Rekordmeni i Liverpulit, Salah: Duhet të ndryshojmë 100% fytyrë nëse kërkojmë të kualifikohemi

Mohamed Salah pranon se Liverpuli duhet të ndryshojë rrënjësisht fytyrë nga ndeshja e parë në Paris dhe paraqitja e fundit kundër Sauthemptonit, për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve kundër PSG-së.

“Reds”-at fituan 1-0 me shumë fat në Paris dhe sot në “Anfield” duhet të ndërtojnë mbi këtë rezultat, për të siguruar biletën. Por dominimi i skuadrës së Luis Enrikes në “Parc des Princes” tremb jo pak. Kryesuesit e Premier Ligës bënë një paraqitje me dy fytyra edhe në ndeshjen e fundit kundër Sauthemptonit në kampionat. Smollbon shënoi për “Shenjtorët” në pjesën e parë, ndërsa u desh një përmbysje falë golave të Darvin Nunjezit dhe dopietës së egjiptianit, për të siguruar tri pikë të tjera në rrugën e skuadrës së Arne Slotit drejt titullit kampion. Me diferencën që shkoi +15 nga Arsenali në kampionat, tani vëmendja e golashënuesit më të mirë të Liverpulit këtë sezon spostohet te PSG-ja dhe Salah u bën thirrje shokëve të skuadrës se duhet të përmirësohen.

“Sauthemptoni kishte një plan të mirë loje. Trajneri ishte i zhgënjyer. Ne ishim të ngadaltë në pjesën e parë. Ne nuk luajtëm mirë, por, nëse doni që të fitoni Premier Ligën apo Ligën e Kampioneve, duhet t’i fitoni ndeshje të tilla. Dy ndeshjet e fundit kanë qenë shumë të vështira. Nuk ka të bëjë me mua, ka të bëjë me të gjithë ekipin. Ne duhet të vazhdojmë të përmirësohemi dhe duhet të bëjmë një paraqitje shumë më të mirë, nëse duam që të kualifikohemi në raundin tjetër të Champions-it”, tha ai.

Me dy golat e fundit që shënoi të shtunën në “Anfield”, sulmuesi theu një tjetër rekord. Ai la pas legjendën Gordon Hoxhson në listën e golashënuesve më të mirë të klubit, por tashmë ai ka shënuar dhe asistuar në 12 ndeshje radhazi në “Anfield” në Premier Ligë. Hera e fundit që ka dështuar ta bëjë këtë, ka qenë në humbjen kundër Notingem Forestit në shtator.

Kjo do të thotë se ai barazoi rekordin e Tierri Henrisë të sezonit 2002-03. Përpara ka vetëm Alan Shirerin, i cili e ka bërë 13 dhe 15 herë në sezonet 1995-96 dhe 1996-97. Salah barazoi edhe rekordin e Serxho Agueros, me 184 gola në Premier Ligë, duke u ngjitur në vendin e 5-të të shënuesve më të mirë të historisë.

Artikulli paraprakShifrat: 1 në 10 persona në Shqipëri vuan nga veshkat, nefrologët tregojnë problemet
Artikulli tjetërBIRN: Digjitalizimi i administratës publike sjell shqetësime mbi privatësinë