Relaks për Kombëtaren Kuqezi

Paradite relaksi për Kombëtaren Kuqezi. Pas 6 ditë stërvitjesh intensive me nga dy seanca në ditë ku ngarkesa është rritur gradualisht, futbollistët e Kombëtares kanë një prgram disi më relaksues një ditë para përballjes me Katarin me një paradite të lirë pa seancën e zakonshme stërvitore. Pas zgjimit në orën 8:30, konsumimit të mëngjesit dhe një seance masazhi në orën 10:30, 23 lojtarët që janë nën urdhërat e De Biasit kanë mundur të shfrytëzojnë disa orë të qeta pa ngarkesën e ditëve të mëparshme. Disa prej tyre i kanë shfrytëzuar, duke marrë biçikletat për të eksploruar zonën përreth hotelit në Bad Waltersdorf ku qëndrojnë të grumbulluar, ndërsa të tjerë kanë preferuar qëndrimin në hollin e hotelit, ku është shtuar edhe prania e tifozëve të Kombëtares në kërkim të një fotoje, një autografi apo disa momente me idhujt e tyre.
Në mesditë të gjithë janë grumbulluar sërish në një nga dhomat e takimeve të kompleksit për të zhvilluar një mbledhje me trajnerin De Biasi dhe stafin e tij për një analizë taktike përpara ndeshjes me Katarin, në program këtë të dielë në stadiumin e Hatberg, një lokalitet rreth 60 kilometra larg vendqëndrimit të Kombëtares. Nisja për në stadiumin 6 mijë vendësh ku do të luhet ndeshja do të bëhet këtë mbasdite me kuqezinjtë që do të bëjnë një sondazh të terrenit ku do të luajnë nesër, duke kryer aty seancën stërvitore të pasdites në orën 17:30, e cila do të transmetohet si çdo ditë live në Supersport. Të gjithë abonentët e platformës sportive të të gjithë shqiptarëve do të kenë mundësi të ndjekin drejtpërdrejt edhe Konferencën e trajnerit Gianni de Biasi në orën 17:00 para seancës stërvitore, ku trajneri do t’i përgjigjet pyetjeve rreth përgatitjeve kuqezi dhe testit të ditës së nesërme me Katarin, ku do të jenë të pranishëm edhe një numër i madh tifozësh shqiptarë në mbështetje të Kombëtares.

Exit mobile version