbetet gjithnjë tërheqëse dhe e debatueshme. Rubrika të pafund, me një tufë “analistësh” të ftuar, biseda gjasme taktiko-teknike dhe asnjë temë shoqërore që i përket Kampionatit. Dhe me “shoqërore”, këtu e kam fjalën për marrëdhëniet e Kampionatit të Shqipërisë me shqiptarët pra, të cilët siç ka shkuar puna as nuk duan t’ia dinë për Kampionatin e vendit të tyre. Dhe jo më të të shkojë mendja për rubrika problematike e të një kritike për këtë braktisje “madhështore”. Të gjithë janë nënshtruar.

Duke shkuar te arkivi ndala te ndeshja Tirana – Kosova e 29 Nëntorit 1942 (shih librin “Historia e Kampionateve të Shqipërisë” – Vitet 1939-’42), kohë lufte nën pushtim kur në Fushën e Shallvares ishin 8000 shikues. Le të jetë e zmadhuar kjo shifër, por që kanë qenë me qindra e qindra, kjo dihet fort mirë. Ndërsa kur dy vjet më vonë, më 1944, u zhvilluan ndeshjet me trupat pushtuese të Wehrmach-itt, po në Shallvare, po ashtu nuk gjeje vend ku të qëndroje. E kur mandej mbërrijmë te Mbaslufta për te “Qemal Stafa”, tashmâ i zhdukur ashtu siç na janë zhdukur sot spektatorët, ndodhte që, bie fjala, në ndeshjen tradicionale 17 Nëntori–Vllaznia jo rrallë të ishin deri në 20.000. Qindra shkodranë vinin nga Shkodra edhe me biçikleta. Kjo e rrallë në botë. Dhe ishin 120 kilometra rrugë. Ka ndodh vërtet. Nuk është rrenë. Ndërsa sot shqiptarët nuk po denjojnë të vijnë e të ulen as në tribunat e “modernit” që deri para pak quhej “Air Albania”. Ndërkaq, po më duket kuptimplotë të shkoj te sondazhi i bujshëm i gazetës sportive më të madhe të botës, që ishte “La Gazzetta dello Sport” e 40 vjetëve më parë. Çka po duket si një jubile i një 40-vjetori të pashembullt. Po i bashkëngjis këtij shkrimi këto dy dokumente sondazhi nga faqja analitike e “La Gazzetta…”, e cila e vendoste Shqipërinë në vendin e parë në Europë për ndjekjen e Kampionatit të saj prej spektatorëve për frymë të popullsisë.

“Në Shqipëri, – titullonte “La Gazzeta…”, çdo 4 banorë në 100, të dielën shkojnë në stadium”. Ndërsa në dokumentin tjetër të gazetës në fjalë, kemi të renditur Shqipërinë me shifrën e pranisë mesatarisht të plot 6686 spektatorëve për çdo ndeshje. Ka qenë absolutisht e saktë. Asokohe, në gazetën “Sporti Popullor” që drejtoja, patëm hapur rubrikën për numrin e spektatorëve, dy ditë mbas zhvillimit të ndeshjeve. Nuk e bënin ne, ne vetëm e botonim. E bënte me plot kujdes FSHF-ja e asokohe, duke ia detyruar klubeve të futbollit, e dhënë kjo, gjithnjë sipas biletave të shitura. Ndërsa sot jo 6000, por vetëm 500 spektatorë për ndeshje! Këtu kemi mbërritur! Sigurisht nuk jemi naivë dhe e dimë se në atë izolim të rëndë të asokohe, shqiptarët argëtim kryesor kishin ndeshjet e futbollit, Kampionatin e tyre Kombëtar. Mirëpo, kurrë nuk mund të pranojmë 2700 spektatorë në të 5 ndeshjet së bashku apo mesatarisht vetëm 500 për ndeshje! Tash le të presim “5 sfidat e javës”. “Sfidat”, jo ndeshjet. E kanë flakur tej fjalën shqipe “ndeshje”. Nuk ka më ndeshje, ka vetëm sfida – “duele me shpatë”, fjalë e huaj që në shqipet nënkupton ftesën për t’u ndeshur me armë.

Çka në kuptimin figurativ mund të përdoret edhe në terminologjinë e futbollit, sigurisht, por thjesht kur rëndësia e ndeshjes është tejet përcaktuese apo vendimtare e pashoqe. Rubrikat tona televizive, na kanë shkatërruar edhe shqipen e terminologjisë së futbollit. E, pra qysh nja 85 vjet më parë, bie fjala, Anton Mazrreku, i tha “gjysmëfinales” – “gjysmë fundore”, ngaqë përveç të tjerave, nuk shkonte gjysma shqip e gjysma në etimologjinë me prejardhje nga latinishtja. “Âshtë e mundun të shprehet në gjuhën shqipe mbarë dija…”, siç ka shkuar me kohë Martin Camaj, shkrimtari dhe shkencëtari ynë i madh i gjuhës, profesor i shquar i Munchen-it. Por, këtu po më duket se dola nga tema e preka temën gjuhësore, që duhet prekë bukur e mirë edhe një herë tjetër, si “dikur” në këtë të përditshme “Panorama”. Kështu pra, “po presim “sfidat” e kësaj jave për të shpresuar sado pak, te rritja e numrit të spektatorëve dhe të kthimit te fjala e shqipes “ndeshje” në vend të asaj që barbarizmi gjuhësor i thotë “sfidë”. Megjithatë, për hir të së vërtetës ka një “sfidë”. Që është “sfida” midis atij i cili kërkon rikthimin e spektatorëve, me atë tjetrin i cili nuk i kërkon ata, ose që hesht përballë kësaj mospranie “rekordmene” në 95 vjet të tana! Po, po, kjo nuk është “ndeshje”, por është vërtet “sfidë”./Gazeta Panorama

Artikulli paraprakHistoria e tmerrshme në qelitë e Shkodrës: I lidhur këmbë e duar në banjën e burgut, 3 ditë me ushqim të thatë dhe pa ujë
Artikulli tjetërMos ma vrisni qenin