Rënie drastike e popullsisë në qarqe, disa bashki humbën gjysmën e banorëve! Rritje minimale në Tiranë

Në Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave të vitit 2001 dhe në Censusin e vitit 2011, konkluzioni ishte në të dyja rastet që popullsia e Shqipërisë ishte përfshirë në një lëvizje masive nga fshati për në qytet, ku pjesërisht lëvizja ishte e brendshme dhe pjesërisht, jashtë vendit. Në fakt, lëvizja e brendshme, pra lëvizja nga zonat periferike të vendit për në ultësirën perëndimore si dhe lëvizjet nga fshati për në qytet, ishin në përmasa më të mëdha se sa emigrimi i jashtëm. Jo më. Të dhënat e Censit 2023, të publikuara të premten, tregojnë se gjatë dekadës së fundit, shumica dërrmuese e lëvizjes së popullsisë është me destinacion vetëm vajtje jashtë vendit, me një lëvizje minimale në drejtim të Tiranës.

Të dhënat e censit tregojnë gjithashtu se një pjesë thelbësore e popullsisë që u zhvendos nga zonat e thella malore për në qendrat e mëdha urbane të vendit si Tirana dhe Durrësi, tashmë ka hequr dorë nga gjetja e së ardhmes në Shqipëri dhe po largohet në përmasa të frikshme për në emigrim.

Të dhënat e censit sugjerojnë nga ana tjetër që, nëse vendi nuk do të arrijë të tërheqë pas në masë disa nga emigrantët e larguar gjatë viteve të fundit, popullsia do të vijojë të bjerë edhe në vitet në vazhdim. Numri shumë i vogël i fëmijëve të mbetur në vend, gjithsej 488 mijë vetë në vitin 2023, sugjeron që, nëse të gjithë këta fëmijë do të qëndrojnë në Shqipëri dhe nëse lindshmëria do të rritet nga kuotat minimale aktuale në kuotat e domosdoshme për zëvendësim, që do të thotë, më shumë se 2.2 fëmijë për nënë në moshë riprodhuese, popullsia në dekadat në vijim mund të zbresë deri në 1.5 milionë banorë.

 

INSTAT raportoi se ka gjetur në shtator 2023 popullsi të pranishme prej pak më shumë se 2.4 milionë banorë, shifër kjo afërsisht 400 mijë më e ulët se sa popullsia e pranishme në censusin e vitit 2011. Krahasimi i saktë nuk është i mundur për shkak se në vitin 2011, të dhënat paraprake të censusit e vlerësuan popullsinë në 2.8 milionë ndërsa rivlerësime pas censusit dhanë rezultate lehtësisht të ndryshme, me disa dhjetëramijëra më shumë se sa vlerësimi paraprak.

Gjithsesi, nëse marrim për referencë shifrën e parë prej 2.8 milionësh, e cila vijon të gjendet e publikuar në faqen e internetit në Instat për censusin e vitit 2011, atëherë mund të themi se:

  1. a) Popullsia e Shqipërisë, nëse nuk do të kishte as migrim dhe as emigrimi, do të duhej të ishte, në vitin 2023, 2.8 milionë plus shtesa natyrore prej 88 mijë vetësh, e cila është numri i lindjeve më i lartë se sa i vdekjeve për periudhën mes dy censuseve.
  2. b) Rreth 108 mijë prej popullsisë rezidente të censit 2023, deklaruan se janë të kthyer nga emigrimi përgjatë dekadës së fundit. Këtyre duhet t’i shtohen edhe rreth 15 mijë shtetas të huaj që u gjendën në Shqipëri. Rrjedhimisht, numri i personave që duhet të kenë ikur në emigrim rishtaz në periudhën mes dy censuseve është afërsisht 609 mijë vetë ndërsa rezultati neto i migrimit është rreth 486 mijë vetë.

Nëse marrim parasysh shifrën e rivlerësuar të Censusit 2011, popullsia ka rënë me rreth 440 mijë vetë.

Censusi është procesi admistrativ që shtetet kanë përdorur që nga koha e lashtësisë si burim informacioni për të ditur gjendjen faktike të popullsisë. Në kohët e vjetra, qëllimi  kryesor i censusit ishte  taksimi i pronës së tundshme dhe të patundshme apo taksimi për kokë i popullsisë ndërsa në shtetet moderne, censusi bëhet për informacion statistikor i vlefshëm për vlerësimin e nevojave për shërbime të ndryshme publike, nga infrastruktura fizike, të shkollat apo shëndetësia.

Pas rënies së Komunizmit në Shqipëri janë kryer tre procese të tilla, ku në çdo rast, emri i përdorur ka ndryshuar. Në censusin e vitit 2001, emërtimi zyrtar ishte Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë dhe Banesave (REPOBA) ndërsa në vitin 2011 u përdor termi Census. Në vitin 2023, zyrtarët përdorën termin Censi. Ky shkrim do të përdorë këto terma respektivisht për secilin prej proceseve.

Të dhënat e Censusit 2011 dhe të Censit 2023 tregojnë gjithashtu se në të dyja rastet, Instituti i Statistikave ka dështuar me një shkallë të lartë gabimi të vlerësojë popullsinë reale të pranishme në Shqipëri, pavarësisht se përgjatë këtyre viteve ka pasur në dorë instrumente indirekte për vlerësime më të sakta. Në vitin 2011, censusi nxorri një popullsi të pranishme shumë më të ulët se sa vlerësimet vjetore të INSTAT dhe po kështu, edhe më 2023. Për shembull, vlerësimi i fundit i INSTAT për popullsinë e pranishme në janar 2023, fliste për një popullsi rezidente prej afro 2.7 milionë banorësh, plot 300 mijë më shumë se sa fakti.

Largimi i popullsisë nga një vend ka qenë historikisht një çështje debati politik. Ndonëse shkaqet e emigrimit janë nga më të larmishmet, gjendja dhe regjimi politik i një vendi konsiderohen si faktori kryesor që shpie një pjesë të popullsisë të largohet nga vendlindja në kërkim të një fati më të mirë gjetkë.

Si Sali Berisha, kur ishte kryeministër në kohën e Censusit 2011 ashtu edhe Edi Rama sot, u përballën me pikëpyetje nëse qeverisja e tyre ishte përgjegjëse për largimin e dhjetëramijëra shqiptarëve çdo vit. Të dy mohuan që korrupsioni dhe keqqeverisja të jenë shkaqe të këtij eksodi.

Emigrimi dhe lindshmëria

 

Qeveria komuniste në Shqipëri përdori që nga viti 1964 një sistem të pasaportizimit të brendshëm, në bazë të së cilit, qytetarët nuk kishin të drejtë të zgjidhnin nëse donin të jetonin në qytet apo në fshat, apo nëse donin të jetonin në një vend të caktuar. Vendimi duket se bllokoi procesin natyror të urbanizimit, duke e lënë Shqipërinë me shkallën më të ulët të urbanizimit në kontinent. Në fund të komunizmit, në vitin 1992, afro 64% e popullsisë shqiptare jetonte në zonat rurale, ndërkohë që pjesa tjetër e kontinentit kishte përjetuar fillimisht urbanizimin, ku pjesa dërrmuese e popullsisë u vendos nëpër qytete duke lënë në fshat më pak se 10%, dhe më pas, procesin e anasjelltë, ku shumë banorë zgjidhnin për të jetuar në fshat ndërsa bënin punë tipike urbane duke udhëtuar çdo ditë drejt vendit të zakonshëm të punës.

Krahas imponimit të pasaportizimit të brendshëm, qeveria komuniste shqiptare ishte një nga dy vendet e vetme të Evropës Lindore, të cilat, refuzuan konkluzionet e një kongresi demografësh të botës komuniste të vitit 1962, të cilët rekomanduan ndalimin e rritjes së popullsisë përmes praktikave  të planifikimit familjar. Demografët e Lindjes në atë kohë dolën në konkluzionin se popullsia mund të rritet tepër shpejt në rast se politika e nxitjes së lindshmërisë, që shumë vende ndoqën pas vdekjeve dramatike të Luftës së parë Botërore, do të vijonte. Rrjedhimisht, vendet e Lindjes filluan programe të edukimit seksual nëpër shkolla, lejuan abortin dhe rekomanduan seks të mbrojtur.

Shqipëria dhe Rumania nuk e ndoqën këtë këshillë. Në Rumani, diktatori vendës shpalli barkun e gruas pronë të shtetit dhe urdhëroi të bëheshin sa më shumë fëmijë. Në Shqipëri, propaganda qeveritare ishte e njëjtë, por popullsia, si në Shqipëri, ashtu edhe në Rumani, ishte dukshëm më e mençur se sa politikanët. Lindshmëria u reduktua në Shqipëri përgjatë dekadave të komunizmit si sjellje e vetë qytetarëve, pavarësisht mungesës së kontraceptivëve dhe ndalimit me ligj  të abortit.

Fryrja ekstreme e popullsisë rurale gjatë kohës së komunizmit si  dhe burimet shumë të pakta ekonomike, bëri që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë të largohej nga fshati pas rënies së komunizmit, pjesërisht duhe u vendosur në qytetet kryesore të vendit dhe pjesërisht duke ikur në emigrim. Qeveritë post-komuniste nuk ishin në gjendje as të parashikonin dhe as të merrnin masa për të menaxhuar këto lëvizje drastike të popullsisë, gjë që solli urbanizim kaotik, krijimin e zonave urbane pa infrastrukturën e nevojshme në furnizim me ujë, kanalizime apo rrugë si dhe ndërtime pa leje në masë.

Gjithsesi, popullsia në tërësi, mes viteve 1991 dhe 2001, pësoi një rënie minimale nga 3.2 në 3.069 milionë banorë, për shkakun e thjeshtë se popullsia ishte e re dhe lindshmëria ishte e lartë. Mes të dy censuseve, vlerësohet se rreth 600 deri në 800 mijë banorë mungonin, supozohet duke qenë në emigrim. Lindshmëria e lartë, por gjithsesi, në rënie të shpejtë, bëri që, mes censuseve 2001 dhe  2011, popullsia të reduktohej me “vetëm” 7.3%. Problemi është se emigrimi gërryen më së shumti të rinjtë, gjë që bën që lindshmëria të binte. Në vitin 2000, lindshmëria ishte ende 3 fëmijë për nënë, ndërsa aktualisht ka rënë në më pak se 1.5. Shifrat e sakta që nevojiten për të llogaritur lindshmërinë për nënë me popullsinë faktikisht të pranishme në Shqipëri nuk  janë publikuar ende nga INSTAT. Ato pritet të publikohen në tetor. Mes viteve 2011 dhe 2023, popullsia rezidente ra me afro 15%

Megjithatë, lindshmëria e ulët nuk do të thotë se popullsia ishte në pakësim. Përgjatë të gjithë periudhës pas rënies së komunizmit, deri më sot, vendi ka pasur më shumë lindje se sa ka pasur vdekje, me përjashtimin e vetëm të vitit 2021, kur vdekjet e shkaktuara nga pandemia e Covid-19 sollën për herë të parë një shtesë popullsie negative. Kjo do të thotë se, ndonëse lindshmëria ka ardhur në rënie të vazhdueshme, rënia e popullsisë përgjatë dekadave të fundit ka qenë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e emigrimit masiv.

Jo më dyndje në qendër

 

BIRN përdori të dhënat e INSTAT për REPOBA 2001, Census 2011 dhe Censi 2023 të ndara sipas qarqeve dhe bashkive si dhe të dhënat e Regjistrit Civil, të marra nga Ministria e Brendshme përmes një kërkese për të drejtë informimi, për të kuptuar drejtimet kryesore të lëvizjes së popullsisë. Të dhënat sugjerojnë se mes Censusit dhe Repobës, popullsia ra me të vërtetë me 7%, në rang kombëtar por rënia u shoqërua me një zhvendosje nga periferia drejt qendrës. Kështu, ndërsa dhjetë nga dymbëdhjetë qarqet e vendit pësuan rënie që varionin nga 16% në Lezhë e Shkodër, në 39% në Gjirokastër dhe 28% në Dibër, dy qarqet më të mëdha të vendit, Tirana dhe Durrësi, njohën respektivisht rritje të popullsisë me 8% dhe 31%. Popullsia e Qarkut Tiranë u rrit me 183 mijë vetë ndërsa popullsia në Durrës u rrit me 24 mijë vetë. Krahasimi me vitin 1991 nuk është gjithmonë i mundshëm për shkak se ndarja administrative e vendit në atë kohë ishte e ndryshme. Por ajo që mund të thuhet është se popullsia e qytetit Tiranë në çastin e rënies së komunizmit ishte rreth 216 mijë vetë ndërsa në shtator 2023, ishte rritur në 598 mijë vetë.

Tendenca e përqendrimit të popullsisë në Shqipërinë qendrore si dhe përreth qyteteve të mëdha, e cila u shfaq, mes të tjeras, me krijimin e lagjeve të gjera të paurbanizuara si Bathorja në Tiranë dhe ish-Këneta në Durrës, duket se është përmbysur në dekadën e fundit. Mes Censusit dhe Censit, të gjitha qarqet e vendit, përfshirë Tiranën, pësuan rënie të popullsisë. Durrësi, i cili në vitin 2011 ishte një nga dy qarqet e vetme me rritje popullsie, në dekadën që pasoi, pësoi rënie të popullsisë me 16%. Në fakt, ndërsa populsia në këtë qark, ku përfshihen bashkitë Durrës, Shijak e Krujë, u rrit me 24 mijë vetë mes Repobës dhe Censusit, ajo ra me 42 mijë vetë mes Censusit dhe Censit. Popullsia e qarkut, aktualisht 227 mijë vetë, është edhe më e paktë se sa ishte në vitin 2021.

Qarku i  Tiranës, ku përfshihen bashkitë  Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë e Rrogozhinë, pësoi një rënie në masën 3%. Rënia në qarkun Tiranë ishte josimetrike dhe gjendja e popullsisë në bashkinë e Kamzës si dhe në atë të Vorës është treguesi më i fortë i tendencës së kalimit nga migrantë të brendshëm në emigrantë.

 

Tre dekada më parë, Kamza ishte një qytezë periferike e kryeqytetit me pak mijëra banorë. Në vitin 2011, Kamza dhe ish-komuna Paskuqan, të cilat i bashkuan në reformën administrative të vitit 2015, kishin bashkërisht 136 mijë banorë, një rritje ndoshta njëzet herë në krahasim me tre dekada më parë. Rritja e popullsisë erdhi si pasojë e zbritjes në Tiranë të një pjese të konsiderueshme të popullsisë nga zonat veriore dhe veri-lindore të vendit.

Kjo rritje gjithsesi duket se i përket të shkuarës tashmë. Te Censi, intervistuesit gjetën në Kamëz vetëm 96 mijë banorë, afro 40 mijë më pak nga sa ishin te Censusi 2011. Afërsisht një në çdo tre banorë të zonës duket se ka emigruar, duke u larguar, kësaj here, jo nga vendlindja, por nga shtëpia e dytë, për një jetë tjetër në emigrim. Fat të ngjashëm ka pasur popullsia në bashkitë e tjera të qarkut. Në Vorë, një qytezë që është në distancë prej vetëm 16 kilometra larg Tiranës, popullsia është pakësuar me 15% ndërsa në Kavajë, rënia është 25%. Rrogozhina, një ish-qytezë industriale, ka pësuar rënien më të fortë në qark me 43%.

Kryeqyteti i vendit, i cili supozohet se po zhvillohet për të qenë një metropol, në fakt ishte i vetmi qytet që njohu rritje përgjatë këtyre dymbëdhjetë viteve njohu rritje të popullsisë, megjithëse rritja kurrsesi nuk është në përmasa të konsiderueshme. Bashkia Tiranë dhe ish-komunat përbërëse përreth saj kishin 557 mijë banorë në vitin 2011 ndërsa më 2023, popullsia rezultoi 598 mijë, me një rritje të akumuluar 7.3 ose me një mesatare vjetore prej më pak se 3,400 vetësh në vit.

Rritja mëse e ngadaltë e popullsisë së Tiranës pritet të hapë një diskutim më të gjerë mbi arsyet që shtyjnë kaq shumë investime në sektorin e ndërtimit si dhe arsyet që kanë shkaktuar një rritje shumë të fortë të çmimeve të pronave të patundshme, çmime që janë dyfishuar përgjatë një periudhe pesëvjeçare nga viti 2018 deri në vitin 2022 falë një kërkese të shtuar, aludohet të furnizuar nga pasuritë e vëna nga aktivitetet kriminale të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Në total, Qarku Tiranë ka humbur pak më shumë se 22 mijë banorë në krahasim me Censusin 2011.

 

Pjesa tjetër e vendit ka njohur vetëm rënie. Rënia e popullsisë dukshëm tashmë nuk varet më, si më parë, nga gjendja e burimeve natyrore të krahinës, nga mbyllja e industrisë së rëndë të kohës së Komunizmit apo nga tendenca normale e urbanizimit.

Qarku i Shkodrës është qyteti me shkallën më të lartë të pakësimit të popullsisë. Rënia këtu është 28%. Në qark banojnë sot 61 mijë vetë më pak se sa 12 vjet më parë.

Lezha, e cila përfshin bashkitë bregdetare të Lezhës dhe Kurbinit, si dhe zonën e Mirditës, humbi 26% të popullsisë ose 35 mijë vetë.

Qarku i Fierit pësoi një hemoragji njerëzish në masën 70 mijë banorë. Afro 23%, ose një në katër banorë këtu zgjodhën emigrimin. Qarku i Fierit përfshin qytetin industrial të Fierit si dhe qytezat industriale të Patosit e Ballshit, krahas qendrave të bujqësisë, Lushnjë, Divjakë e Roskovec, të vendosura në një zonë pjellore të njohur si Hambari i Shqipërisë. Pjelloria e tokës dhe industria nuk e ndaloi hemoragjinë e popullsisë, siç duket. Të gjashta bashkitë e qarkut pësuan rënie që varioi nga 15% në Fier, në 41% në Mallakastër.

 

Qarku i Elbasanit humbi një në çdo pesë banorë përgjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, ose gjithsej 63 mijë vetë. Të shtata bashkitë e qarkut pësuan rënie,  ku rënia më e fortë u shënua në Peqin me 25% dhe më e pakta, në Cërrik me 8.3%. Vetë Bashkia e Elbasanit u reduktua me 18% për nga numri i popullsisë.

 

Ndoshta rënia më domethënëse e popullsisë në vend është eksodi masiv nga Qarku i Vlorës. Një zonë e pasur me burime natyrore, e cila shtrihet përgjatë bregdetit nga grykëderdhja e Vjosës deri në kufi me Greqinë, qarku përfshin qytetet turistike të Vlorës e Sarandës si dhe qytezat turistike të Orikumit, Himarës e Ksamilit. Për nga pikëpamja e prodhimit bujqësor e blegtoral, zona njihet si më e pasura në Shqipëri për shkak të kombinimit të aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës me plantacionet e ullinjve dhe tufat e bagëtive të imta, të cilat janë të favorizuara nga afrimësia e madhe e kullotave verore me kullotat dimërore dhe bollëkun e burimeve ujore. Kjo, kombinuar me aktivitetin e turizmit, supozohej se do të mund të krijonte kushte normale jetese. Dhe kjo është pikërisht ajo që nuk ka ndodhur.

 

Popullsia e Qarkut të Vlorës ka rënë nga 193 mijë vetë në vitin 2001, në 177 mijë më 2011 dhe në 147 mijë në vitin 2023. Rënia përgjatë dymbëdhjetë viteve të fundit ka qenë 30 mijë vetë ose 17%. Rënia më e fortë shënohet në vetë Bashkinë Vlorë, ku një në çdo pesë persona dukshëm nuk janë bindur nga të pasurit të kryeministrit Edi Rama si deputet të zonës dhe as nga investimet e qeverisë në krijimin e bulevardeve përgjatë detit apo ndërtimin e pallateve përmes statusit të Investitorit Strategjik. Në Bashkinë Vlorë, e cila përfshin edhe ish-komunat përreth, banojnë aktualisht 21 mijë vetë më pak se sa më 2011.

Përkundrejt kësaj, Bashkitë Himarë dhe Sarandë kanë njohur rritje të popullsisë, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Rritja e disa bashkive me prani të minoritetit grek, përfshirë Dropullin, mbetet një mister për t’u eksploruar në vijim dhe mund të ketë të bëjë me nënregjistrim të vitit 2011 për shkak të debateve politike ose me një kthim të një pjese të emigrantëve nga Greqia.

Pjesa e brendshme e vendit ka njohur gjithashtu rënie dramatike. Në Qarkun Kukës popullsia ka rënë me 27% ndërsa në Dibër me 22% ndërsa në Korçë, popullsia ka rënë me 22%. Qarku i Korçës përfshin qytetin e Korçës dhe atë të Pogradecit me fshatrat përkatës krahas zonave rurale të Devollit, Maliqit dhe Kolonjës, të cilat janë bashki më vete. Zona e Kolonjës numëroi te Censi vetëm 7,500 banorë dhe është sot zona me densitetin më të paktë në vend.

 

Qarku i Beratit është qarku i vetëm në vend që nuk ka pësuar rënie masive të popullsisë. Këtu rënia është “vetëm” 5%. Bashkia Berat dhe Bashkia Dimal kanë njohur rritje të popullsisë, sipas statistikave zyrtare, ndërsa nga Poliçani kanë ikur praktikisht një në çdo dy banorë.

Shkalla e emigrimit

BIRN analizoi të dhënat e Censusit 2023 me të dhënat e Regjistrit Civil 2023. Regjistri Civil mbahet nga Ministria e Brendshme dhe regjistron të dhënat jetike të popullsisë, lindjet, vdekjet, martesat apo divorcet. Regjistri mbart të gjithë popullsinë e shtetasve të Shqipërisë pavarësisht nëse shtetasit jetojnë brenda apo jashtë vendit. Në total, regjistri shënon se në vitin 2023 kishte 4.61 milionë shtetas shqiptarë, gjë që sugjeron se 2.2 milionë jetojnë në emigrim ndërsa 2.4 milionë jetojnë në Shqipëri. Numri i shqiptarëve jashtë vendit ka gjasa që është më i lartë se kaq sepse në Regjistrin Civil nuk përfshihen shtetasit që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare para se të marrin një shtetësi tjetër në vendet ku nuk lejohet dyshtetësia.

Krahasimi i të dhënave të Regjistrit Civil me Censin në nivel qarku apo bashkie jep rezultate jo aq të sakta sa krahasimi në nivel kombëtar. Kjo ndodh për arsye se një pjesë e popullsisë mund të jenë të regjistruar në regjistrin civil të një bashkie ndërsa jetojnë praktikisht në një bashki tjetër dhe nuk kanë kryer procesin adminstrativ të zhvendosjes. Duke përjashtuar këtë problem, mund të thuhet se 48% e popullsisë në rang kombëtar jeton në emigrim. Në nivel bashkie, shkalla e emigrimit varion nga 30% në Bashkinë Dimal, në 72% në Bashkinë Selenicë dhe 71% në Bashkinë Himarë.

 

Perspektivë e zymtë

Demografët përdorin një grafik të njohur si Piramida e Popullsisëv për të analizuar gjendjen aktuale dhe ndarjen e popullsisë sipas grupmoshave si dhe perspektivën për të ardhmen. Termi Piramida e Popullsisë në fakt është krijuar në një kohë kur në shumicën e vendeve ku është përdorur, fëmijët, që zënë bazën e Piramidës, ishin dukshëm më të shumtë në numër se sa prindërit dhe gjyshërit më sipër në grafik. Sot, të dhënat e popullsisë e bëjnë grafikun larg të qenit piramidë. Në fakt, brezi i shqiptarëve të lindur në vitin 2023 numëronte vetëm 21 mijë dhe është brezi më pak i numërt i shqiptarëve të lindur për aq sa ka të dhëna demografike historike. Larg nga të qenit baza e një Piramide, grafiku shqiptar i ngjan tashmë një peme të gërryer nga rrënjët me degë të hapura sipër. Të gjithë brezat e tjerë të shqiptarëve, nga 2 vjeç deri në 75 vjeç janë në fakt më të numërt se sa brezi më i ri i shqiptarëve. Brezat më të numërt të shqiptarëve janë ata që në vitin 2023 ishin mes 60 dhe 65 vjeç.

 

Forma e grafikut tregon se çfarë pritet të ndodhë në dekadat në vijim. Duke qenë se në Shqipëri, në vitin 2023, kishte më pak se gjysmë milion fëmijë nën tetëmbëdhjetë vjeç, popullsia sipas gjasave, do të vijojë të bjerë. Nëse supozohet se të gjithë këta fëmijë do të qëndrojnë në Shqipëri dhe se ata të gjithë, kur të rriten, do të pëlqejnë të bëjnë dy apo tre fëmijë për familje, atëherë sërish popullsia e vendit do të bjerë në më pak se 2 milionë brenda dy dekadave të ardhshme, kësaj here, jo më si pasojë e emigrimit, por si pasojë e numrit më të lartë të vdekjeve në krahasim me numrin e lindjeve.

Rënia e popullsisë në vetvete nuk është automatikisht e keqe po të mos shoqërohej me disa aspekte shumë të pakëndshme. E para, numri i pensionistëve në vitet në vijim do të vijojë të rritet, kur brezi i numërt i 60-65 vjeçarëve të sotëm të dalë në pension. Vendi nuk ka kursime për pension kështu që pensioni i tyre do të duhet të paguhet nga ata që sot janë gjimnazistë apo studentë që pritet të dalin në tregun e punës përgjatë viteve në vijim. Problemi është se ka më shumë 60-vjeçarë në pritje të pensionit nga sa ka të rinj në prag të daljes në tregun e punës. Vetëm një mrekulli në politikëbërje mund të bëjë të mundur që produktiviteti i punës së punëtorëve të sotëm të mund të paguajë pensione për të moshuarit e shtuar.

Menaxhimi i ekonomisë në një situatë të popullsisë në rënie të vazhdueshme pritet gjithashtu të jetë përplot me telashe. Rënia e deritanishme duket se është kompensuar në një masë jo të vogël nga rritja e nivelit të mirëqenies si dhe nga fakti që, një pjesë jo e vogël e emigantëve, udhëtojnë shpesh për në Shqipëri, plotësojnë pensionet minimale të prindërve si dhe shpenzojnë një pjesë të parave të fituara jashtë në atdhe për pushime. Kjo ka gjasa që nuk do të vijojë përgjithmonë dhe vendi mund të përballet me rënie reale të konsumit të çdo gjëje, nga ushqimet te veshjet, duke gërryer në mënyrë progresive qarkullimin ekonomik dhe të ardhurat e qeverisë.

Ky skenar nuk është i pashmangshëm, gjithsesi. Rënia e popullsisë me 1.5% në vit mund të kompensohet nga rritja e ekonomisë me 1.5%, një rritje kjo që është minimale dhe lehtësisht e realizueshme. Nëse shikohet niveli ekonomik aktual, me të ardhurat mesatare për frymë prej vetëm 10 mijë eurosh në vit në krahasim me mesataren evropiane prej 40 mijë eurosh, është e mundur që një menaxhim normal politik të sjellë rritje ekonomike në përmasa të tilla sa, jo vetëm që ekonomia mund të mos tkurret dhe rënia e popullsisë të kompensohet më rritje ekonomike, por edhe që një pjesë e popullsisë së larguar në emigrim të mund të kthehet, duke kontribuuar, si në ngadalësimin e rënies së popullsisë, ashtu edhe në rritjen ekonomike./reporter.al

Exit mobile version