Rënia e familjes kryeministrore ka nisur

Bledi KASMI

Rama e ktheu garën për kreun e Federatës së Futbollit në një test të forcës të pushtetit të familjes së tij përballë opinionit publik. Ai nuk kurseu askënd në funksion të skemës që e ka nxjerrë atë fitues në të gjitha garat me vota të tjetërsuara të këtyre 20 viteve në pushtet, duke angazhuar direkt familjarët e tij.
Baçi ishte instrumenti ku Rama dështoi për të arritur tek shndërrimi i Federatës së Futbollit në një biznes miliarda dollarësh që do të luhej përgjatë katër viteve të ardhshme në kompanitë e basteve të vëllait dhe miqve të tij dhe që më pas ato para do të pastroheshin në parajsat fiskale të bankës së bashkëshortes së vet.
Dje, Rama ka humbur një bast të madh sëbashku me familjen e tij nga ato baste që nuk mund të trukohen lehtë si ato të shitjes së ndeshjeve të ekipt të tij të zemrës familjare dhe politike në xhunglat aziatike. Ai ka humbur bastin se skema e tij nuk i garanton më siguri për të qenë fitues përballë një opinioni që po ngrihet ndonëse me vështirësi, duke refuzuar të shitet dhe të blihet njëlloj si bagëtia.

Ndodhi me futbollin, ndonëse të gjithë besonin përpara procesit se ndeshja e djeshme për Federatën do të ishte e shitur, gjë që nuk noddhi. U luajt deri në minutën e fundit të kohës shtesë për blerjen e votave me paratë e pista të krimit dhe korrupsionit qeveritar dhe shuma e një vote arriti deri në 50 mijë euro. Kjo është shuma që i ishte afruar në mesnatën e së hënës një anëtari të Asamblesë, i cili refuzoi ta këmbente me votën e tij. Një tjetër anëtar ishte kërcënuar me jetën e familjarëve të tij.
Sfidanti i Dukës nuk ka humbur asgjë dje. As mandatin e deputetit, të cilin duhet ta kishte dorëzuar para se të futej në votim. As fytyrën prej palaçoje politik që bënte kllounin në studio televizve kur fliste për të ardhmen e ndritur të futbollit. I humburi i madh përballë opinionit publik dje ishte Rama, i cili duhet të ketë parë më qartë se kurrë më parë se rënia e pushtetit absolut të familjes së tij mafioze ka nisur të bjerë.
Janë të paktën tre faktorë që kanë ndikuar në këtë rënie të skemës së trukimit të votave për kapjen e një institucioni si ai i Federatës së Futbollit.
E para dhe mjaft e rëndësishme është roli i garantit të procesit të votimit që ndodhi dje. Pa rolin dhe kërcitjen e fortë të dhëmbëve të zv.Presidentit të UEFA në zyrën kryeministrore, vështirë se dje do të kishin proces të rregullt, sepse paramilitarët e armatosur ishin bërë gati të merrnin situatën nën kontroll.

Në një takim që zgjati përtej çdo parashikimi, garanti i qëndroi parimeve të institucionit që ai përfaqëson se nuk do të pranohej asnjë kapje politike e Federatës së Futbollit dhe se kapja mund të sillte edhe përjashtimin e Shqipërisë nga UEFA. Nëse ky garant i procesit do të kishte devijuar sado pak nga detyra e tij, sikurse kemi parë të ndodhë në këtë vend në procese të ndryshme zgjedhore nga shumë palaço politikë, atëhere gara do të ishte thjesht një farsë. Ndoshta fati i futbollit shqiptar ishte edhe se zv.Presidenti i UEFA qëndroi në Shqipëri vetëm disa orë dhe nuk kërkoi shtyrje të vizitës.
Faktor i dytë në rënien e skemës mafioze kryeministrore të blerjes së votave ishte fakti se përballë nuk ishin njerëz anonimë, por njerëz me integritet dhe me emër, të cilët ndryshe nga ata që mund t’i blesh në fshatra me një thes miell ditën e zgjedhjeve, dje e kishte të vështirë t’i blinte edhe me 50 mijë euro.
Dhe faktori i tretë që është ndoshta edhe i rëndi për Ramën, sepse është politik, është fakti se ai ka parë dje ti shkërmoqej perandoria e pushtetit edhe nga disa të zgjedhur lokalë të partisë së vet që rezultojnë të mos kenë votuar për Finon, por për kundërshtarin e familjes kryeministrore.

Exit mobile version