Prokuroria e Apelit Durrës ka dorëzuar dje në Gjykatën e Lartë rekursin kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, e cila vendosi lirimin me kusht për të dënuarin Lulzim Berisha. Akuza argumenton se Lulzim Berisha duhet të kthehet në qeli dhe nuk mund të përfitojë nga dënimi me kusht, për disa arsye.
Sipas Prokurorisë, veprat për të cilat është dënuar Lulzim Berisha janë mjaft të rënda dhe ai nuk mund të përfitojë nga lirimi para kohe. Ai u arrestua në prill të vitit 2006, në Tetovë, pasi ishte shpallur në kërkim për 5 vrasje dhe krijim të një organizate kriminale.
Gjithashtu në rekurs, Prokuroria e Apelit Durrës sqaron se uljet e dënimit ndër vite për Lulzim Berishën kanë qenë të pajustifikuara nga togat e zeza. Prokuroria dyshon se koha e llogaritjes së kohës së burgimit nuk është e saktë.
Rekursi në Gjykatën e Lartë vjen një ditë, pasi Prokuroria e Përgjithshme njoftoi zyrtarisht se kishte nisur një hetim për mënyrën si u lirua Berisha. Në sitën e hetuesve do të kalojnë veprimet e disa gjyqtarëve. Të njëjtën vepër dyshohet se kanë konsumuar edhe zyrtarë të Bashkisë Durrës, që kanë garantuar punësimin e tij, duke favorizuar lirimin me kusht.
Lulzim Berisha ka përfituar nga një seri e gjatë vendimesh gjykate për ulje dënimi. Ai u dënua fillimisht me burg përjetë, më pas vendimi u ul në 25 vjet, por kreu i “Bandës së Durrësit” bëri vetëm 10 vjet burg dhe u lirua me kusht 5 vjet përpara se t’i përfundonte afati i dënimit.
Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun funksiononte prej vitit 1994 në qytetin bregdetar dhe merrej me trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Banda është autore e një sërë vrasjeve dhe krimesh të tjera të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 deri në 2008. Banda e Durrësit akuzohet për 6 vrasje. Vrasja e Dritan Sallakut më 17 tetor 1998 në qytetin e Durrësit, vrasja e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit. Vrasja e Marsel Sotirit, 22.08.1999 në plazh, Durrës; Vrasja e Dritan Dishës, 09.07.2000 në Shënavlash, Durrës; Vrasja e Ervin Lames, 14.01.2002 në lagjen numër 3, Durrës.
12 vjet pasi qëndroi në qeli, kreu i bandës së Durrësit, një nga bandat më të përgjakshme në vend, kërkoi lirinë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës dhe ajo e Apelit. Berisha kërkoi në bazë të nenit 478 të Kodit të Procedurës Penale lirimin e tij nga burgu me arsyetimin se “vuan nga një sëmundje e rëndë dhe i rrezikohej jeta po të qëndrojë në qeli”. Prej vitit 2015, Lulzim Berisha vuante dënimin në burgun e sigurisë së zakonshme në Durrës, ndërsa më 5 dhjetor u lirua nga burgu.
R.POLISI