Rënia e bujqësisë dhe industrisë rrezikon 54% të të punësuarve në vend në sektorin privat

Industria dhe bujqësia janë dy sektorët që kanë shënuar ecurinë më negative gjatë vitit që sapo lamë pas. INSTAT raporti në të dhënat e Prodhimit të Brendshëm Bruto se industria në total ra me 0.69% në vitin 2023, në raport me 2022, ndërsa vetëm industria përpunuese u tkurr me 6.12%, më e forta që nga 2012-a.

Sektori i industrisë, që po lulëzonte deri në mes të vitit 2022, përmbysi arritjet e një dekade nga zhvlerësimi i euros dhe rënia e kërkesës nga jashtë pas luftës në Ukrainë.

Në territor negativ, për herë të parë që nga viti 1997, ishte dhe bujqësia, që u tkurr me 0.68%. Në 10 vitet e fundit, bujqësia është rritur mesatarisht 1%, teksa rezultati është dobësuar tre vitet e fundit për t’u kthyer negativ më 2023.

Të dy këta sektorë janë të rëndësishëm në ekonomi, me bujqësinë që kontribuon në gati 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe industrinë në 10%.

Akoma më e rëndësishme është pesha e tyre në punësim. Sipas të dhënave të INSTAT, në sektorin bujqësor sigurojnë të ardhurat rreth 420 mijë persona. INSTAT i konsideron automatikisht si të vetëpunësuar ata që jetojnë në zonat rurale.

Ndërsa industria përpunuese punëson rreth 105 mijë persona. Të dhënat i përkasin vitit 2022.

Teksa në total në sektorin privat (pa përfshirë administratën shtetërore) janë të punësuar gati 970 mijë persona, rreth 524 mijë, ose 54% e tyre sigurojnë të ardhurat nga puna në bujqësi (43%) dhe në industrinë përpunuese (11%). Rënia e këtyre dy sektorëve është një sinjal negativ për perspektivën e tyre të punësimit.

Bujqësia ka hyrë në cikël rënës, e ndikuar nga pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm, në njërën anë, dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në tjetrën, që e kanë përkeqësuar klimën në sektor, sidomos në blegtori. Në vitin 2022 numri i krerëve në blegtori shënoi rënie vjetore me rreth 13%, ndërsa gjatë dekadës krerët u përgjysmuan. Ndonëse jemi vendi më bujqësor në Europë, shumë produkte ushqimore po i marrim nga importi.

Në industrinë përpunuese peshën kryesore në punësim e mbajnë industria e tekstile e këpucëve, që në fund të vitit 2022 kishin gati 50 mijë të punësuar, ose rreth gjysmën e totalit në këtë sektor. Industria e tekstile këpucëve punon me material porositësi dhe për shumë vite me radhë ka pasur si avantazh kryesor konkurrues koston e lirë të fuqisë punëtore. Rritja e pagës minimale vitet e fundit që arriti në 40 mijë lekë dhe tkurrja e fortë e euros, që këmbehet me 104 lekë, nga rreth 120 lekë dy vjet më parë ka bërë që si përpunuesit e këpucës ashtu dhe të veshjeve të shohin një rënie të fortë të eksporteve. Në 2023-n, ky sektor realizoi shitje prej 126 miliardë lekësh, me rënie prej 6.6% me bazë vjetore. Tendenca rënëse vijoi dhe në dhjetor, me -15.4%.

Kjo situatë ka detyruar shumë prej tyre të shkurtojnë punonjësit, ndërsa fabrikat e vogla po falimentojnë. Shoqata e Eksportuesve njofton përditë mbylljen e kompanive dhe shkurtimin e punonjësve, teksa shumë partnerë po i zhvendosin porositë në vende me kosto më të lira prodhimi, si Tunizi, Marok e Egjipt.

Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, që kanë udhëhequr rritjen ekonomike vitet e fundit kanë një peshë të ulët në punësim, me përkatësisht 56 mijë dhe 3.4 mijë të punësuar.

Akomodimi dhe shërbimi ushqimor, që po shohin rritje për shkak të turizmit, kishin gjithsej rreth 54 mijë të punësuar në fund të 2022-t, megjithëse në këtë sektor informaliteti është i lartë.

Krahas industrisë dhe bujqësisë, dy punëdhënësit e tjerë të mëdhenj në vend janë tregtia me 136 mijë të punësuar (14% e totalit) dhe shërbimet (12% e totalit), por dhe këtu pjesa më e madhe janë të vetëpunësuar, me aktivitetin e tyre që është i varur ndjeshëm nga ecuria e konsumit. Emigracioni i lartë i viteve të fundit po shkakton rënie të konsumit, duke shtuar vështirësitë për mikrobizneset.

nor1
Burimi: INSTAT
nor2
Burimi: INSTAT
nor3
Burimi: INSTAT
Artikulli paraprakProjektligji për Ballkanin Perëndimor sërish para Senatit amerikan, kërkohet angazhim i shtuar i Shteteve të Bashkuara
Artikulli tjetër“Meta po flet përçart, kërkon ta transferojë çështjen penale te gruaja e tij”, Ngjela: Cila është marrëveshja e ish-Presidentit me Monikën?