Pas shumë eksperimenteve, është e vështirë të thuhet nëse kemi apo jo sistemin më të mirë të përzgjedhjes së mësuesve që i nevojitet sistemit arsimor para-universitar. Por është e lehtë për të konstatuar të kundërtën; ndonëse mungon sërish një institucion i besueshëm matës ose vlerësimi. Sipas perceptimit të publikut, shprehur gjerësisht në rrjetet sociale, mësuesit dikur ishin më të përkushtuar dhe kishin më tepër kualitet. Por ky mund të jetë vetëm një persceptim? E vërteta cila është? Cilësia e arsimit parauniversitar ka njohur progres apo është duke rënë?
Shumë eksperimente, që sigurisht kanë kërkuar edhe buxhet, a i kanë shmangur mësuesit e dobët dhe kanë demoralizuar më të aftët? Si matet aftësia? Po niveli i dijes së fituar nga nxënësit, si ka ndryshuar? Janë thuajse pyetje të mbetura pa përgjigje.
Mësuesit që futen në sistemin arsimor thonë se aktualisht janë shmangur ndërhyrjet e dikurshme, që shpesh përfshinin në sistem njerëz me lidhje nepotike apo partiake, por pa asnjë lidhje me sistemin arsimor. Ndërsa sot procedurat janë bërë komplekse.
Sot për shembull në vendin tonë fqinj, Itali, nisin testet e konkursit për të rekrutuar 44,654 mësues të rinj, në baza të përhershme për pozicione të përbashkëta dhe mbështetëse. “Objektivi ynë është t’i japim stabilitet rekrutimit, duke përzgjedhur mësuesit e ardhshëm, mbi aftësitë e tyre për mësimdhënie dhe kjo është arsyeja pse ne kemi parashikuar që, përveç praktikës, përpara punësimit, të ketë edhe një orë të simuluar në fund të periudhës së provës. Konkursi që nis sot për punësimet e ardhshme shënon një hap të mëtejshëm përpara, në betejën tonë për të luftuar punësimin e pasigurt dhe për t’u garantuar studentëve një arsim cilësor, që nxit vazhdimësinë e mësimdhënies,” sqaron ministri i Arsimit dhe Meritës së Italisë, Giuseppe Valditara.
Modeli që sjell Italia thotë se testimi me shkrim zhvillohet në një stacion kompjuterik, në rajonin për të cilin kandidati ka paraqitur kërkesë për pjesëmarrje. Bazuar në numrin e kandidatëve nga secili rajon, organizohen seanca të shumta paradite dhe pasdite. Çdo kandidat ka 100 minuta kohë për t’iu përgjigjur 50 pyetjeve me zgjedhje të shumëfishtë me përmbajtje jodisiplinore, nga të cilat: 10 me përmbajtje pedagogjike; 15 të përmbajtjes psikopedagogjike; 15 të përmbajtjes metodologjike-didaktike; 5 për njohjen e gjuhës angleze; 5 mbi përdorimin edukativ të teknologjive dixhitale. Çdo përgjigje e saktë i jepen 2 pikë; Çdo përgjigje e pasaktë ose pa përgjigje i jepen 0 pikë.
Kandidatët që arrijnë rezultatin të paktën 70/100 kalojnë testin me shkrim dhe të kualifikuarit i kalojnë automatikisht testimit me gojë. Testi me gojë do të duhet të konstatojë përgatitjen e kandidatëve si nga pikëpamja specifike disiplinore, ashtu edhe për sa i përket aftësisë mësimore: për këtë, kandidatët do të duhet të kryejnë një orë mësimi të simuluar.
Është ky modeli që afron Italia, vendi më i zhvilluar pranë nesh. Vende të tjera, pranë ose larg nesh, me ekonomi të zhvilluar afrojnë plot modele. Në vend të shpikjeve, mjafton ndjekja e një modeli. Zbatimi, përkushtimi, për të zhvilluar arsimin, kërkon vizion politik, madje në terma afatgjatë. Pra, zhvillimi i arsimit kërkon strategji kombëtare ku të jenë të përfshira partitë parlamentare, ashtu sikurse edhe faktorë të tjerë progresistë, sepse është një investim afatgjatë që ka të bëjë me zhvillimin e kombit, për një të ardhme më të mirë të të gjithëve, për të ardhmen tonë të përbashkët.