Rënia drastike e turizmit, vdekje dhe ndotje në bregdetin shqiptar

Vdekje, ndotje dhe cilësi e dobët kushtesh e shërbimi, mungesë rojesh bregdetare, mungesë uji, energjie elektrike etj. Janë këto karakteristikat e frikshme dhe të rënda me të cilat përballet turizmi shqiptar këtë vit, ashtu si edhe pushuesit vendas e të huaj. Të paktën 15 pushues kanë humbur jetën duke u mbytur në det. Asnjë roje bregdetare nuk funksionon e për rrjedhojë siguria e pushuesve është në nivelin zero. Si rezultat i kësaj numri i personave të mbytur në një kohë kur jemi në pikun e sezonit turistik është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.
Para pak ditësh, një vajzë e huaj 15-vjeçare gjeti vdekjen teksa notonte në bregdetin e Ksamilit pasi një motor uji në mënyrë të paprecedent kaloi sipër saj duke i shkaktuar plagë të rënda e duke i marrë jetën. Një tjetër fenomen shqiptar ky, ku në kaosin e turizmit në vendin tonë, mungesa e rregullave të qarta përsa i përket zonave bregdetare ku duhet të lejohet qarkullimi i motorave të ujit edhe këtë vit, solli viktimën e parë. Ndërkohë, i njëjti fenomen, ku dy pushues humbën jetën nga plagët e marra nga motorët e ujit u shënua edhe vjet. Dy viktimat e vjetshme nuk shërbyen aspak për autoritetet përkatëse në marrjen e masave konkrete përsa i përket sigurinë mbi qarkullimin e lejuar të motorave të ujit.
Qeveria dështoi edhe këtë vit të disiplinojë këto mjete të rrezikshme që janë shqetësim dhe rrezik për jetën e mijëra pushuesve që frekuentojnë plazhet shqiptare. Edhe pse në të gjithë plazhin e jugut, nga Velipoja në Sarandë, nuk ka asnjë vend të lirë në hotel dhe nuk gjen asnjë vend të lirë në shezllone, pasi janë plot e përplot me turistë, policia shqiptare është inekzistente. Edhe pse për përdorimin e motorëve të ujit janë të përcaktuar rregullat se, ku duhet dhe si duhet të lëvizin në det, në të gjitha këto plazhe me dhjetëra mijëra pushues nuk gjen qoftë edhe një polic të vetëm, që të monitorojë ashtu siç duhet zbatimin e këtyre rregullave, që janë thelbësore për të garantuar jetën.
Për situatën më të fundit të turizmit shqiptar ka reaguar Jamarbër Malltezi, koordinator në PD për mjedisin. Në një postim të tij në Facebook, Malltezi shkruan për panoramën e zymtë të turizmit. Por, për sa kohë që shteti ka ikur në drejtim të paditur, kjo s’ka rëndësi, përveç unitetit të tepsixhiut.
“Turizmi shqiptar: pa drita, pa ujë, pa rend dhe me ballast dhe gjurmë nafte anijesh. Shteti ka ik në drejtim të paditur. Por besoj është ok për ata militantët që nuk duan as ujë, as bukë, as drita, as rritje pagash, as rrugë, veç të ketë unitetin tepsixhiu”.

Cilësia e plazheve

Bazuar në raportin e Agjencisë europiane të Mjedisit për cilësinë e ujërave më 2016-n, “Il Sole” ka publikuar hartën e cilësisë në plazhet e Mesdheut. Sipas hartës, Shqipëria ka numrin më të lartë të plazheve me cilësi të varfër në të gjithë Mesdheun, duke marrë në konsideratë dhe vijën bregdetare. Për të përshkruar cilësinë e ujërave, agjencia i ka ndarë në katër kategori: cilësi e shkëlqyer, cilësi e mirë, cilësi e mjaftueshme dhe cilësi e dobët.
Sipas të dhënave, janë 7 plazhe në Qarkun e Durrësit ku cilësia e ujit është e varfër dhe 5 ku cilësia vlerësohet e mjaftueshme, 4 në qytetin e Vlorës dhe 2 në Sarandë.  Ndërsa në Shkodër dhe Shëngjin, cilësia është më e mirë. Vendi fqinj, Greqia nuk ka asnjë plazh, ku ujërat të jenë të varfër në cilësi, ndërsa me cilësi të mjaftueshme vlerësohet vetëm plazhi Palaiochori. Sipas raportit vendet me cilësi më të mirë të ujërave në Mesdhe janë Qipro, Greqia, Kroacia dhe Malta. Megjithatë, rreth 85% e plazheve të Mesdheut janë të një cilësie të shkëlqyer, përjashtim bën Shqipëri.

Ndotja dhe mungesa e masave

Vlora dhe Durrësi vitin e kaluar patën plazhet më të ndotura, ndërsa plazhet më të pastra i takojnë Velipojës, Dhërmiut, Himarës, Borshit dhe Sarandës, sipas monitorimeve që ka bërë Ministria e Mjedisit dhe që janë referuar për publikun nga INSTAT. Raportet e monitorimit përfshijnë shumë pika, duke nxjerrë me ndotjen më të lartë plazhet e Durrësit. Durrësi ka vetëm 1 plazh me cilësi të lartë, 7 plazhe me cilësi të mirë, 4 plazhe me cilësi të mjaftueshme, por për 9 plazhe të tjera, situata paraqitet emergjente me superndotje, raporton INSTAT.
Më tej, në radhë vjen Vlora, e cila ka 5 plazhe me cilësi të lartë, 1 plazh me cilësi të mirë dhe 4 plazhe me cilësi shumë të ndotur dhe kërkohet ndërhyrje emergjente. Në plazhet e tjera të vendit, situata është më normale. Të dhënat për cilësinë e ujërave në plazhet e Shqipërisë u referohen matjeve të përsëritura në të gjitha plazhet detare. Këto të dhëna i referohen kryesisht përmbajtjes së kolonive të baktereve me origjinë nga shkarkimet në ujërat detare dhe lumenjve. Treguesit për cilësinë e ujërave larës në këtë botim janë administrativë dhe japin vlerat mesatare të përmbushjes së standardeve cilësore të ujërave në plazhin përkatës referuar standardeve të cilësisë vendosur nga OBSH.
Treguesit e cilësisë së ujërave larës në plazhet e Shqipërisë kanë qëndruar përgjithësisht në të njëjtat nivele, me cilësi të shkëlqyer ose të mirë në 85,0% të tyre. Shqipëria ende nuk ka e zgjidhur problemin e kanalizimeve të ujërave të zeza në plazhe.

Artikulli paraprakTrump pyet Prokurorin: Pse nuk po heton “krimet” e Hillary?
Artikulli tjetërSi po vritet Vjosa, mrekullia e fundit blu e Europës