Rektorati: Kule dhe Koni njoftuan Tahirin për kërcënimin e Shullazit

Universiteti i Tiranës ka sqaruar dje takimin që rektori Dhori Kule dhe kandidati për rektor, Mynyr Koni zhvilluan me ministrin e Brendshëm, ministren e Arsimit si dhe me drejtues të Policisë. Në një komunkim për mediat, Rektorati deklaron se gjatë takimit, Ministri i Brendshëm dhe Drejtuesit e Policisë së Shtetit janë njoftuar zyrtarisht me “përballjen e problematikës gjatë procesit zgjedhor”.
“Në lidhje me takimin zyrtar që rektori i UT-së dhe kandidati për rektor ka zhvilluar me ministrin e Brendshëm, ministren e Arsimit dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, ju informojmë se ky takim ka qenë zyrtar dhe rruga e zgjedhur për t’u përballur me problematikën e shfaqur gjatë procesit zgjedhor në UT ka qenë vetëm ajo zyrtare. Institucionet e përfaqësuara në këtë takim kanë marrë përsipër përgjegjësitë e tyre institucionale”, sqaron Universiteti i Tiranës.

PD: Rama nuk zbatoi ligjin, mori përsipër negociata private me Shullazin

Partia Demokratike ka reaguar dje pas fakteve të reja të publikuara në media për denoncimin që ish-rektori i universitetit Dhori Kule ka bërë në Prokurori në lidhje me kërcënimet që i janë bërë nga Shullazi dhe banda e tij për atë që tashmë dihet si përfshirja më e fundit që qeveria bëri nëpërmjet kësaj bande kriminale, nëpërmjet Shullazit, edhe në garën për universitetet.
“Dhori Kule ka denoncuar në Prokurori faktin se: pasi ka bërë me dije Kryeministrin për këtë kërcënim, ndërkohë që ishte kërcënuar dhe kandidati për rektor, Kryeministri e ka dërguar tek ministri i Brendshëm, i cili në mënyrë krejt recidiviste, ashtu siç ka ndodhur edhe ca kohë më parë, kur thirri në zyrë Durim Bamin dhe përpiqej ta zgjidhte çështjen në mënyrë krejt informale dhe të paligjshme, të dënueshme penalisht, përsëri, rektorit në detyrë, i premton se do ta zgjidhë ai çështjen dhe të gjitha provat tregojnë se zgjidhja do të ishte ajo që kjo qeveri di të bëjë më mirë. Menaxhimin e krimit dhe nëpërmjet menaxhimit të krimit të zgjidhë problemet siç di ajo. Pra, kjo qeveri përsëri jep provën se nëpërmjet kësaj formule të dërgon krimiminelët, të dërgon Shullazin, të krijon problemin dhe pastaj premton se mund ta zgjidhë. Është prova e fundit që tashmë është e depozituar në Prokurori, se si kjo qeveri është e lidhur kokë e këmbë me krimin edhe nëpërmjet krimit vetëm nëpërmjet krimit, nëpërmjet Shullazit mund të zgjidhë dhe të menaxhojë jetën publike shqiptare” tha deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi në një deklaratë shtyp.
Denoncohet ky fakt në Prokurori, vijoi Bylykbashi, dhe vetëm pak orë më pas ish-Kryeministri Berisha e ka deklaruar publikisht ku të gjithë jeni dëshmitarë, u arrestua Shullazi dhe të mos kishte ndërhyrë Prokuroria ne do të ishim përsëri përpara asaj që Saimir Tahiri di të bëjë më mirë. “Do të menaxhonte në mënyrë private, në mënyrë informale, ashtu siç ai ka bërë edhe në rastet e tjera, duke i dhënë makinën e tij trafikantëve të drogës që ta përdornin për t’i dhënë imunitet, në të njëjtën mënyrë do t’i jepte imunitet kësaj bande, në të njëjtën mënyrë siç ka bërë gjatë gjithë kësaj kohe duke menaxhuar krimin e duke e kthyer Shqipërinë, në një plantacion me drogë, ku jeta e shqiptarëve vlen zero, ndërkohë që interesi i vetëm është të rrisin pasurinë dhe nëpërmjet këtyre kriminelëve të mbrojnë aferat e tyre” vijoi më tej Bylykbashi.
Deputeti demokrat tha se “Jemi përpara rënies së shtetit dhe përpara rënies së shtetit nuk mund të ketë asnjë garanci për shqiptarët veçse që t’i përgjigjen kësaj qeverie në mënyrën më të fortë të mundshme. Por kundërreagimi i kësaj qeverie është ajo që të gjithë e dinë. Dënohet Sali Berisha, ai që denoncoi këtë krim dhe dënohet vetëm e vetëm jo vetëm për t’i mbyllur gojën opozitës, por për t’i dhënë provën shqiptarëve që ne e mbrojmë krimin dhe me mbrojtjen që i japim këtij krimi askush nuk mund të guxojë që ta kundërshtojë këtë qeveri në zgjedhjet që do të afrohen. Besoj që provë më të fortë sesa kjo për inkriminimin e kësaj qeverie nuk mund të ketë. Shqiptarët vetëm do të shohin më tej se si do të dalin edhe më shumë këto prova”.

Arben Shahini

Exit mobile version